Denigrimi i historisë në 100-vjetorin e Pavarësisë

486
Sigal

NISMA/ Si po denigrohet Lufta Antifashiste dhe dëshmorët e saj në emër të rishikimit të historisë

Rishikimi dhe rishkrimi i historisë ka qenë një nga temat më të lakuara kohët e fundit. Vetë Kryeministri i vendit ka hedhur dhe mbrojtur idenë e rishkruarjes me vërtetësi të historisë, emra, ngjarje dhe dokumente të së cilës janë falsifikuar ose lënë në harresë për arsye politike etj.. Nisma duket vërtetë fisnike, pasi dihet që historia nuk është dhënë asnjëherë e plotë dhe pasurimi i saj është domosdoshmëri. Mirëpo, duke u nisur nga një sërë faktesh, bindesh se kemi të bëjmë me një ripolitizim të historisë, madje dhe me përmbysje të saj. Fjala vjen, shkak për këtë shkrim u bë njoftimi për një mbledhje të Këshillit Bashkiak të qarkut të Elbasanit, ku do të votohet për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe shesheve. Që në krye të bie në sy ndryshimi i emrit të bulevardit kryesor, i cili deri më tani ka mbajtur emrin e “Heroit të Popullit” Qemal Stafa, për t’u zëvendësuar me atë të Aqif Pashë Elbasanit. Nuk duam as t’ia ulim e as ta ngremë meritat as njërit dhe as tjetrit prej këtyre figurave të shquara të historisë sonë, mirëpo kur përmendet emri i Qemal Stafës, fillojnë dyshimet. Sepse më përpara, rreth një vit më parë, u hodh ideja e ndërtimit të një stadiumi të ri futbolli, në vend të atij që kemi sot me emrin e Qemal Stafës. Më tej u hoqën nga qendra e Shkodrës, 5 “Heronjtë e Vigut”, për t’u degdisur në vendin ku hidhen plehrat e qytetit. Më tej, kemi zëvendësimin në Tiranë të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” me emrin e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova… Duke i kujtuar të gjitha këto akte duket, sikur kemi të bëjmë me një ofensivë ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçilirimtare të popullit shqiptar dhe të heronjve që e bënë atë luftë. Pavarësisht nga denigrimet që i bëhen asaj lufte, ajo mbetet një faqe e ndritur e historisë sonë moderne, për faktin e thjeshtë se ishte ajo luftë dhe gjaku i bijve të këtij populli që e radhitën Shqipërinë në krahun e aleatëve të mëdhenj fitimtarë të asaj lufte: Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe Anglisë. Atëherë, sit a quajmë denigrimin e kësaj lufte që po bëhet aktualisht në 100-vjetorin e Pavarësisë: histori apo anti-histori? Më tej, vetë Kryeministri Berisha është kontestuar në qëndrimet dhe vendimet e tij gjatë kësaj periudhe, sidomos për mbivlerësimet që i ka bërë figurës së ish-mbretit Ahmet Zogu. Kundërshtimi për këtë ka ardhur nga historianët të cilët kanë kundërshtuar tezën e Kryeministrit se Ahmet Zogu është një nga burrat më të mëdhenj të këtij kombi, më i madh se Ismail Qemali! Sipas tyre, ky është një qëndrim subjektiv dhe denigrues për patriotët e vërtetë të këtij vendi. Sepse nuk mund të vihet në një balancë ish mbreti me luftëtarë të tillë të mëdhenj si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Avni Rustemi e të tjerë. Ndërkohë ish-Mbretit i përmendin shitjen e Shën Naumit dhe Vermoshit serbëve, grabitjen e floririt dhe arratisjen nga vendi në ditën e pushtimit fashist. Ndaj dhe me të drejtë njerëzit thonë se kjo është përmbysje e historisë dhe jo rishikim dhe rishkrim i saj. Në fillim të shtatorit populli i Skraparit festoi me krenari të veçantë 70-vjetorin e çlirimit. I deleguari kryesor në festë ishte biri i Skraparit, Ilir Meta, aleati kryesor në qeverinë aktuale. Dhe zotiMetanë atë festë foli për shumë gjëra por “harroi” heroin më të dashur të skraparllinjve, Riza Cerova, i cili është vrarë pikërisht nga Ahmet Zogu. Si mund ta durojnë skraparllinjtë një “harresë” të tillë dhe të brohorasin për vrasësin e heroi të tyre? Pak ditë më parë Kryeministri Berisha ishte në Kosovë për përurimin e një shtatoreje për Isa Boletinin, krahu u djathtë i Ismail Qemalit në aktin e ngritjes së Flamurit më 1912. Mirëpo vetë Isa Boletini do të skuqej e do të kundërshtonte ngritjen e monumentit po të dëgjonte fjalimin e Kryeministrit tonë që harron apo nuk guxon të përmendë emrin e Ismail Qemalit. Si mund ta duronte legjendari Isë një fyerje të tillë? Por ka edhe mbrapshti të tjera.Paradisa ditësh një segmenti rruge në kryeqytet iu vu emri i heroit kombëtar hungarez, Janosh Huniadit, bashkëkohës dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut. Duhet nderuar heroi i hungarezëve, por pse t’i hiqet emri i Vaso Pashës nga ajo rrugë? E, është Vaso Pasha ai që ka shkruar vargun lapidar: “Feja e shqiptaria është Shqiptaria!”. Pse të mos vendosej emri i Hunaidit, fjala vjen në ndonjë rrugë të Krujës apo Beratit, qytetet me të cilat lidhet historia e Skënderbeut? Ja, kështu po shkojmë drejt 100-vjetorit, kur edhe pak më shumë se një muaj na ndajnë nga data e madhe. Duke i bashkuar këto ngjarje, fakte dhe sjellje, bindesh se nuk kemi të bëjmë me rishikim të historisë, por me shtrembërim, denigrim dhe përmbysje të saj!

Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste: “Ky është revanshizëm kundër historisë”

Në një prononcim për “Telegraf”, Kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit shqiptar, Rustem Peçi tha se, ky nuk është rishikim i historisë, por një sulm i organizuar që po bëhet për të denigruar dhe fshirë nga faqja e historisë sonë Luftën Antifashiste. Ky është një krim, është një revanshizëm i kulluar që po bëhet ndaj historisë. Ne si Komitet i Veteranëve i kemi denoncuar dhe i kemi dënuar me indinjatë sulmet që po bëhen ndaj Luftës dhe gjakut të dëshmorëve. Ajo Luftë e madhe, pavarësisht nga sulmet që po i bëhen sot, do të mbetet ndër faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare të të gjitha kohërave. Sepse po t ë mos ishte ajo Luftë, ne nuk do të radhiteshim në krahun e fitimtarëve të asaj lufte mbi murtajën fashiste, por në krahun e humbësve. Dhe, le ta dinë të gjithë, nëse nuk e kanë kuptuar ende, se pot ë mos ishte ajo Luftë, ne nuk kishim për të festuar këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare. Por ne si Komitet i Veteranëve na çudit dhe na revolton fakti që ofensiva kundër Luftës sonë antifashiste dhe dëshmorëve të saj është në sinkron të plotë me ofensivat serbe dhe greke kundër kombit shqiptar dhe historisë sonë. Prandaj ne, në vazhdim të qëndrimit që kemi mbajtur kur janë ndryshuar emrat e rrugëve që mbajnë emrat e dëshmorëve të Luftës, po kështu dënojmë edhe aktin e fundit që po përgatit Këshilli Bashkiak I Elbasanit. Sepse pushteti vendor sot nuk bën dot asgjë po nuk mori leje nga qeveria e madhe në Tiranë.