Dekriminalizimi bëhet loja e kungulleshës midis palëve politike

461
Në 26 dhjetor 2014 maxhoranca dhe opozita nënshkuran një marrëveshje konsensuale, për të bërë së bashku dekriminalizimin e politikës. Madje, në vazhdimësi të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Kuvendi miratoi në 19 shkurt të 2015 edhe ngritjen e Komisionit Parlamentar për Dekriminalizimin. Dhe sipas konsensusit politik, u vendos që këtë komision parlamentar ta kryesonte opozita dhe kryetar i saj u zgjodh deputeti i PD Oerd Bylykbashi. 
Dekriminalizimi, mungesë vullneti politik 
Komisioni Parlamentar i Dekriminalizimit kishte mision kryesor hartimin e ndryshimeve ligjore që do të pengonin kandidimin e personave me rekorde kriminale. Madje palët politike që në fillim ranë dakort që ky process të fillonte që me zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015. Mirëpo praktikisht PD dhe PS kishin diametrikisht politikë të kundër për dekriminalizimin, gjë që bëri, që në ndryshimet që u bënë në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e 21 qershorit 2015 të dështonin dispozitat ligjore përkatëse që do të pengonin kandidimin e personave me rekorde kriminale, sepse asnjë amendament, nuk kaloi në Parlament. Madje, gjatë fushatës elektorale, polemikat e ndërsjellta midis subjekteve zgjedhore patën në më të shumtën e herëve strumbullar, pikërisht akuzat për kandidimin nga subjektet zgjedhore për kryebashkiakë të personave me rekorde kriminale. 
As apeli i ndërkombëtarëve nuk ndërgjegjësoi partitë politike
Edhe faktori ndërkombëtar, ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike të BE, u bënë shpesh herë apel partive politike që të mos kandidonin persona me rekorde kriminale, meqë Kodi Zgjedhor nuk ka dispozita të tilla ligjore që të pengojë ata në kandidimin për t’u zgjedhur në pushtetin zgjedhor. Madje, në 20 qershor 2015, një ditë para zgjedhjeve ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, u bëri thirrje votuesve shqiptarë që të mos votojnë kandidatët e inkriminuar, pasi ata përbëjnë një poshtërim për vetë popullin shqiptar. 
Shtyhet me 6 muaj mandati i Komisionit Parlamentar për Dekriminalizimin
Para 2 ditësh mbaroi edhe mandati i Komisionit Parlamentar për Dekriminalizimi, ku në këto 5 muaj ky komision nuk mundi të bëjë asgjë, veç polemikave shterpë midis palëve politike. Por, duhet thënë, që edhe pse në 5 muaj deputetët e Komisionit Parlamentar për Dekriminalizimin e politikës nuk arritën të miratojnë asnjë vendim, kjo nuk i pengon ata që të shpërblehen financiarisht me shuma të mëdha, që do t’i rëndojë edhe më shumë buxhetit të shtetit, për të gjitha mbledhjet dhe orët që kanë harxhuar në këtë komision, duke rrahur ujë në hava. E megjithatë, dje, në konsensus të përbashkët, të gjithë anëtarët deputetë të Komisionit Parlamentar për Dekriminalizimin,vendosën që të shtyjnë deri në fund të dhjetorit të këtij viti punimet e këtij komisioni parlamentar. Nuk u dhanë publikisht arësyet, por me siguri në focus të punës të këtij komisioni parlamentar duhet të jetë hartimi i dispozitave ligjore në Kodin Zgjedhor që do të pengojnë kandidimin e elementëve të inkriminuar dhe me rekorde kriminale për zgjedhjet parlamentare të 2017. Shpresojmë, që kjo shtesë kohe e punës të Komisionit Parlamentar për Dekriminalizimin e politikës, të mos shërbejë vetëm për shtesat e shpërblimeve që do marrin deputetët në mbledhjet e këtij komisioni, por të hartojnë ligjet e duhura, që do të pengojnë cilido person të mos garojë në zgjedhje, qoftë për deputet, qoftë edhe për në pushtetin vendor, nëse do të ketë ne cv e tij rekorde kriminale. 
Sigal