Dëmshpërblimi, Halimi: “Ish-të burgosurit kanë marrë këstin e parë, tani po marrin të dytin”

442
Sigal

 Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore ashtu siç kishte paralajmëruar një ditë më parë thirri dje në një seancë dëgjimore ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, për të raportuar lidhur me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Ministri Halimi deklaroi se ligji për dëmshpërblimin është miratuar në vitin 2007, ndërkohë që janë depozituar mbi 20 mijë kërkesa për dëmshpërblim dhe ka përfunduar procesi për mbi 11 mijë prej tyre. Halimi theksoi se, është shpërndarë kësti i parë për të gjithë ish-të burgosurit politikë, ndërkohë që ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për ata që janë mbi 65- vjeç. “Nga 20 589 kërkesa të cilat janë depozituar në Ministrinë e Drejtësisë, ka përfunduar procesi për 11 759 kërkesa, të cilat kanë patur të bëjnë me pjesën që janë dënuar me burgim dhe me pjesën e të pushkatuarve pa gjyq. Pra për 11 759 janë zbatuar vendimet e qeverisë për dëmshpërblimet. Të gjithë këta persona kanë marrë këstin e parë dhe sipas informacioneve që më vijnë edhe nga Ministria e Financave të gjithë këta persona kanë marrë këstin e parë dhe ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për ata që janë mbi 65-vjeç. Ka përfunduar edhe faza e dytë për ata që janë mbi 65-vjec, dhe ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për pjesën tjetër, por tashmë sipas rendit kronologjik të miratimit të kërkesave të tyre”, deklaroi Halimi. Opozita nuk i ka drejtuar ministrit asnjë pyetje mbi dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve duke preferuar të flasë jashtë komisionit. “Nuk bëmë asnjë pyetje pasi ne nuk jemi përfaqësuesit e grevës së urisë, dhe aq më tepër të marrin përsipër dhe të flasim në emër të kërkesave që ata kanë. Sot u përpoqëm të nxisim përfaqësuesit e institucioneve qeveritare të flsinin, përveç deklamacioneve se nuk është vendi për të bërë komente. Dëgjova një përshkrim të shkurtër nga ana e ministrit të Drejtësisë, statistikë përgjithësisht. I takon ish-të përndjekurve tani të bëjnë komentet e tyre”, deklaroi deputeti socialist Pandeli Majko. Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore thirri ministrin e Drejtësisë në dëgjesë pas kërkesës së deputetëve të Partisë Socialiste.