“Dekriminalizimi” jo brenda shtatorit në Kuvend, Paloka: U gjet qimja në vezë

457
Konferenca e Kryetarëve nuk përfshin kërkesën e PD-së për dekriminalizimin në kalendarin 3 javor të Kuvendit.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme para nisjes së seancës. konferenca e Kryetarëve ka vendosur që kërkesën e demokratëve për dekriminalizimin ta përfshijë në programin 3 mujor.
Partia Demokratike kërkon që ligji për dekriminalizimin të miratohet brenda muajit shtator në parlament.
Kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Edi Paloka, duke folur në Kuvend në nisje të seancës së sotme, tha se mazhoranca gjeti qimen në vezë për të mos e futur në kalendar.
Pavarësisht kësaj, Paloka tha se PD nuk do të tërhiqet nga ky proçes, duke shtuar se do të kërkojë që nesër mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Demkriminalizimin për shqyrtimin e nismës ligjore të demokratëve për këtë çështje.
Paloka: “U gjetën të gjitha kleçkat, apo u gjet qimja në vezë siç thashë dhe në konferencën e kryetarëve me qëllim që ky projekligj të mos futet në kalendar. Duke shprehur dhe njëherë vendosmërinë tonë për ti shkuar deri në fund këtij proçesi të domosdoshëm jo vetëm për këtë parlament por gjithë Shqipërinë, administratën shtetërore dhe më tej, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, mbështetje që është bërë e qartë dhe publikisht, i është bërë e qartë dhe kësaj mazhorance që vazhdon të tallet dhe të përqeshë kërkesën e opozitës dhe vullnetin e partnerëve tanë.
Ne do ti qëndrojmë deri në fund Komisionit që është ngritur për këtë çështje me kërkesën tonë dhe gjoja me vullnet të përbashkët, por që nuk po duket kërkund vullneti i mazhorancës, që nesër do të kërkojmë të mblidhet dhe të shqyrtojë ndër të tjera dhe nismën tonë ligjore si për ligjin që kemi paraqitur për dekriminalizimin ashtu dhe për ndryshimet kushtetuese.
Jemi të bindur se nuk do ketë kurrë vullnet nga Edi Rama për ta bërë një gjë të tillë, pavarësisht presionit që i bëhet nga ndërkombëtarët pasi opozitën ai nuk e llogarit. Ky vullnet mungon dukshëm dhe nuk mund të ishte ndryshe përderisa ai është autori i kriminalizimit të parlamentit dhe administratës. Jam i bindur se dhe pa dëshirën e Edi Ramës ky proçes do të kryhet”.
Sigal