Denar Biba ka konsumuar vepër penale/ Penalisti Kujtim Cakrani argumenton, se Biba me shantazhin ndaj gjyqtrarit në Gjykatën e Strasburgut e ka humbur edhe besueshmërinë e tij si nënkryetar i KQZ. Si militant, ai nuk është garanti për zgjedhje të lira dhe të ndershme

509
Sigal

Kujtim Cakrani, penalist

Denar Biba e ka humbur besueshmërinë për të qenë në postin që mban, atë të Nënkryetarit të KQZ, si mund të besojnë qytetarët tek ai votën e tyre, si mund të besojnë partitë politike tek paanshmëria e tij, pra qenia e tij në krye të KQZ-së nuk është më, një garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme

 

Denar Biba ka konsumuar veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike

 

Para disa muajsh u publikua një audio-përgjim, ku Kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike, Denar Biba ushtroi shantazh ndaj përfaqësuesit të Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut. Mirëpo, Prokuroria e Tiranës, pasi bëri hetime të sipërfaqshme, madje kur Denar Biba mbante postin e nënkryetarit të KQZ-së, kërkoi që çështja të pushohej dhe gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës e pushoi çështjen. Tani, kur Shqipëria do të shkojë në zgjedhjet vendore, sa besueshmëri ka KQZ-ja për të monitoruar procesin zgjedhor, kur nënkryetari i saj është Denar Biba, i cili, jo thjesht u perceptua, si shantazhues ndaj gjyqtarit të Strasburgut, por, penalisti Kujtim Cakrani, në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon se Denar Biba e ka kryer veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Kjo vepër penale e parashikuar nga neni 245 i kodit penal. Penalisti Kujtim Cakrani arrin edhe në konkluzionin: KQZ-së nuk është me një garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, derisa në krye të saj është Denar Biba,

-Av. Cakrani, kur është ushtrimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike?

Me çfarë dëgjuam në audio-përgjimin, midis Kryetarit të Komisionit të Prokurimeve Publike Denar Biba dhe përfaqësuesit të Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut, Ledio Bianku, Denar Biba ka konsumuar veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Kjo vepër penale e parashikuar nga neni 245 i kodit penal, që thotë se: “ Premtimi, propozimi,dhënia,drejtpërdrejtë ose tërthorazi,i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtroj ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga persona që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara…” pra vepra penale quhet e kryer, edhe sikur ajo të mos ketë thënë pasoja, duke nënkuptuar se, mjafton ndërhyrja, apo ndikimi tek funksionari publik. Në rastin konkret, kur D. Biba ka telefonuar apo ka kryer bisedën telefonike me gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut, duke i kërkuar këtij favorin me qëllim që ky të ndërhyj apo ndikoj tek kolegët e tij, me qëllim pezullimin e shqyrtimit të dosjeve të pronarëve shqiptarë! ky veprim sipas kodit penal edhe pse ndoshta nuk ka sjell pasoja por, sipas dispozitës e cila thotë se: edhe pse kërkesa apo veprimi nuk është kryer ajo merret e mirëqenë si e kryer, dhe si rrjedhojë, është e parashikuar një burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.

– Nga ajo që çfarë dëgjohet në video, Denar Biba, ka ushtruar shantazh ndaj gjyqtarit?

Mesa kemi dëgjuar, nga sa është bërë publike në një video-përgjim, kuptohet dhe dëgjohet qartë që Z. Biba në emër të këshilltarit të kryeministrit Z. Engjëll Agasi i kërkoi gjyqtarit të ndërhyjë apo ndikojë pranë kolegëve të tij gjyqtarë të Gjykatës të Drejtave të Njeriut të Strasburgut për pezullimin dhe mos shqyrtimin e dosjeve të pronarëve legjitimë shqiptarë që ndodhen pranë kësaj gjykate! Kjo bisedë është dëgjuar qartë dhe pa asnjë nënkuptim, madje këtë bisedë vetë Z. Biba ka përdorur edhe emrin e Këshilltarit të Kryeministrit Z. Engjëll Agasi! Vetë zoti Biba nuk e ka mohuar këtë bisedë, ai është justifikuar me faktin se ishte një konversacion ndërmjet dy miqve dhe i përcolli atij edhe përshëndetjet e Z. Agasi, por mohon t’i ketë kërkuar gjyqtarit të ndikojë tek kolegët e tij për çështjen e pezullimit të shqyrtimit të dosjeve të pronarëve shqiptarë. Ky pretendim i tij nuk qëndron, sepse në video u dëgjua qartë që ky kishte marrë përsipër të fliste me gjyqtarin për t’i kërkuar atij ndikimin tek kolegët. Prandaj hetimet duhet të ishin shtrirë me tej nga organi i akuzës me qëllim të merrte në pyetje të gjithë personat që kishin dijeni, madje edhe vet kryeministrin e Shqipërisë, pasi të gjithë jetojmë në këtë vend dhe të gjithë e dimë që pa lejen e kryeministrit nuk bëhet asgjë.

