Denoncim i Major (R) Ibrahim Torba: Ja kush e shkatërruan edhe vodhën Bazën e Kuçovës

1028
Sigal

Letra që i dërgohet ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, denoncon me emra konkret personat me pushtet të përfshirë në skandal

Një letër e drejtuar ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli nga Major(R) Ibrahim Torba, aktualisht, Administrator i WAN-LAN në Bazën Ajrore të Kuçovës, sjellë për publikim dhe në gazetën “Telegraf”, denoncon disa abuzime të rënda në këtë Bazë, duke akuzuar me emra dhe persona konkretë. Ai shton se, ‘po këta persona përgjegjës, që janë në funksione të larta ja fshehën situatën ministres Kodheli gjatë vizitës që ajo bëri në këtë Bazë disa ditë më parë’, e se ‘më kanë kërcënuar me mesazhin mbylle gojën se ke fëmijë’. Përtej këtij fakti, për këtë situatë që denoncon Major (R) Ibrahim Torba, është moment që të informohet sa më shpejt dhe të ndërhyjë ministrja Kodheli, ministri Saimir Tahiri që të frenojë sejmenët me uniform që kërcënojnë denoncuesin dhe Prokuroria e segmente të tjera përgjegjëse të shtetit… Konform detyrimit që buron nga misioni i medies, po japim të plotë letrën e firmosur nga Ibrahim Torba:

E nderuar zonja Ministre!

Ju realizuat një vizitë në Bazën Ajrore Kuçovë. Kjo është një ndër bazat e lavdishme të ushtrisë shqiptare. Në këtë bazë kanë kaluar, pa përjashtim, të gjithë pilotët shqiptarë ku, pasi janë aftësuar, janë nisur në fluturim për në bazat e tjera të Aviacionit Shqiptar. Baza Ajrore Kuçovë ka  dëshmorët e saj të përjetësuar në një memorial të vendosur në qendër të saj.

Unë kam 27 vite punë të pandërprerë në këtë bazë si oficer dhe si civil dhe jam krenar që kam kontribuar sadopak për këtë bazë.

Historia e Bazës Ajrore të Kuçovës është e shkruar me gjak, mund e sakrifica. Ajo nuk mund të zbehet kurrë nga askush.

Ju zonjë erdhët në Bazën e Kuçovës në një moment të vështirë për ‘të. Ju vizituat tunelin e avionëve në Kuçovë, por aty nuk patë avionë, por materiale të magazinuara dhe material për skrap. Ky tunel madhështor që tani është në ditët e tij më të zymta, në fund të vitit 2012 u hap dhe që aty u vodhën materiale ushtarake si: motorë avioni, krahë avioni dhe pjesë të tjera. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë, as në vitin 1997. Theksoj se, për motorët e vjedhur detyrimisht duhet të përdorej vinç. Kjo tregon se ishte një vjedhje e organizuar mirë.

Ju zonjë ndaluat dhe para hangarit, ku dikur montoheshin avionët pas riparimit në Uzinën e Aviacionit. Ju aty patë 3 avionë AN-2 të pastruar e të mirëmbajtur. Ju zonjë nuk e dini që këta avionë janë shitur që në dhjetor 2012 dhe më 28 dhjetor 2012 është bërë dorëzimi i tyre tek kompania private që i ka blerë. Ka më shumë se një vit që kjo hapësirë e Bazës Ajrore Kuçovë rri e bllokuar në kundërshtim me ligjin. Kjo është e paligjshme, edhe sikur kompania private të paguante qira e ta arkëtonte në arkën e repartit, sepse një hapësirë prej 1400 m2 nuk mund ta japë me qira një komandant reparti. Por asnjë lek nuk arkëtohet në arkën e repartit. A paguan dhe kë paguan ky subjekt privat për këtë nder që i bëhet?

Pak më poshtë këtij hangari ndodhet një hangar i papërfunduar, brenda, të cilit ndodhen disa avionë AN-2. Ju zonjë hodhët një shikim andej, por nuk e dinit se aty mungon një avion. Është nxjerrë nga reparti një avion AN-2 që ishte dhe aktualisht është në inventarin e repartit. Ky avion është nxjerrë në Nëntor 2012, është nxjerrë pa asnjë lloj dokumenti dhe i është dhënë një subjekti privat. Avioni është tjetërsuar: I është ndryshuar ngjyra, i është fshirë numri, nuk ka asnjë logo të Forcave Ajrore, madje, dhe flamuri është jashtë standardit  që përdoret në Forcat Ajrore. U fal apo u shit ky avion duhet pyetur ish-komandanti i Bazës Ajrore.

