Deklaratat e Ramës, Tirana i përgjigjet Moskës

589
Vazhdojnë polemikat mes Tiranës dhe Moskës për zhvillimet në Maqedoni dhe miratimin nga Parlamenti të ligjit për gjuhët. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i është përgjigjur me dy mesazhe në “Twitter” reagimit të Rusisë ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama mbi ligjin për gjuhën shqipe në Maqedoni, duke shprehur keqardhje ndaj Moskës. Kjo e fundit shprehu shqetësim dhe akuzoi Ramën se po vijon të promovojë të ashtuquajturën “Platforma e Tiranës”, që sipas Rusisë cenon themelet e shtetit të Maqedonisë. Por sipas Tiranës zyrtare, Ministria e Jashtme ruse i ka keqinterpretuar komentet e Ramës. “Ne vlerësojmë kalimin e ligjit, pasi ai plotëson një nga angazhimet kyçe të Marrëveshjes së Ohrit”. Ministria e Jashtme në Tiranë nënvizon se, ajo qëndron jashtë çështjeve të brendshme të Maqedonisë dhe se investohet për harmoninë etnike në Ballkan. Ndërkohë presidenti Ivanov deklaroi se nuk do ta nënshkruante ligjin për gjuhët që miratoi parlamenti i Maqedonisë para një jave. Ai theksoi se arsyetimin ia ka dërguar Parlamentit, ndërsa u bëri thirrje ligjvënësve që t’i rishikojnë vërejtjet e tij. “Ligji u miratua pa një debat publik, pa u konsultuar me ekspertët dhe pa opozitën”, thekson presidenti maqedonas, duke shtuar se ligji po ashtu u miratua pa një direktivë të Bashkimit Evropian. Presidenti Ivanov shkruan më tej se në punën e tij gjithmonë ka respektuar Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve të vendit. Ai vlerëson se miratimi i ligjit synonte arritjen e pikëve politike nga parti të caktuara.
Sigal