Dëmi ekonomik prej 59 mln lekësh, KLSH kallëzon në prokurori kryetarin e bashkisë Kukës

515
Dëmi ekonomik i shkaktuar nga shkeljet dhe abuzimet me detyrën arrin në 59 milionë lekë. Shpenzime jo në përputhje me administrimin e fondeve publike me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë në vlerën 65 milionë lekë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 774/1, datë 17.07.2017, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Kukës, për periudhën 01.01.2015 deri më 30.06.2017, me objekt: “Vlerësimi i përputhshmërisë mbi shkallën e zbatimit nga subjekti i audituar i ligjeve, rregulloreve dhe politikave të vendosura”.
Me Vendimin nr. 216, datë 31.12.2017 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit të ushtruar në Bashkinë Kukës dhe me shkresën nr. 774/18, datë 31.12.2018, i janë përcjellë këtij institucioni rekomandimet përkatëse me karakter organizativ, në lidhje me eliminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet, kryesisht në fushën e tatim taksave, në vlerën 32 milionë lekë; rekomandime për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale prej 59 milionë lekë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive administrative në lidhje me kryerjen e shpenzimeve me efekt negativ në administrimin dhe menaxhimin me ekonomicitet, efiçiencë dhe efektivitet të fondeve publike (3-E-të) në vlerën 65.1 milionë lekë.
Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish në zbatimin e dispozitave përkatëse ligjore e nënligjore në fushën e prokurimeve, sidomos përsa i përket përzgjedhjes së procedurave të prokurimit; përllogaritjes së sasisë së punimeve; hartimit të kritereve për pjesëmarrje në procedurat e prokurimit; vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë konkurrues; si dhe mosrespektim dhe moszbatim të kushteve të kontratës së nënshkruar midis palëve.
Më konkretisht, nga auditimi i tetë procedurave të prokurimit: (1) Shërbimi mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve, (2) Rikonstruksion i qendrës sociale-Kukës, (3) Mirëmbajtje dhe pastrim i rrugëve nga dëbora, (4) Mirëmbajtje e rrjetit rrugor rural të Bashkisë Kukës, (5) Sistemim i Qendrës së fshatit Orgjost, (6) Rikonstruksion i rrugës Myç-Mëmëz-Vend depozitimi i mbetjeve + ndërtimi i rrethimit të jashtëm të vend depozitimit – Viti 2016, (7) Mirëmbajtje e rrjetit rrugor rural të Bashkisë Kukës, (8) Mirëmbajtje dhe pastrim i rrugëve nga dëbora, kanë rezultuar shkeljet si më poshtë:
 Janë lidhur kontrata duke përdorur procedurën e prokurimit “Negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, në kushtet kur nuk administrohet asnjë dokumentacion teknik dhe ligjor mbi përdorimin e procedurës, si dhe pa negociuar ofertën e paraqitur, për të cilën është lidhur edhe kontrata shtesë.
 Janë nënshkruar shtesa kontrate pa disponuar dokumentacionin bazë të kontratës fillestare, pa asnjë preventiv të zërave të punimeve shtesë, si dhe pa asnjë argument apo relacion teknik mbi domosdoshmërinë e kryerjes edhe të zërave për punime shtesë, madje në disa raste për zëra punimesh të cilat nuk ekzistojnë.
 Janë vlerësuar dhe shpallur si fitues OE pa provuar nëse kandidatët ofertues me të cilët janë nënshkruar kontratat shtesë plotësojnë minimalisht kërkesat e LPP. 
 Janë nënshkruar shtesa kontrate për zëra punimesh të ndryshëm nga preventivi bazë, zëra në preventivin shtesë, si dhe volume të cilat nuk përputhen me librezën e masave.
 Janë prokuruar për të investuar në një objekt me gati të njëjtat zëra punimesh, të cilat kanë qenë parashikuar që në investimin e parë të kryer nga ish-Komuna Kolsh, kur investimi i parë rezulton brenda periudhës së garancisë 2 vjeçare, duke mos kërkuar nga sipërmarrësi i punimeve korrigjimin e defekteve.
 Janë kryer pagesa për “shërbimin e mirëmbajtjes dimërore” të 17 akseve rrugore në muajt Korrik dhe Gusht.
 Janë favorizuar sipërmarrësit e kontratave të shërbimit të mirëmbajtjes së rrugëve, nëpërmjet likuidimit të volumeve të punës dhe shërbimeve të pa kryera në fakt, si dhe të pa monitoruara e pa kontrolluara mbi cilësinë e punimeve dhe dëmtimeve në rrugë.
Të gjitha veprimet dhe mosveprimet e mësipërme janë kryer në kundërshtim me përcaktimet ligjore e nënligjore të bëra në Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për Rregullat e Prokurimit Publik” dhe Ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin e disiplinimin e punimeve në ndërtim”, të ndryshuar.
Në lidhje me shkeljet e sipërcituara, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, kallëzimin penal nr. 774/19, datë 31.12.2017, ndaj z. B.SH. me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe Titullar i Autoritetit Kontraktor me akuzën e konsumimit të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke e orientuar organin e Prokurorisë që të shtrijë hetimet edhe drejt saktësimit të përgjegjësisë penale të një sërë nëpunësve dhe ish-nëpunësve të tjerë të këtij institucioni të konstatuar me shkelje në Raportin Përfundimtar të Auditimit të KLSH-së.
KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës, i ka rekomanduar Bashkisë Kukës masa me karakter organizativ në lidhje me eliminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhetin e institucionit, kryesisht në administrimin e tatimeve dhe taksave, në vlerën 32 milionë lekë.
Shënim: Vendimi i Kryetarit të KLSH-së nr.216, datë 31.12.2017 si dhe Raporti Përfundimtar i Auditimit mund të gjenden të publikuara në faqen web të KLSH-së.
Sigal