Dekreti ndaloi përplasjen civile në 30 qeshor

464
Sigal

Intervista e Presidentit Meta: Kush vjedh votat , nuk mund të hetojë veten. Ramës nuk i intereson stabilizimi i Shqipërisë. Institucionet tona nuk kanë integritet , prandaj nuk funksionon demokracia. Raportet e mia me Ramën ndër vite dhe gabimet e opozitës

Intervista e Presidentit Meta me gazetarin Blendi Fevziu: Dekreti ndaloi përplasjen civile në 30 qershor

Kush vjedh votat, nuk mund të hetojë vetveten. Ramës nuk i intereson stabiliteti i Shqipërisë

 Zoti President, pse ju intereson integriteti i Komisionit dhe jo integriteti i institucioneve në Shqipëri?

Nëse do ta kishim ruajtur integritetin e institucioneve në Shqipëri, do të kishim një situatë krejtësisht tjetër për sa i takon funksionimit të demokracisë në vend. Nuk do të kishim një temp të tillë. Nuk do të kishim një krizë të tillë. Nuk do të ishim pa Gjykatë Kushtetuese qëllimisht prej më shumë se dy vitesh. Nuk do të ishim në kolaps institucional. Dhe pikërisht ajo që u votua në 22 korrik përpara tre vitesh kur unë isha Kryetar i Kuvendit me konsensus, u shkel me të dyja këmbët përgjatë këtyre tre viteve. Kjo është arsyeja që kaluam nga reformë në atë që unë e kam quajtur në të kaluarën stilistikisht ‘Ramaforma’, që është kjo krizë dhe ky kolaps.

Pse nuk ju shqetëson vjedhja e votave, zoti President?

Patjetër. Po unë e shikoj shumë të pamundur që ata që vjedhin votat, të hetojnë veten. Pra, kjo më është dukur një kërkesë jorealiste nga ana e opozitës. Shqetësimi im i vetëm si President i Republikës: Të garantojmë të drejtën kushtetuese themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur, jo për të votuar.

Kush jua jep juve këtë të drejtë zoti President, që ta interpretoni këtë gjë që ‘kanë apo s’kanë të drejtë të zgjedhin’ shqiptarët?

Mua këtë gjë ma ka dhënë Kushtetuta, sepse Kushtetuta ka bërë të qartë që, i vetmi institucion në Republikën e Shqipërisë, i cili cakton datën e zgjedhjeve, është vetëm Presidenti i Republikës.

Zoti Meta, a nuk keni ndonjë ndikim te LSI-ja, te partia që e keni themeluar vetë, e keni drejtuar vetë dhe sot drejtohet nga bashkëshortja juaj?

Zero ndikim te Lëvizja Socialiste për Integrim! Dhe po jua them …! Zero ndikim, për shumë arsye që janë të qarta për opinionin publik. Zoti Rama nuk i ka lënë asnjë mundësi dhe asnjë përzgjedhjeje asnjë force të vërtetë opozitare, që të përmbushë misionin e saj në parlament.

Sipas jush është vetëm zoti Rama?

Është pikërisht kështu, zoti Rama e ka zgjedhur si strategji provokimin e konfliktit, vendosjen para faktit të kryer të opozitës dhe të të gjithë institucioneve të tjera që garantojnë një demokraci, po themi; mediat, shoqëria civile, institucionet e pavarura…

Po opozita, a ka përgjegjësi në këtë krizë zoti Meta? Zoti Basha a ka përgjegjësi? Zonja Kryemadhi a ka përgjegjësi?

Patjetër! Absolutisht! Sepse ata kanë rënë viktimë e kësaj politike ‘të faktit të kryer’, me ose pa dashje, koha do ta sqarojë këtë gjë, se unë nuk mbaj dot përgjegjësi as për njërin dhe as për tjetrin, kanë bërë këtë lojë, sepse kanë lejuar uzurpimin e të gjitha institucioneve dhe të hapësirave demokratike…

Ndërkohë, duket se ju keni pasur një kimi shumë të keqe me zotin Rama që në çastin që u zgjodhët President?

