Denoncimi i Bashës: Tahiri udhëtoi me Sotën në Itali

554
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se kryeministri Rama mbron ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi sipas tij, “kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha iu referua sërish “burimeve të sigurta”, që sipas tij informojnë se ish-ministri dhe i arrestuari në Elbasan, Orest Sota, kanë udhëtuar së bashku drejt Italisë. “Sa më shumë përpiqet Edi Rama të mbrojë Tahirin, aq më shumë i del boja si i lidhur me krimin dhe përfitues i tij. Rama po gënjen prapë për llogari të Tahirit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten e tij. Tahiri dhe Sota janë bashkëpunëtorë në trafikun e milionave të drogës dhe po përpiqen çdo minutë të fshehin provat”, u shpreh Basha. Ai shtoi se burime të sigurta informojnë që “Tahiri dhe Sota kanë udhëtuar bashkë për në Itali, me datë 2 Gusht 2016 nga Porti i Durrësit. Ata janë larguar nga Italia bashkë dhe janë rikthyer në Shqipëri me datë 7 Gusht 2016 me të njëjtën linjë”. “Më 1 Shtator 2017 Tahiri dhe Sota janë larguar bashkë nga Shqipëria nëpërmjet Muriqanit dhe janë kthyer bashkë me datë 3 Shtator 2017 po nëpërmjet Muriqanit. Në 6 Shtator 2017 Orest Sota ka dalë nga Shqipëria duke përdorur makinën e Tahirit”, u shpreh Basha. Për kreun demokrat, fakte të tjera tronditëse pritet të publikohen së shpejti. “Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi. Largimi i tyre është imperativ kombëtar”, tha Basha. Kryetari demokrat njoftoi i pari arrestimin në Elbasan të një biznesmeni, të cilit iu gjendën 860 mijë euro në automjet, si dhe dy patenta lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Për PD-në, këto ishin paratë e ish-ministrit të Brendshëm, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se Tahiri po përgatitej për t’u larguar nga Shqipëria.
Sigal