DEKLARATË E PËRBASHKËT E PRESIDENTËVE MBI MARRËDHËNIET VËLLAZËRORE E TË PARTNERITETIT STRATEGJIK

46

DEKLARATË E PËRBASHKËT

E PRESIDENTËVE

TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË
KOSOVËS

MBI MARRËDHËNIET VËLLAZËRORE E TË
PARTNERITETIT STRATEGJIK

 

 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe
Presidenti i Republikës së Kosovës,

 

Të udhëhequr nga parimet dhe vlerat evropiane,

 

Duke i qëndruar qëllimit të përbashkët për
konsolidimin e lirisë, paqes, stabilitetit, dhe begatisë në të dy shtetet dhe
në rajonin ku bëjnë pjesë,

 

Të bindur në përfaqësimin më të mirë të
interesit strategjik të qytetarëve të të dy shteteve për integrim në familjet
evropiane dhe euro-atlantike,

 

Me besimin se “politika e zgjerimit” dhe e
“dyerve të hapura” për rajonin mbeten katalizatorë të sigurisë, demokracisë,
dhe zhvillimit,

 

Ranë dakord të:

 

Mbështesin ripërtëritjen e përpjekjeve të
qeverive të të dy shteteve respektive në zhvillimin e demokracisë, shtetit të
së drejtës, ekonomisë së tregut dhe kohezionit shoqëror me qëllim arritjen sa
më shpejt të standardeve evropiane;

 

Rikonfirmojnë vullnetin e ndërsjellë për
rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit vëllazëror e strategjik dhe me partnerët
ndërkombëtarë;

 

Shprehin mirënjohjen për vendet mike dhe
partnerët strategjikë për mbështetjen e pakursyer e të jashtëzakonshme që kanë
dhënë ndër vite,
përkrahje kjo e cila mbetet e domosdoshme edhe për të
ardhmen;

 

Përshëndesin riangazhimin e Bashkimit Evropian në
Ballkanin Perëndimor përmes Procesit të Berlinit, misionin e të cilit e shohim
në dritën e Delors për “Konkurrencën që nxit, bashkëpunimin që forcon dhe
solidaritetin që bashkon”;

 

Rikonfirmojnë vullnetin e sinqertë për bashkëpunim të
hapur dhe efikas me të gjitha vendet e rajonit në dobi të qytetarëve dhe të
proceseve integruese;

 

Shprehim solidaritetin ndaj sfidave që përballin vendet
mike dhe partnerët tanë strategjikë dhe zotohen për të dhënë kontributin e dy
shteteve respektive në ballafaqimin me këto sfida;

 

Refuzojmë me vendosmëri çdo alternativë tjetër që bie
ndesh me projektet strategjike të integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe
nxisin veprim të koordinuar, duke u përqendruar në:

 

1.   
Përshpejtimin simetrik të proceseve të integrimit të të
gjitha vendeve të rajonit që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO;
integrimi në BE dhe NATO mbeten procese thellësisht politike, me ndikim të
jashtëzakonshëm në përfundimin e proceseve të paqes në rajon;

 

2.   
Hartimin e një dokumenti strategjik për anëtarësimin e
plotë të Kosovës në BE dhe NATO;

 

3.   
Liberalizimin sa më të shpejtë të vizave ndërmjet
Bashkimit Evropian dhe Kosovës, me angazhimin se Kosova do të bëjë çdo
përpjekje, të zgjidhë, në mirëbesim dhe mirëkuptim të ndërsjelltë, çështjet që
lidhen me marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me fqinjin e saj, Malin e
Zi;

 

4.   
Vazhdimin e fazës përfundimtare të dialogut për
normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë,
duke ftuar një angazhim të ripërtërirë të BE-së dhe pjesëmarrje të
drejtpërdrejtë të ShBA-ve, me qëllim njohjen përfundimtare të Kosovës si shtet
sovran e i pavarur nga ana e Serbisë, si një proces që do të ketë efekte
pozitive për të gjithë rajonin.

 

Prishtinë, më 11 tetor 2017.

 

           Presidenti                                                           
Presidenti

i Republikës së Shqipërisë                                    i
Republikës së Kosovës

             Ilir Meta                                                            Hashim
Thaçi