Këto që unë përmenda më lart kanë ndodhur kur komandanti i Bazës ka qenë kolonel Balil Hyseni (Shtator 2012- Maj 2013). Ky zotëri gjatë periudhës që ishte komandant baze, me sjelljet e tij jo si komandant,

por si pronar e njollosi emrin, nderin dhe lavdinë e kësaj baze. Ky zotëri u shkarkua nga detyra për të gjitha ato arsye që i përmban urdhri i shkarkimit. Sot ky nënkolonel është shef i Seksionit Ajror të Shkollës së Trupës, seksion i dislokuar në Kuçovë. Ky nënkolonel është unik në llojin e tij. Në rastin më të mirë njëherë në javë paraqitet në punë. Ai është oficer që punon part-time në ushtrinë shqiptare. Duke qenë se të tillë ka punën ai ka kohën e mjaftueshme për t’ u  marrë me ankesa, kërkesa për mëshirë dhe quravitje. Këtë ai nuk e bën për herë të parë.

Në vitin 2010 ky zotëri ishte zëvendës komandant i Bazës së Helikopterëve në Farkë. Gjatë zhvillimit të një stërvitje në bashkëpunim me forcat speciale, z.Balil drejtonte stërvitjen dhe në mungesë të komandantit, ishte fuqiplotë. Si rezultat i paaftësisë së tij drejtuese dhe organizative si dhe si rezultat i gjendjes së tij të dehur, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme, ku dy ushtarakë u aksidentuan dhe janë invalidë të përhershëm e jetojnë me pension  invaliditeti. Si person përgjegjës për këtë ngjarje, ndaj tij u mor masë. Zotit Balil i’u hoq një gradë, domethënë u degradua. Pas gjashtë muajsh ankesash, kërkesash për mëshirë, zotit Balil i’u rikthye grada.

Po të shkoja më tej do theksoja edhe një tjetër aksident që zoti Balil ka shkaktuar me mjetin e tij. Ai duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur ka aksidentuar për vdekje një njeri, një vajzë 18-vjeçare. Me ato marifetet e tij që përmenda më lart, zoti Balil e hodhi.

Tani ka ardhur momenti që ky njeri të përdorë edhe njëherë metodat e vjetra. Kësaj radhe ndihet i sigurt se ka edhe mbështetje më të madhe. Zoti Balil është ankuar tek ju se u shkarkua pa të drejtë nga detyra e komandantit. Inspektorët e Drejtorisë së Inspektimit të MM erdhën për të bërë verifikimet në Bazën e Kuçovës. Ndërsa, ata po bënin punën e tyre, z.Balil u shpreh se, këta bredhin kot, shef Nesheti e ka bërë raportin. Bëhej fjalë për z.Neshet Shenaj nga Tepelena, drejtor i Drejtorisë së Inspektimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Prandaj ndihej kaq i sigurt z.Balil nga Tepelena.

Ndërsa ka siguruar heqjen e njollës dhe meqë ka mbështetje të gjithanshme, z.Balil ka vendosur të merret dhe me kundërshtarët e tij. Për këtë të fundit mbështetja i vjen nga Policia Ushtarake. Unë nuk e di çfarë kontributi ka komandanti i Policisë Ushtarake kolonel  Xhevdet Zeneli nga Tepelena, por emrin e tij z. Balil e lakon në të gjitha rasat sa herë që i  jepet rasti. Mbështetësi më i flaktë i z.Balil në këtë përpjekje është shefi i krimeve i  Policisë Ushtarake z. Artan Meçaj nga Tepelena.

Po çfarë të të them unë për këtë lloj shefi? Një njeri vulgar, i cili gjuhën shqipe e flet me vetëm rreth 30 fjalë e nga këto 20 janë banale, njëri aspak inteligjent dhe ndihet nga larg që është pijanec. Ky njeri ka tetë vite në të njëjtën detyrë, shef i krimeve në Policinë Ushtarake. Ky njeri duhet hetuar për gjithë këtë periudhë kohe, për të gjitha ato që ka bërë e që nuk ka bërë. Para tre vjetësh në Kuçovë kanë ndodhur vjedhje të magazinave të lëndës së parë dhe ky shef krimesh as u pa dhe as u dëgjua gjëkundi. Është kujtuar tani pas

3 vjetësh t’i hapë ato dosje. Por, edhe ai vetë e di se çfarë mund të gjejë tani. Ai nuk bëhet  merak për këtë. Për atë është e rëndësishme të mbulojë diçka nga e kaluara, të duket aktiv para shefave të rinj, mundësisht të kapë dhe ndonjë armik, pak rëndësi ka i fajshëm apo i pafajshëm. Mundësisht ky “armiku” të jetë edhe kundërshtar i z. Balil. Për të realizuar penalizimin e kundërshtarëve të patriotit të tij, zoti Artan po përdor metoda shumë të pista: Ushtron  presion dhe premton favore për të siguruar dëshmi paçavure të turpshme.

