Delfinët socialistë notojnë në ujrat e prapaskenave politike, për zona influence

413
Sigal

Luftë midis llojit në Partinë Socialiste, sa herë afrohen listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale

Ditë më parë ishte Ben Blushi, i cili publikisht tha se reformat e qeverisë së tij, prodhojnë të varfër. Ndërsa dje, një tjetër eksponent i lartë i udhëheqjes së PS-së, ish kryeministri Pandeli Majko, në një intervistë televizive, tha se deri tani qeveria  e  tij, është “Një qeveri që bën shumë reklamë por që nuk di të shpjegojë veten”.  Sipas  Majkos, qeverisë “Rama” i ka mbetur perceptimi i burgut, i shprehjes famëkeqe “nuk keni parë gjë akoma”, apo i prishjes së shtëpive pa leje, ndërkohë, sipas Majkos, nuk dihet sa banesa po legalizohen.

Delfinët notojnë për zona influence

Deri tani, në këto 18 muaj qeverisjeje, asnjë zë kundër nga deputetët e PS-së nuk kishte dalë kundër politikave që ndje qeveria e tyre. Ndonëse, tek-tuk, në grupin parlamentar  të PS-së ( vetëm me dyer të mbyllura), ndonjë deputet kishte shprehur me gjysëm zëri ndonjë vërejtje (jo kritikë), për ndonjë temë të caktuar, pa shumë rëndësi thelbësore për politikën qeverisëse. Dhe, natyrisht, këto vërejtje, kishin mbetur po aty, në sallat e mbyllura, madje, pa u shënuar fare në asnjë protokoll ( e ca më pak, që të merreshin parasysh). Atëhere, si shpjegohet që krejt papritur, madje, edhe në këto ditë shkurti, kur qielli nuk ka asnjë re, eksponentë më të lartë të udhëheqjes së PS-së, ose e thënë më ndryshe, delfinë të PS-së, dalin nga thellësitë e heshtjes letargjike të dimrit, dhe, meqë panë diell, në qiell e kujtuan se erdhi pranvera dhe uji i detit u ngroh, dhe filluan të notojnë në sipërfaqen e prapaskenave politike. Dhe, që këta delfinë të bëjnë zhurmën e tërheqjes së vëmendjes të opinionit publik, nuk kursyen fare kritikat publike pa doganë ndaj qeverisë së tyre. Natyrisht, edhe pse nuk u përmend emri i kryeministrit, të gjithë e kuptuan që Blushi dhe Majko kritikuan drejtpërdrejt kryeministrin e tyre. Tani po afrohen zgjedhjet lokale, dhe kryeministri Rama, si kryetari i PS-së, ka ekskluzivitetin dhe monopolin  e listave për kandidatët e bashkive. Të dy, Blushi dhe Majko, si delfinë politikë, kanë të njëjtën ambicie. Duan kandidaturën e kryebashkiakut të Tiranës. Ngaqë në prapaskenat e politikës së deritanishme, këta nuk e kanë fituar mirëbesimin e kryetarit Rama, atëhere, e kuptojnë që edhe dëshira, iluzioni dhe shpresa që të jenë ata ( secili për veten e vet) kandidati për kryebashkiakun e Tiranës, po shteson gjithnjë e më shumë.  Ca më tepër, kur delfini tjetër, Erion Veliaj, përditë e më shumë, po mbin në çdo foto e dalje publike bashkë me kryeministrin, është një tjetër mesazh prapaskenik, që Rama u dërgon delfinëve të PS-së. Mirëpo, ndërsa delfini i përkëdhelur i kryetarit të PS-së, ndoshta e ka siguruar mbështjetjen dhe pëlqimin e Njëshit partiak, delfinët, nuk mund të dorrëzohen kaq lehtë, për më tepër, që e dinë, që mbi ata rëndon e kaluara, kuptojnë që, në kësi rastesh kur bëhet fjala për kandidatura të pushtetit lokal,  kanë reputacionin te opinion publik, më të rëndësishëm, në kësi rastesh, se sa një influencë te Njësi i partisë. Ndaj, filluan të kritikojnë atje te pika më e dobët e Njëshit të PS-së, te politika qeverisëse, për t’i dhënë mesazhin Njëshit të PS-së ( jo aq publikut), se ku janë kufijtë e zonave politike të influencës së secilit nga  delfinët e PS-së për kandidaturën e kryebashkiakut të Tiranës. Dhe, në kësi rastesh, peshku i madh ha të voglin dhe i mbijetuari  ( jo aq takimet kokë më kokë midis delfinit dhe Njëshit partiak) do të jetë kandidati (i mundshëm dhe potencial) për kryebashkiakun e Tiranës.

Nuri Dauti