Demagogjia dhe arroganca që po e çon vendin në destabilizim

126

Analizë nga Agim Nesho/ Kjo qeveri duhej dorëhequr që në pranverën e 2018-s, kur pas pesë viteve në qeverisje nuk arriti të siguronte hapjen zyrtare të negociatave me BE-në. Dorëheqja e kryeministrit do t’i shërbente të ardhmes së Shqipërisë në BE, zgjidhjes së krizës politiko-ekonomike dhe tensioneve sociale

Agim Nesho, diplomat

Grupimet pro-evropiane (the establishment) do të vazhdojnë të drejtojë BE-në, procesi i integrimit të Shqipërisë do të vazhdojë duke u mbështetur në meritat dhe plotësimin e kritereve. Justifikimet se janë euro-skeptikët që na pengojnë do të mbetet një justifikim për të mbrojtur politikat e dështuara qeverisëse

Demagogjia, arroganca e kryeministrit e çojnë vendin në destabilizim politik dhe ekonomik

 

Agim Nesho, diplomat në intervistën për gazetën “Telegraf” skanon zgjedhjet në Parlamentin Evropian, duke pohuar se grupimet pro-evropiane do të vazhdojnë të udhëheqin BE-në. Diplomati Nesho, thotë se çdo konfigurim i ri i PE-së nuk do të ketë ndikim të dukshëm për procesin e negocimit të Shqipërisë, sepse çdo gjë do të varet nga detyrat tona dhe, sipas diplomatit Nesho, justifikimi se euro-skeptikët na pengojnë do të mbetet një justifikim për të mbrojtur politikat e dështuara qeverisëse. Diplomati Nesho duke iu referuar deklaratës së kryeministrit grek, menjëherë pas rezultatit zgjedhor për zgjedhje të parakohshme, thotë se “Dorëheqja në demokracitë perëndimore është një institucion që i jetë demokracisë funksionale, ndërsa në Shqipëri ndryshimi i elitave nuk do të shikohet si një proces normal dhe i domosdoshëm, dorëheqja do të jetë një instrument “i vështirë” për t’u pranuar.

Zoti Nesho, cili është skaneri Juaj për zgjedhjet e Parlamentit Evropian?

Gjykimi i parë pas rezultateve të zgjedhjeve për parlamentin evropian është se, pavarësisht rritjes së valës populiste në Evropë, euro-skeptikët janë larg marrjes së Brukselit. Tre partitë e para në zgjedhje janë Partitë Popullore Evropiane, Social-Demokratët Evropianë dhe liberal-demokratët (AlDE)+En Marche e Emanuel Macron. Në këto zgjedhje pati rritje Aleanca e Salvinit (euroskeptikët) me rreth 35 vende dhe partitë e gjelbra me 16 vende. Qeverisja në Bruksel do të kërkojë një koalicion të gjerë, ku liberal demokratët (ALDE) mund të luajnë rolin dominues (kingmaker). Megjithëse linjat kryesore të politikës në Bruksel nuk do të pësojnë devijime nga mandati i mëparshëm, koalicioni më i gjerë do të përcaktojë dhe ridefinicionin e politikave prioritare si dhe çështjeve sensitive si ndryshimet klimatike, politikat për emigracionin, etj. Duke qënë se grupimet pro-europiane (the establishment) do të vazhdojnë të drejtojë Bashkimin Europian, procesi i integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor drejt BE do të vazhdojë duke u mbështetur në meritat dhe plotësimin e kritereve nga çdo vend i veçantë. Justifikimet se janë euro-skeptikët që na pengojnë do të mbetet një justifikim për të mbrojtur politikat e dështuara qeverisëse.

-Kancelari i Austrisë, edhe pse u dorëhoq para disa ditësh për shkak të publikimit të një videoje, fitoi më shumë sesa në zgjedhjet parlamentare Institucioni i Dorëheqjes në Demokraci dhe pse nuk njihet ende në Shqipëri? Çfarë leksioni politik u jep politikanëve tanë?

