Demokracia e sotme si diktatura e djeshme

499
Sigal

Grupet kryesore të shoqërisë shqiptare janë të papërfaqësuar në Parlamentin e ardhshëm,

Politika shqiptare ka kohë që tallet me të gjithë, por në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, gënjeshtrat e partiakëve bien në sy më shumë. Deri tani të dy partitë kryesore kanë folur për një përfaqësim dinjitoz të Kuvendit të ardhshëm, ku ata sipas premtimeve do të përfshinin më shumë, ish-ushtarakë, më shumë gra, ish të përndjekur politikë, pronarë dhe ish-pronarë, të rinj nga forumet rinore dhe shoqëria civile, etj. Ndërsa emigrantëve tanë në të gjitha vendet e botës, politikanët e majtë e të djathtë i kanë premtuar se do të mundësojnë votimin e tyre në vendet ku punojnë. Por kjo, siç e shohim deri tani, ka mbetur pjesë e demagogjisë. Ndërsa për të rinjtë, keqardhja dhe dëshpërimi shtohen, sepse ata nuk kanë asnjë park lodrash, apo fushë sportive, asnjë aktivitet kulturor apo argëtues, por vetëm salla bixhozi, bingo, ruleta, lojëra fati dhe loto. Ndërkohë, që pjesë e talljes ishte edhe fakti që u fol disa herë për uljen e moshës së votuesve, deri në 16 vjeç.

Ish të përndjekurit

PD dhe PS kanë afruar në koalicionet e tyre kontigjente të partive të ndryshme që kanë dalë nga radhët e ish të përndjekurve politikë. Kështu që Kurt Kola militon në koalicionin e Majtë, ndërsa një grup partish të tjera janë inkuadruar me të djathtën. Në fillim u fol se Parlamenti i ri do të përfaqësohet edhe nga shtresa e ish të përndjekurve politikë, por kjo gjë nuk u mundësua asnjëherë. Kjo tregon  që partitë politike i duan ish të përndjekurit vetëm për vota dhe jo për mandate. Sepse në listat aktuale nuk ka asnjë emër, si përfaqësues të tyre. Dhe duket se liderët partiakë pasi e kanë mbajtur këtë shtresë me premtime për një kohë të gjatë, më në fund janë tërhequr prej premtimit për kandidim, duke i afruar premtimin tjetër fals për përfaqësim në qeverisje. Por kjo është një gënjeshtër akoma më e trashë se e para të cilën nuk e beson askush. Në lidhje me këtë problem ne iu drejtuam kreut të tyre, zotit Adem Allçi.

Adem Allçi:

Në përgjithësi politika deklaron se shtresa jonë e ish të përndjekurve politikë do të shihet me vëmendjen që meriton, por në fakt ne jemi gjithmonë në pritje të zgjidhjes së problemeve tona. Kështu u shpreh dje, kreu i ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë, Adem Allçi i cili gjatë jetës së tij është dënuar nga diktatura më dënimin më të ashpër të asaj kohe siç ishte dënimi me vdekje dhe me burg të përjetshëm. Në këtë kuadër, Allçi tha se politikanët e majtë po manipulojnë shtresën e ish të përndjekurve me premtime të kota, në një kohë kur etërit e tyre kanë qenë shkaktarët kryesor të burgosjes së fjalës së lirë. Ndërsa për politikën e djathtë ai u shpreh se “unë e kam than hapur mendimin tim, sa herë që mund të kem konstatuar ndonjë gabim nga e djathta”. Ndërsa lidhur me mospërfaqësimin e shtresës së  ish të përndjekurve politikë nëpër listat e kandidatëve, Allçi tha: Më thoni ju lutem, cili individ duhet të vinin në listën e kandidatëve kur një pjesë e tyre kanë shkuar me Partinë Socialiste?

Ish-pronarët

Politikanët shqiptarë vazhdojnë të tallen akoma edhe me pronarët. Pasi i kanë lodhur ata nëpër mitingje mbështetëse për partitë e ndryshme, më në fund gjatë këtij legjislacioni të ardhshëm u kanë premtuar atyre përfaqësim në Kuvend. Por asnjë prej tyre nuk figuron në listat e kandidatëve partiakë, me përjashtim të disa partive të vogla të cilat nuk sigurojnë as 2-3 mijë vota. Pra shifra të vogla e të pallogaritshme për ta. Me pronarët ka 23 vjet që po luhet një komedi e madhe, ku aktualisht, ata po presin dita ditës rrëzimin e ligjit 7501, e cila është ende në fuqi. Në fakt ky ligj nuk jep të drejtën e pronësisë, por të drejtën e përdorimit mbi pronën  e cila duhet të jetë me afate të limituara. Nga ana tjetër, pronarët po i drejtohen gjykatave ndërkombëtare ku kanë fituar të drejtën e pronës ose të kompensimit, e cila akoma nuk po merret parasysh nga gjykatat tona.

