Dekriminalizimi, Balla: 7 kandidatë nga PD-ja me të kaluar kriminale

541
Komisioni për dekriminalizimin është mbledhur sërish sot, ndërsa kryetari i këtij komisioni i drejtuar nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se është kërkuar asistencë nga ndërkombëtarë dhe se tashmë pritet përgjigjja.
Bylykbashi tha se është propozuar një projektligj për kandidatët në mënyrë që të pengohet kandidimi i të inkriminuarve dhe në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. 
“Kërkuam asistencë nga ndërkombëtarët, jemi në pritje të përgjigjes për shkresën e dërguar. Dekriminalizimi, propozuam projektligj për kandidatët. Ky ligj do pengojë kandidimin e të inkriminuarve”, tha Bylykbashi. 
Deputeti tjetër demokrat në këtë Komision, Eduard Halimi tha se ky komision duhet të ecë më shpejt që të mos lejohen kandidatë më të kaluar kriminale në zgjedhjet lokale të 21 qershorit.
Por përgjigjia e deputetit socialist Taulant Balla ishte se ai ka emra konkret nga PD që kanë të kaluar krimnale dhe që janë kandiduar për këto zgjedhje. Ai tha se i ka dërguar një material Prokurorisë së Përgjithshme. 
“Ne kemi 7 emra të kandidaturave tuaj me të kaluar krimnale, por nuk po i them sot. Ne duam ta lexojmë projekt-ligjin dhe në një kohë urgjente të ulemi sërish të diskutojmë”, tha Balla. 
“Ne do shqyrtojmë propozimin e Partisë Demokratike, menjëherë. Përfitoj nga rasti që edhe koalicionit tuaj, si e ka emrin, ta konkretizojë këtë proçes me emra konkretë për të mos kandiduar elementë me rekorde kriminale. Besoj që në politikë me rëndësi është vullneti politik. Besoj se në qershor do bëhen rregullimet e përkohshme. Unë shpresoj që PD-ja do reflektojë në këtë drejtim, ne do jemi mekanizëm pozitiv”, vijoji më tej Balla. 
“Fundi i qershorit është larg, e do vini të na thoni ç’ti bëjmë kandidatit, se këtë e zgjodhi populli. Kemi propozuar një ligj, dy muaj heshtje, sikur s’ka ndodhur asgjë. Propozimi është i thjeshtë”, tha deputeti demokrat Eduard Halimi. 
Sigal