Dorëheqja në demokracitë perëndimore është një institucion që i jetë demokracisë funksionale dhe tregon përgjegjshmëri për zyrtarin që e kryen kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur dhe opinionit publik. Në Perëndim marrja dhe mbajtja e një posti publik është një përgjegjësi për të realizuar programin për të cilin e kanë votuar, përgjegjësi përpara popullit dhe interesave të vendit. Dorëheqja e kancelarit austriak Kurz u vlerësua si një pjekuri politike dhe në zgjedhjet për Parlamentin Evropian partia e tij doli e para me 7 vende. Sa më në lindje të Evropës të zhvendosesh psikologjia qeverisëse dominohet nga sundimi, ku liderët mendojnë se janë të pazëvendësueshëm dhe mund të luajnë fort për të mbajtur pushtetin. Pushteti kthehet në qëllim në vetvete dhe arroganca e treguar në mbajtjen e tij është e lidhur me shumë faktorë si korrupsioni, presioni nga grupet e interesit dhe oligarkët, presioni nga lidhjet e politikës me elementë të kriminalizuar. Për sa kohë që në Shqipëri ndryshimi i elitave nuk do të shikohet si një proces normal dhe i domosdoshëm, dorëheqja do të jetë një instrument “i vështirë” për t’u pranuar. Në këto momente po përjetojmë një situatë ku dorëheqja e kërkuar për kryeministrin Rama do t’i shërbente të ardhmes së vendit, integrimit më të shpejtë të Shqipërisë në BE dhe uljes së tensioneve sociale.

Kryeministri grek Tzipras do shkojë në zgjedhje të parakohshme duke pranuar Humbjen elektorale. Analogjia tek ne, a nuk është demagogji e hipokrizi nga loja politike në Shqipëri derisa Individët e Lidershipi nuk duan ta njohin Dorëheqjen si standard të Demokracisë?

Zgjedhjet në Greqi për parlamentin evropian u fituan nga partia e opozitës Demokracia e Re. Kryeministri Tzipras duke vlerësuar që ka humbur terren ka kërkuar zgjedhje të reja në qershor të këtij viti. Ky veprim i përgjegjshëm tregon se çdo qeveri kërkon të drejtojë vendin duke pasur përkrahjen popullore dhe të mos vazhdojë për inerci duke pretenduar se këto janë zgjedhje për parlamentin evropian dhe jo parlamentin e vendit. Në Shqipëri përdoret një standard tjetër megjithëse vendi ndodhet përpara një krize të thellë politike që kërkon zgjidhje dhe zgjedhje të reja. Demagogjia e përdorur nga Rilindja nuk ka shpjegim tjetër veçse njohjes së realitetit që e bën atë humbëse në zgjedhjet e ardhshme. Demagogjia, arroganca e pushtetit mund ta çojnë vendin drejt një destabilizimi politik dhe ekonomik dhe çmimi që do të paguajmë mund të jetë i madh. Kjo qeveri duhet të ishte dorëhequr që në pranverë të vitit 2018, kur pas 5 viteve në qeverisje nuk arriti të siguronte hapjen zyrtare të procesit të negociatave për aderim në Bashkimin Europian.

Çfarë impakti politik e diplomatik do të ketë struktura e re e Parlamentit Europian për negociatat në Shqipëri, duke pasur parasysh që do të riformatohen edhe shumë qeveri të BE ndikuar nga rezultati zgjedhor i këtyre zgjedhjeve të PE?

Zgjedhjet në parlamentin evropian nuk sollën ndonjë ndryshim të dukshëm në strukturën e parlamentit të ri evropian. Ajo që do të ketë rëndësi është se kush do të jetë presidenti i Komisionit Evropian, Max Weber apo një kompromis midis partive kryesore për zgjedhjen e drejtuesit. Në këtë ekuacion influencon edhe pozicionimi i partive fituese në Hungari dhe Poloni. Në lidhje me vende të veçanta, Gjermania dhe Franca qëndrojnë në të njëjtat pozita, ndërsa në Holandë social demokratët fituan ndërsa euro-skeptikët humbën. Në Itali dhe Greqi, si dy vende mike dhe partnerë strategjikë të Shqipërisë ka një tjetër konfigurim të forcave politike. Salvini dhe partia e tij ka siguruar te jete forca e parë në Itali ndërsa Demokracia e Re forca e parë në Greqi. Një ndryshim të madh ka pasur edhe në Britaninë e Madhe ku Partia Brexit ka dalë në vend të parë, duke lënë pas në vendin e tretë Partinë Laburiste dhe të pestë atë Konservatore. Por ajo që do të ketë më rëndësi për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian do të jetë kryerja e detyrave të brendshme.

-Faleminderit!