S’është e vërtetë! Raportet e mia me Ramën nuk janë të këqija. Raportet e mia me Ramën kanë qenë më shumë se dy dekada. Nuk dua t’i kthehem kohës kur unë isha kryeministër… Nuk është kjo çështja! Më pas kemi kaluar në opozitë dhe Edi Rama kurrë nuk do të ishte zgjedhur më 2007-n si kryetar i Bashkisë së Tiranës…

Keni frikë se do t’ju shkarkojnë?

Zero! Kështu që në këtë drejtim, në Kushtetutën e Shqipërisë është e qartë se i vetmi institucion që cakton zgjedhjet, është Presidenti i Republikës. Ju flisni sikur të ishim në një situatë normale. Sikur ishim në Irlandë… Parimi themelor i saj, mbi të cilin ndërtohet gjithë Kushtetuta jonë, është pluralizmi politik. Edhe Ramiz Alia, i cili ka qenë në këtë zyrë më 1991, i shtyu zgjedhjet, edhe pse e dinte që Partia Demokratike donte karrigen e tij, i shtyu dy muaj…

Çështja është te roli juaj si President i Republikës….?

Rolin tim e kam bërë unë dhe do ta sqaroj prapë, por duhet të sqarojmë rolin destruktiv me ndërgjegje provokativ të Kryeministrit, jo për ta normalizuar situatën demokratike në vend, por për ta agravuar dhe për ta nxjerrë atë jashtë kontrollit me pasoja mjaft shqetësuese. Mirë për këta dhjetëra mijëra qytetarët këtu që dilnin domethënë ai nuk ka asnjë lloj respekti, po për ata policët aty që vendoseshin para Kryeministrisë, që vendoseshin para Parlamentit, nuk i vinte keq? Kur me një fjalor provokonte protestuesit. Presidenti, sepse ju duhet të shikoni të gjitha qëndrimet e mia, që nga lënia e mandatave të opozitës edhe deri te nxjerrja e dekretit.

A jeni takuar me kryeministrin Rama? Keni folur për një darkë vetëm për vetëm dhe a keni biseduar kështu siç po thoni tani?

Janë bërë të gjitha veprimet, jo vetëm nga ana ime me secilin prej tyre, qoftë me zotin Rama si Kryeministër, qoftë me zotin Basha si kryetar i opozitës, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që të gjenim një zgjidhje për këtë gjë. Që zgjedhjet vendore të bëheshin në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe demokratike. Sepse një gjë duhet ta dish, ta dini ju dhe të gjithë. Në rast se nuk do të kishte dalë ai dekret për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, jo vetëm që në Shqipëri do të kishte një përplasje të paevitueshme…

Përse do të kishte përplasje?

Sepse 30 qershori ishte dita e ballafaqimit me forcë….

Përplasjen e evituan disa deklarata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

Vetëm dekreti i Presidentit Ilir Meta ka evituar përplasjet!

Po kush donte ta digjte Parlamentin? Se ju keni folur për një model Rajshtagu…

Zotëri, më dëgjo më vëmendje. Çfarë interesi mund të ketë një Kryeministër normal i një vendi i cili dëshiron të çelë negociatat me Bashkimin Evropian, që një opozite që ka dalë në rrugë t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë? Opozita lë miting sot në Tiranë, ai lë miting nesër në Berat. Opozita lë miting prapë sot në Tiranë para institucioneve, ai lë miting në Vlorë. Çfarë interesi ka? Kur ai mitingun mund ta bëjë edhe një ditë tjetër dhe nuk ka nevojë që t’i provokojë ata.

Ka mëri personale mes Jush dhe zotit Rama?

Zero! Çfarë mërie duhet të kem unë ndaj Ramës? Unë po të kisha mëri nuk do të kisha bërë koalicion me Ramën. Të mos harrojmë, se ne para vitit 2013 kishim ngjarje edhe më të rënda në planin personal, sepse ai ishte orkestruesi kryesor me gjithë enturazhin e tij për 21 janarin.

Dhe ju shmangët përplasjen zoti President?