Një nga kundërshtarët e z. Balil jam edhe unë dhe kjo dëshmohet qartë nga kjo letër që po shkruaj. Unë personalisht nuk bëhem merak shumë nga ato që po bëjnë këta shefa. Mua më njohin mirë në Kuçovë dhe në gjithë Forcat Ajrore se kush jam, si njëri dhe si profesionist. Mua nuk më njollos dot as i njollosuri Balil Hyseni dhe as njolla vetë Artan  Meçaj. Z. Artan Meçaj sillet si detektiv privat i z.Balil Hyseni. Për këtë ai paguhet nga shteti, vishet nga shteti, ushqehet nga shteti me makinën e shtetit dhe me dietat e shtetit bredh lart e poshtë, duke u marrë me veprimtari të paligjshme. Grupit të njerëzve që merren  me veprimtari të paligjshme u thonë bandë. I bie që anëtarët  e saj quhen banditë. Këta banditë me uniformë ushtarake kanë kryer një akt banditesk, të poshtër dhe primitiv ndaj  meje.

Meqë procesit të heqjes së ‘njollës’ të z.Balil i nevojitej qetësi dhe prishjen e saj e rrezikoja unë, në datën  02.12.2013 në Rinas, pranë aeroportit, dy persona kanë ushtruar dhunë fizike ndaj meje më dhanë një mesazh: Mbylle gojën! Si dhe më kujtuan që kam dhe fëmijë.

Zonja ministre!

Kam një jetë të tërë që punoj në Forcat Ajrore, punoj me ndershmëri e përkushtim, jam babai i tre fëmijëve dhe që bëj aq shumë përpjekje për t’i rritur dhe edukuar, jam 49 vjeç  dhe papritur u gjenda nën goditjet e kafshëve të dërguar nga banditët me uniformë ushtarake. Si mund të jenë ndjerë pas kësaj që bënë? Të kënaqur?!

Zonja ministre!

Këta janë njerëzit që ankohen e quraviten se i’u  është bërë padrejtësi.

Këta janë disa nga njerëzit me të cilët punoni ju dhe ne.

Këta janë njerëzit që shteti ynë i paguan, i vesh, i ushqen, u jep makina dhe dieta.

Këta janë banditë me uniformë ushtarake.

Këta mund t’i shohim ndonjë ditë edhe me ndonjë uniformë tjetër, ndoshta si babagjysha duke vjedhur dyqane.

Mendo këta njerëz kur të përmendësh shprehje si: Figura e  ushtarakut, Shqipëria në NATO, Kodi i etikës etj..

Këta njerëz janë turpi i ushtrisë!!

Ibrahim Torba

Major (R)

Aktualisht, Administrator i WAN-LAN në Bazën Ajrore të Kuçovës

 Shënim i redaksisë: Në përmbushje të misionit të medies për paanshmëri në informim, gazeta është e hapur për reagimin e palës së akuzuar në këtë letër të Major (R) Ibrahim Torba

DENONCIMET SIPAS KOLONELIT(r) TË BAZËS SË KUÇOVËS, IBRAHIM TORBA

 -Në tunelin e avionëve, në fund të vitit 2012 u hap dhe që aty u vodhën materiale ushtarake si motorë avioni, krahë avioni dhe pjesë të tjera. Theksoj se për motorët e vjedhur detyrimisht duhet të përdorej vinç.

-Nga hangari i papërfunduar, brenda, të cilit ndodhen disa avionë AN-2, mungon një avion. Ai(Avioni AN-2) është nxjerrë nga reparti në nëntor 2012 pa asnjë lloj dokumenti, ndonëse është në inventarin e repartit, dhe i është dhënë një subjekti privat

-Këto që unë përmend kanë ndodhur kur komandanti i Bazës ka qenë kolonel Balil Hyseni (Shtator 2012- Maj 2013).

-Më datë 02.12.2013 në Rinas, pranë aeroportit, dy persona kanë ushtruar dhunë fizike ndaj meje e më dhanë një mesazh: Mbylle gojën! Se ke dhe fëmijë!