Dëm ekonomik mbi 31 milionë lekë në Bashkinë e Korçës

421
Sigal

KLSH/ Kallëzim penal për drejtorët e Urbanistikës, Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit

KLSH, në zbatim të programit të tij të auditimit për vitin 2012, ka kryer auditim në Bashkinë Korçë me objekt: “Vlerësimi i aktivitetit ekonomiko- financiar, i procedurave të shqyrtimit dhe miratimit të studimeve urbanistike, shesheve e lejeve të ndërtimit, lejeve të shfrytëzimit, administrimin e aseteve, vlerësimi i shitjes së trojeve nën objekt, shitjes së trojeve, dhënies me qira të objekteve pronë publike, funksionimit të policisë bashkiake dhe vlerësimi i auditimit të brendshëm”. Shtrirja e auditimit i përket për periudhës 1/1/2008 deri më 31/12/2011. Për këtë periudhë, KLSH, krahas evidentimit të rezultateve të mira të arritura nga Bashkia Korçe, vërejti edhe këto mangësi e parregullsi:

1. Nuk janë marrë masa dhe nuk janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore ndaj 216 subjekteve debitorë me vlerë 26,186,322 lekë për vitin 2011 dhe për 820 subjekte debitorë me vlerë 84,518,000 lekë për periudhën 1/1/2008 deri 31/12/2010.

2. Nuk janë zbatuar rekomandimet e KLSH të dërguara në përfundim të auditimeve prej vitit 2004 e në vazhdim, për vënien në arkëtim të detyrimeve të ndryshme në shumën 35,534,112 lekë.

3. Nuk është kërkuar në rrugë ligjore arkëtimi e vlerës prej 10,850,000 lekë, për 18 raste të gjobave në vitet 2008-2011.

4. Nuk janë marrë masa dhe nuk është ndjekur me përparësi arkëtimi i taksës së tokës, e cila për vitin 2011 llogaritet në vlerën 722,550 lekë, kurse për periudhën 1/1/2008 deri 31/12/2010 llogaritet në vlerën 2,167,000 lekë.

5. Në tenderin me objekt  “Sistemim e asfaltim rrugë e trotuare lagja nr. 7” të zhvilluar në vitin 2009, me kontraktues një operator privat, ende nuk është marrë në dorëzim vepra e përfunduar, për shkak se cilësia e punimeve lë për të dëshiruar, madje nuk janë evidentuar dhe saktësuar punimet që janë kryer pa cilësinë e duhur dhe nuk është negociuar me kontraktuesin për kryerjen e tyre deri në vlerën 1,462,522 lekë, e cila përfaqëson vlerën 5% të garancisë së punimeve të situacionuara.

6. Nuk janë marrë masa dhe nuk është ndjekur me përparësi arkëtimi i tarifës së zënies së hapësirave publike, e cila për vitin 2011 llogaritet në vlerën 398,250  lekë, kurse për periudhën  1/1/2008 deri 31/12/2010 llogaritet 1,057,000 lekë.

7. Nuk janë zbatuar kërkesat e Ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën” i ndryshuar, e Ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” i ndryshuar, e VKM nr. 722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e rregullores së urbanistikës” i ndryshuar, e Udhëzimit të KM nr. 3, datë 15.02.2001 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e ndërtimeve” i ndryshuar, e VKM nr. 455 datë 23.6.2005 “Për shpalljen Qendër Historike dhe Ansambël Urbanistik, Arkitektonik, Tradicional, të disa zonave të qytetit të Korçës, si dhe miratimin e rregullores së administrimit të tyre” i ndryshuar, si dhe e Vendimit të KRTRSH nr. 3, datë 21.8.2002 “Për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrat e qyteteve”.

Pas vlerësimit të mangësive dhe shkeljeve të konstatuara më lart, si dhe ato në fushën e urbanistikës, të pasqyruara në Raportin Përfundimtar të Auditimit, rezultoi se: Drejtori i Drejtorisë së Urbanistikës, Drejtori i Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit dhe një Specialist në Sektorin e Zhvillimit të Tokës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke mos zbatuar apo shkelur kërkesat e Ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën” i ndryshuar, e Ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” i ndryshuar, si dhe të akteve nënligjore përkatëse, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” neni 248, të “Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, ndaj për ta KLSH ka depozituar në organet e prokurorisë kallëzim penal.

Për përmirësimin e gjendjes, KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Korçë 23 masa organizative ndër të cilat më kryesoret janë:

1. Të ndiqet me përparësi legjislacioni në fuqi duke përdorur të gjitha rrugët e mundshme ligjore për arkëtimin e detyrimeve sipas rekomandimeve të dërguara nga KLSH prej vitit 2004 e në vazhdim, në shumën 35,534,112 lekë.

2. Në lidhje me shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në shumën 31,361,346 lekë, KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Korçë që, krahas kryerjes së kontabilizimit, të kërkojë në rrugë ligjore duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe në të gjitha shkallët e gjykimit për arkëtimin e kësaj vlere.

3. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor në bashkëpunim me Zyrën Përmbarimore, të kërkojë në rrugë ligjorë arkëtimin e vlerës prej 10,850,000 lekë, për 18 raste të gjobave të vendosura dhe pa arkëtuara.

4. Për tenderin me objekt  “Sistemim e asfaltim rrugë e trotuare lagja nr. 7” të zhvilluar në vitin 2009, i cili nuk është marrë në dorëzim për shkak se cilësia e punimeve lë për të dëshiruar, të evidentohen dhe saktësohen punimet që janë kryer pa cilësinë e duhur, si dhe të negociohet me Kontraktorin për kryerjen e tyre deri në vlerën 1,462,522 lekë, e cila përfaqëson 5% të garancisë së punimeve të situacionuara. Në rast mos dakordësie kjo vlerë të prokurohet rishtazi me operatorë ekonomikë të tjerë.

5. Të punohet për implementimin e procedurave anti-korrupsion, bazuar në legjislacionin në fuqi. Nëpunësi autorizues dhe menaxherët e tjerë të institucionit të bashkëveprojnë për identifikimin dhe krijimin e regjistrit të riskut.

6. Të ndiqet dhe të përfundohet procesi i regjistrimit të aseteve pronë e Bashkisë në ZVRPP Korçë, si dhe të bëhet evidentimi i tyre në kontabilitet.

7. Të  merren masa dhe të ndiqet me përparësi  arkëtimi i taksës së tokës.

8. Të merren masa dhe të ndiqen të gjitha procedurat ligjore për vënien në arkëtim të detyrimeve nga 216 subjekte debitorë.

9. Të përcaktohet dokumentacioni për të vërtetuar saktë vleftën e subvencionit për  transportin urban bazuar në numrin e personave që kanë udhëtuar falas si invalidë, veteranë dhe studentë të cilët udhëtojnë me ½ e vlerë së biletës.