Rrabo Danushi: Tallja me pronarët

Politikanëve shqiptarë në lidhje me pronarët tani i ka ngecur veza kryq dhe po shkon në ngordhje”. Këtë deklaratë ka bërë dje, për gazetën “Telegraf”, themeluesi i njërës prej shoqatave më të mëdha të pronarëve, Rrapo Danushi. Në këtë kuptim, Danushi shtoi se ”politika po tallet me hallet e pronarëve gjoja duke i premtuar për kandidime nëpër lista, por duke i lënë ata prapa liste. Ose edhe kur ndonjërin prej pronareve e vënë në listë, përsëri atë e vënë në zonat jashtë sigurisë”, vuri në dukje ai. Por sipas tij, pronarët asnjëherë nuk i kanë besuar asnjë politikani shqiptar, pavarësisht se në fillimet e veta, kjo shoqatë mbështeti Partinë Republikane. Por tani e ka humbur besimin dhe kërkon nga ana e ndërkombëtarëve ndihmë për rikthimin dhe kompensimin e pronave. Më tej ai tha se: “Letra e nisur nga ana e pronarëve ka shkuar në duart e 54 ligjvënësve të rëndësishëm të botës, të cilët e kanë quajtur të drejtë kërkesën e tyre”.

Ndërsa kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Gëzim Boçari u shpreh: “Mos respektimi i të drejtës së pronës është strumbullari që prej 22 vjetësh politika antipronar po shkatërron themelet e Shqipërisë dhe po kultivon antivlerat. Nëse kryetari i mazhorancës dhe ai i opozitës nuk angazhohen sinqerisht që të kthehet prona tek i zoti, nuk realizohet  demokracia e modeleve perëndimore, demokracia sabotohet dhe kjo strategji e kthen Shqipërinë në shprehje gjeografike. Legjislacioni aktual për pjesën që bie ndesh me nenin 181 të Kushtetutës i ngjan ligjeve me të cilat një shekull më parë Serbia kolonizoi Kosovën. Me këto ligje Kuvendi i Shqipërisë pronarët autoktonë po i bën refugjatë në atdheun e tyre dhe shqiptarët lejohen të pushtojnë pronat e njeri-tjetrit. Në të mirë të ardhmërisë së vendit, kjo duhet të ndalet sa më parë”.

 Tallja me ish-ushtarakët

Ndërsa me ish-ushtarakët loja politike po vazhdon me të njëjtin refren dhe tekst. Sepse në prag të fushatave atyre u premtohet përfaqësimi në listat zgjedhore dhe në fund, emrat e tyre zëvendësohen nga armiqtë e kryetarëve ose nga partiakë të tjerë. Edhe kur diku vendoset ndonjë emër për ish-ushtarakët, ai gjendet gjithmonë në fund të listës për të justifikuar mashtrimin. Në këtë mënyrë, ish ushtarakët vazhdojnë të mbeten të papërfaqësuar jo vetëm në Kuvend, por edhe në strukturat e ulëta partiake. Kur kujtohen ndonjëherë, liderët sidomos ai i PS-së, kujtohet dhe mbledh ndonjë grup ushtarakësh për të siguruar mbështetjen e tyre për votën. Por ky “unitet” vazhdon deri në mbyllje të zgjedhjeve dhe pastaj interesat e ish-ushtarakëve harrohen prapë. Në lidhje më këtë argument për të sqaruar më tej çështjen ne i kërkuam një mendim, kolonelit në rezervë, Pëllumb Zaimit.

Pëllumb Zaimi

Këto janë dy parti fantazma që po vazhdojnë të gënjejnë dita – ditës pjesën e elektoratit të ushtarakëve duke i premtuar, trajtim financiar të mirë dhe pensione me standardet e NATO-s”. Në këtë mënyrë e nisi deklarimin e tij, për gazetën Telegraf, koloneli në rezervë,  Pëllumb Zaimi, i cili derdhi epitetet më të rënda në adresë të dy partive të mëdha. Ndër të tjera ai tha se: PS dhe PD kujtojnë se po mashtrojnë ish-ushtarakët tanë me anë të lëmoshave apo premtimeve, por në fakt asnjeri prej nesh nuk ka rënë pre e gënjeshtrave të dy partive të mëdha. “Ne nuk besojmë më as Berishën dhe as Ramën, sepse ata të dy, bashkë me drejtues të tjerë kanë 23 vjet që po tallen me ish-ushtarakët. Më poshtë ai bëri thirrje për një protestë të madhe të ish-ushtarakëve kundër premtimeve elektorale të dy partive të mëdha: Mos u merrni më me këto dy koalicione, se kush bashkohet me krundet e hanë pulat”, vuri në dukje Zaimi.

Gratë, emigrantët të rinjtë

Ndërsa për gratë u vu klauzola detyruese për përfaqësimin e tyre në masën 30 për qind. Por kjo rezultoi si shaka politike, sepse në sallën parlamentare numri i tyre është i pakonsiderushëm. Këtu loja bëhet nëpërmjet listave paraprake të kandidatëve, ku emrat e grave vendosen pas vijës së sigurisë. Po kështu edhe për të rinjtë, për të cilët jo vetëm që nuk bëhet fjalë për përfaqësim, por as për të rregulluar për ta ndonjë mjedis argëtues. Dhe në fund duke folur për emigrantët, duket se politika po tallet me veten. Sepse liderët tanë bëjnë disa udhëtime në vit, në vende të ndryshme të botës duke i premtuar emigrantëve se do t’u çojnë atje kutitë e votimit, por në fund kjo rezulton një gënjeshtër.