Dekriminalizimi, 6 policë me precedentë

508
Komisioni Parlamentar hetimor për zbardhjen e ligjshmërisë së emërimeve në administratën publike dhe Entet Shtetërore në mbledhjen e radhës ka bërë të ditur se nga verifikimi i listës me 130 emra të dyshuar, vetëm 18 prej tyre kanë rezultuar me probleme. Dje Komisioni i drejtuar nga Genc Pollo shqyrtoi materialet e dërguara në Kuvend nga Policia e Shtetit, e cila, sipas tyre, ka kthyer përgjigje vetëm për 21 efektivë policie. Ndërkohë që demokratët kanë kërkuar që informacioni në Komision të ishte për listën e plotë të 130 funksionarëve të dyshuar.
Por sipas hetimit të Komisionit nga informacionet e Policisë, nga 21 punonjës vetëm 6 prej tyre kanë pasur probleme me Drejtësinë. Genci Vogli, sipas të dhënave të Policisë, është dënuar nga Gjykata me 4 muaj e 20 ditë, aktualisht ai është punonjës i Policisë në Fier. Ai është dënuar për shkelje të qarkullimit rrugor dhe sipas Policisë, vepra e tij është parashkruar.
Ndërkohë që Gurian Lekzeqiri është arrestuar në vitin 2015. Ai është oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin numër 2 Tiranë. Alfred Nomani, i cili aktualisht është në Drejtorinë e Policisë Korçë, është arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB), por më pas është liruar nga Prokuroria. Po ashtu listës së funksionarëve të Policisë, të cilët janë dënuar nga Gjykata, figuron emri i Rexhep Bulkut. Ndaj Bulkut janë dhënë disa vendime gjykate. Aktualisht ai është funksionar në Drejtorinë e PME në Policinë e Durrësit. Po ashtu me disa vendime gjykate, rezulton dhe Agim Lleshi, i cili është shef Njësie në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Tiranës. Edhe Nikollaq Dumi është në listën e 6 efektivëve, ndaj të cilëve janë dhënë dënime nga Gjykata. Ai është pjesë e Komisariatit Fier.
Sigal