Dekriminalizimi, Vasili: Konsensusi ishte i mundur, sfida e radhës reforma në drejtësi

515
LSI ka përshëndetur sot arritjen e marrëveshjes mes maxhorancës dhe opozitës për realizimin e një ligji të përbashkët për dekriminalizimin. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi se kjo është një arritje e rëndësishme dhe një hap që duhej hedhur ndoshta edhe më shpejt. Vasili tha se me këtë ligj i jepet gjithashtu një mesazh i rëndësishëm partnerëve ndërkombëtarë dhe se hap rrugën për konsensuse të reja. “Përshëndesim konsensusin për dekriminalizimin. Qytetaret meritojnë përfaqësim dinjitoz. U tregua që konsensusi është sfidë e mundur, rrugë e detyruar politike. Është një arritje e rëndësishme në të cilën nuk ka vend as triumfalizimi politik, as monopolizimi i një konsensusi të rëndësishëm. Ishte një hap që duhej hedhur edhe më shpejt, megjithatë është i mirëpritur. I japim një mesazh të rëndësishëm partnerëve ndërkombëtar. Gjithashtu hap rrugën për konsensuse të reja politike. Sfida e radhës për reformën në drejtësi”, deklaroi Vasili.

Ai theksoi se “Reforma në drejtësi përbën një shqetësim madhor për të gjithë shqiptarët dhe na imponon që ta ndërtojmë pa humbur kohë, këtë konsensus të ri, sepse udha e konsensusi është e shtruar”. “Nga sot të gjithë kanë hequr një peshë, tashmë domeni i luftës reciproke të përbaltjes, lidhur me këtë çështje mbyllet këtu dhe tani fjalën për këtë çështje e ka ligji, që është i qartë e konsensual. Në këtë rrugë do vazhdojmë të mbështesim zgjidhjet konsensuale. Këtë kemi inspiruar dhe mbështetur edhe për dekriminalizimin. Edhe reforma në drejtësi i ka të gjitha mundësitë për të arritur një konsensus të ri”, u shpreh nënkryetari i LSI-së.
Sigal