Harruat ju Sait Dollapin, një nga udhëheqësit kryesorë të opozitës që u rrah në mënyrën më barbare dhe jo profesionale nga policia përpara kamerave, që edhe mund të humbiste jetën, sepse kishte bërë një operacion në zemër. Dhe ka ndërhyrë Presidenti i Republikës dhe ka bërë presion në media edhe policisë që të dërgohet urgjentisht në spital dhe, pasi ka shkuar në spital, ka bërë ndërhyrje kirurgjikale. Por të kishte ndodhur diçka tjetër, do të ishte tjetër historia e Shqipërisë.

Pse mendoni ju, se i kishit këtë rol që të paqëtonit shqiptarët dhe të zgjidhnit këtë krizë?

Ajo ishte detyra ime dhe detyrën time e kam bërë me përgjegjësi të plotë, me transparencë të plotë dhe këtë e dinë të gjithë qytetarët shqiptarë. Të gjithë ata që jo vetëm flasin shqip, por edhe që ndihen shqiptarë.

A jeni i bindur që e keni bërë mirë zoti Meta edhe që nuk jeni bërë palë në këtë krizë?

Zero palë! Palë këtu është vetëm një njeri në këtë krizë, i cili donte zgjedhje me një palë, i cili donte votues vetëm me një palë….

Zoti President, çfarë biseduat me z. Rama? A ju dha ai një argument për qëndrimin që mbante?

Unë dua të them disa gjëra. Unë nuk e kam menduar kurrë sinqerisht deri në 10 qershor apo qoftë edhe një ditë më mbrapa, që Edi Rama vërtetë e mendonte që të shkonte në zgjedhje vendore pa opozitën. Mendoja që ky do të fitojë kohë, t’i vërë këto ndoshta në një situatë pak si më të vështirë, duke afruar 30 qershori dhe pastaj ky do të vijë edhe vetë dhe do të thotë, të gjejmë një mundësi, të caktojmë një datë dhe pastaj vijnë apo nuk vijnë ata, kjo është punë e tyre. Pra, mendoja që ky do ta bënte një përpjekje sido.

A e pranonte zoti Rama në bisedat private që vendi ishte në krizë?

Ai nuk e pranon edhe sot, thotë që është Evropa në krizë, nuk jemi ne. Ne po shkëlqejmë, ne po lulëzojmë….

A kishte frikë nga përplasjet civile Edi Rama?

Unë nuk e di se nga çfarë kishte frikë ai, por është gjëja më e lehtë kur të tjerët të vijnë e të bëjnë miting para Presidencës, unë të iki në Skrapar dhe të mbaj fjalime kundër atyre që bëjnë miting këtu.

Zoti President, a ka pasur një marrëveshjes mes jush dhe zotit Berisha për të rakorduar lëvizjet mes opozitës dhe Presidentit të Republikës?

Asnjë marrëveshje. Ju thoni se me zotin Rama gjithmonë i kam pasur marrëdhëniet e këqija. Por zoti Rama para pak muajsh tha, se ky është Presidenti më i mirë dhe më bëri me turp apo jo? Zero marrëveshje midis meje dhe Berishës! Zero marrëveshje midis meje dhe Lulzim Bashës! Zero marrëveshje mes meje dhe Monika Kryemadhit!

Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të anulojë zgjedhjet…?

Sepse kjo është një qeveri sot e pahetueshme, sepse kontrollon tërësisht Prokurorinë. E kanë zgjedhur Kryeprokurorin me 69 vota në mënyrë anti-kushtetuese. Kjo është një qeveri tërësisht e pakontrollueshme, sepse Parlamentin e kontrollon kjo, nuk kontrollon dot Parlamenti qeverinë. Dhe është një qeveri tërësisht e pagjykueshme, sepse ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë e çdo gjë tjetër me qëllim, kështu që jemi në një situatë ku llogaridhënia në Shqipëri sot është zero!

Ka dy vjet që Prokuroria ka qenë në qendër të zjarrit që ka ndezur Shqipërinë. Hetimi i këtyre dosjeve, qoftë edhe një vendim….

Nuk është i Prokurorisë zotëri! Faji është i atyre që dhunuan Kushtetutën, është i atyre ndërkombëtarëve që certifikuan shkeljen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe thanë që Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, që është një term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë votuar me 140 vota, mund të zgjidhet edhe me 69 vota.

