Denoncimi, aksionarët e ABI Bank të regjistruar në offshore

556
Sigal

Petrit Vasili: Aksionerët  e ABI Bank  janë regjistruar në offshore në ishujt Kajman

Petrit Vasili, Kreu të Grupit Parlamentar të LSI-së: Kryeministri në Parlament deklaroi që kjo bankë është një bankë që kontrollohet nga Enti Rregullator për bankat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pyetja është: Çfarë lidhje ka që institucionet amerikane të kontrollojnë një bankë shqiptare? Pse jemi të bindur që kjo është një bankë shqiptare? Përgjigjen për këtë na e jep vetë drejtori i Abi Bank-ut,  Andi Ballta, i cili thotë: “Për të shmangur çdo keqinterpretim ne nuk jemi bankë në Amerikë, por bankë e investitorëve amerikanë në Shqipëri.” Institucioni i vetëm që kontrollon ABI Bank-un është Banka e Shqipërisë, sepse është institucioni, i cili licencon bankat në territorin e Shqipërisë dhe për këtë arsye ka detyrën t’i monitorojë dhe t’i kontrollojë. Pra Kryeministri gënjeu haptas dhe qartë publikisht, duke shpërdoruar në mënyrë të turpshme Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emrin e SHBA-ve dhe autoritetin e tyre. Njëherazi duhet të kujtojmë që ajo që nuk ndryshon, e cila pohohet dhe është tashmë fakt publik, që aksionerët themelorë janë të regjistruar në offshore, pra në parajsa fiskale, në vende në të cilat informacioni është i pamundur. Shtrojmë këto pyetje të mëdha për Bankën e Shqipërisë, si përgjegjësja kryesore me ligj, për integritetin e bankave, për integritetin e burimeve të tyre dhe për solidaritetin e tyre. Çfarë detyre ka konkretisht Banka e Shqipërisë në momentin e licencimit? Ka detyrën të vlerësojë transparencën e strukturës së kapitalit, të vlerësojë burimin e krijimit të kapitalit, pra si janë krijuar këto para, dhe strukturën e grupit, shoqërive aksionere etj. Po a mund t’i kryejë këto detyra Banka e Shqipërisë, në rastin konkret për një bankë, ku aksionerët janë regjistruar në offshore? T’u sqarojmë shqiptarëve se çfarë pengojnë offshoret dhe çfarë informacioni nuk japin. Këto parajsa fiskale ku janë regjistruar këto kompani, me konkretisht në ishujt Kajman, çfarë lejojnë? Çfarë mundësojnë? Së pari, lejojnë regjistrimin e kompanive offshore, pra siç është kjo kompani konkrete. Afrojnë sekret bankar, duke mos kërkuar raportim të transaksioneve financiare. Natyrshëm lind pyetja: Pse banka e Shqipërisë shkel rregulloren e licencim të aprovuar nga Këshilli Mbikëqyrës, duke licencuar një bankë pa informacione të domosdoshme që kërkon ligji. Çfarë arsye madhore ka pasur për një shkelje të tillë? A pa pasur presion banka për të kryej një licencim kundër rregullave dhe nëse po, nga kush? Çfarë halli, çfarë problemi, çfarë sikleti ka Kryeministri e të tjerë përqark tij që gënjen publikisht e shpërdoron SHBA-në duke pretenduar që kjo bankë monitorohet nga enti rregullator i bankave në Amerikë. Kjo bankë është një bankë në Shqipëri, nuk është në Amerikë dhe kjo deklaratë e Kryeministrit është një mashtrim për të fshehur disa vërteta të rënda që ai i di, por dhe të tjerë i dinë.