-Prokuroria dhe gjykata a duhet të publikonin ekspertizën e audio-përgjimit mbi të cilin e bazoi vendimin e pushimit të çështjes?

Nëse prokuroria ka vendosur pushimin e procedimit penal, dhe nuk ka kryer hetimet, duke mos pyetur të gjithë personat që kanë dijeni, si vetë gjyqtarin, shantazhuesin, Denar Biba, Engjëll Agasin, kryeministrin e vendit Z. Edi Rama, Avokaten e Shtetit, madje për një hetim të thelluar ku të zbardhte këtë çështje duhet që prokurorët të kishin shkuar dhe të pyesnin edhe gjyqtarët e Gjykatës Evropiane të Strasburgut, me qëllim të konstatonin, nëse Gjyqtari nga Shqipëria, pjesë e trupës gjyqësore kishte ndërhyrë tek kolegët e tij, pranë kësaj gjykate sipas kërkesës së zotit Denar Biba! Pra, pa kryer të gjitha verifikimet dhe sqarimin e videos nuk duhej që prokuroria ta pushonte këtë çështje. Gjithashtu, edhe gjykata nuk duhet të merrte një vendim të nxituar të pranonte kërkesën e prokurorisë për pushimin e saj, gjykata duhet t’ia kthente aktet organit të akuzës dhe t’i linte detyrat përkatëse që konsiston, në pyetjen e të gjithë personave të përfshirë dhe ata që kanë dijeni, që nënkupton të gjithë ata persona që kishin menduar të kryenin këtë veprim dhe që kishin ngarkuar Denar Bibën të kontaktonte gjyqtarin. S’ka rëndësi fakti që e ka shantazhuar apo jo, mjafton fakti që ky e ka kontaktuar atë dhe i ka kërkuar të ndërhyjë te kolegët e tij. Pra, që në këtë moment vepra penale quhet e kryer, pasi neni 245/a i kodit penal, ana objektive vepër penale quhet e kryer edhe kur shprehet nëpërmjet kërkimit, propozimit etj. Pra, në rastin konkret favori është kërkuar, nëse nuk është realizuar kjo, nuk nënkupton që nuk është konsumuar, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm është kryer nga zoti Denar Biba. Nga pikëpamja penale ky veprim është shumë i rëndë! Jo pse Denar Biba ka shantazhuar apo ka kërkuar një favor, por të mendosh faktin që qeveria shqiptare në mënyrën më kriminale përdor gjithë makinerinë e saj shtetërore shantazhuese, korruptive vetëm dhe vetëm të pengojë proceset gjyqësore për shqyrtimin e çështjeve të pronarëve të ligjshëm shqiptarë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, mjaftonte vetëm ky fakt që organi i akuzës të hetonte gjithë personat që kanë menduar këtë plan kriminal. Nëse organi i akuzës dhe gjykata do ta shikonin këtë çështje me një këndvështrim tjetër dhe të thellonin hetimet duke i shtrirë ato tek të gjithë personat që kishin dijeni do të zbulonte një grup të strukturuar kriminal.

Biba, ka më besueshmëri të jetë në krye të një institucioni kushtetues që mbikëqyr procesin zgjedhor, ka më besueshmëri, derisa ka kryer veprën penale të shantazhit ndaj gjyqtarit të Strasburgut?

Rasti i Zotit Biba është shumë i dyshimtë! Fakti që ky u hetua, por gjatë hetimit nuk u largua nga posti i nënkryetarit të KQZ-së, ka qenë i menduar mirë prej tij, sepse, duke qenë në detyrën e lartë të institucionit Kushtetues, ka ndikuar në hetimin dhe vendimin përfundimtar të prokurorisë dhe më pas të gjykatës. Denar Biba e ka humbur besueshmërinë për të qenë në postin që mban, atë të Nënkryetarit të KQZ. Si mund të besojnë qytetarët tek ai votën e tyre, si mund të besojnë partitë politike tek paanshmëria e tij?! Pra, qenia e tij në krye të KQZ-së nuk është me një garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.