Dekriminalizimi, Macovei: Të nisë që në zgjedhjet lokale, test për ju!

402
TIRANE – Debatet ndërmjet deputetëve të mazhorancës dhe opozitës kanë vijuar sërish edhe në ditën e dytë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, ku në fokus ka qenë procesi i dekriminalizimit dhe aktualiteti politik.
Ka qenë deputeti i Partisë Demokratike Kastriot Islami i cili ka denoncuar se në Parlament ndodhen persona me rekorde kriminale, duke sjellë në vëmendje edhe çështjen
“Doshi” apo edhe akuzat së fundmi për deputetin e Mark Frroku.
“Disa nga parlamentarët kanë rekorde kriminale për sa kohë ka deputetë me rekorde kriminale. Kujtoj denoncimin e Doshit ndërsa Frroku është mësuar se ka pasur në makine një trafikant që po e çonte drejt Maqedonisë. Ne 25 vjet kam frikë të flas.” tha Islami
Nisur nga kjo problematikë, Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian Monica Macovei u bëri thirrje partive politike të largojnë personat e inkriminuar, duke nisur që nga zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen më 21 qershor të këtij viti. Në fjalën e saj ajo theksoi se palët duhet të respektojnë marrëveshjen e arritur në dhjetor duke larguar personat e inkriminuar nga lista e zgjedhjeve lokale. Macovei i cilësoi zgjedhjet e qershorit, si një test i rëndësishëm për partitë politike shqiptare në këtë drejtim.
“Askush s’e pranon këtë situatë , inkurajojmë partitë të mos përdorin persona me precedent në zgjedhje. Këta njerëz duhet të largohen ose duhet të japin dorëheqjen. Por ky proces duhet të nisë që nga lista për zgjedhjet e 21 qershorit. Ky është një test për të gjithë. Të gjitha palët janë të përfshira. Dua të ju kujtoj marrëveshjen e dhjetorit dhe premtimet e bëra mes palëve.” tha në fjalën e saj Macovei
Por nga ana e tij nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se jo në pak raste në të kaluarën deputetët kanë lëvizur nga mazhoranca në opozitë dhe anasjelltas.
Edhe ditën e djeshme Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit, u shoqërua me debate ndërmjet deputetit demokrati Aldo Bumçi dhe Kryetares së Delegacionit të Europarlamentarëve.
Ora 10:30 Macovei-partive: Mos u sillni në këtë mënyrë, respektoni axhendën
E ndodhur në këtë situatë, Macovei kërkoi nga palët që t’i përmbahen axhendës dhe temave të diskutimit, dhe të mos replikojnë me njëri-tjetrin me akuza politike.
“Ju lutem mjaft u sollët në këtë mënyrë. T’i përmbahemi axhendës dhe diskutimit.” tha ajo ndërsa kërkoi që të bëhen 10 minuta pushim.
Ora 10:25 Balla: Në të kaluarë ka raste të kalimit të deputetëve nga mazhoranca në opozitë dhe anasjelltas
Deputeti Taulat Balla, duke folur për dekriminalizimin e Kuvendit, tha në fjalën e tij se në të kaluarën jo në pak raste ka pasur kalime të deputetëve nga mazhoranca në opozitë apo edhe anasjelltas.
“Rastet e kalimit nga mazhoranca tek opozita dhe anasjelltas nuk janë të reja. Ka pasur raste kur deputetët për arsye të ndryshme vendosin të kalojnë nga mazhoranca në opozitë dhe anasjelltas. Lidhur me temën duhet të flasim unë besoj se secili prej kolegëve deputetëve shqiptarë ndan mendimin se Shqipëria sot luan rol të rëndësishëm në rajon. Dua të risjell në vëmendje vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd pas 70 vitesh.” tha Balla 
Sigal