A keni frikë nga kjo reformë zoti President, personalisht? Ka pasur fjalë që SPAK-u e të tjerë do hetojnë zyrtarë të lartë, ku përmendet dhe emri juaj?

Zero, zero dhe më mirë nga të gjithë këtë gjë e di Edi Rama. Sepse unë në raport me ligjin jam njeriu dhe politikani më i kujdesshëm në Shqipëri. Sepse dua gjithmonë të ruaj pavarësinë time dhe integritetin tim. Këtë e dinë të gjithë, pyet edhe zotin Rama, pyet edhe zotin Angjeli edhe zotin Demeti, të gjithë që kanë qenë ministra me mua. Nuk ka kaluar kur ka qenë Ilir Meta kryeministër, nuk kalonte një vendim qeverie pa pasur konsensus nga të gjithë ministrat. Dhe të vetmet çështje që kanë pasur debate më të forta dhe për të cilat janë shtyrë 4 apo 5 herë mbledhjet e qeverisë derisa të bëheshin letrat në rregull kanë qenë çështjet që vinin nga Ministria e Kulturës, që nga çështja e fasadave, se janë aty procesverbalet, e kam edhe unë një kopje të tyre, ngaqë zotëria në fjalë nuk bënte dot letrat në rregull dhe nuk pranonte Ministri i Financave, nuk pranonte Ministri i Punëve Publike, zoti Demeti dhe shumë të tjerë që të miratonin letra, që nuk ishin në rregull dhe në përputhje me ligjin dhe rregullat financiare të shtetit.

A mendoni që SPAK-u, do sjellë një transformim në skenën politike shqiptare, duke ndëshkuar personat, që nuk janë ndëshkuar kurrë?

Zotëri, keni kaq kohë që flisni, do bëhet kjo, do bëhet ajo. Këtu u bë një legjendë e madhe sa të iki ky Prokurori i Përgjithshëm që ishte më përpara do fillojë hataja. U zgjodh Kryeprokurorja e re dhe nuk u zgjodh vetëm nga Edi Rama, por u zgjodh edhe nga EURALIUS dhe nga OPDAT-i. Se këto janë të vërtetat, në qoftë se ju nuk doni t’i thoni, nuk ndodhi as një çudi. Por mos të harrojmë se, kur të zgjidhet Prokurorja e Përkohshme në këtë mënyrë antikushtetuese, hapur flagrante, e gjithë kolona e hetimit në një shtet, se nga ajo bazohet, kush i ka bërë procedurat për KLP, kush i bën pastaj procedurat për SPAK-un.

Kriza zgjidhet vetëm me një marrëveshje për zgjedhjet apo kërkon një marrëveshje më të gjerë, që kërkon të shohë edhe Kushtetutën?

Për mua kriza zgjidhet duke filluar nga tronditja e themeleve të gjithë sistemit tonë që nga 2008-ta. Që nga prishja e balancave, që nga ato listat e mbyllura, sepse nuk jemi në një sistem të mirëfilltë parlamentar. Për mua është e rëndësishme vendi të rivendoset në shinat kushtetuese nga të cilat ka dalë i gjithë sistemi.

A duhet të ketë zgjedhje të parakohshme zoti President?

Tani unë nuk e di se si do zgjidhet kjo situatë pa zgjedhje.

Pra zgjedhjet janë zgjidhja e vetme?

Zgjidhja e vetme, në qoftë se do duhej një fjalë, është rikthimi i sovranitetit qytetarëve shqiptarë. Sepse ata kanë humbur sovranitetin e tyre në këtë vend. Zero është sot llogaridhënia në Republikën e Shqipërisë.

Zoti Meta a e keni menduar ndonjëherë shpërndarjen e Parlamentit dhe a e keni këtë kompetencë?

Unë do bëj çdo gjë që vendi të normalizohet sa më shpejt, siç e kam bërë në mënyrë të vazhdueshme. Unë do të sillem gjithmonë si President i Republikës së Shqipërisë, si një shtet i së drejtës dhe jo si një shtet i propagandës.

I qëndroni akoma idesë Zoti President, që Sorosi është shumë aktiv në Shqipëri dhe vazhdon të kontrollojë në nivele të larta qeveritare?

Deklaratave që unë kam dhënë nuk u kthehem mbrapsht.