Deklaratat e Ramës për Kosovën/ Spaho: Vendosja e taksës në ‘Rrugën e Kombit’, ‘patriotizmi’ yt më i madh

476
Sigal

Kryeministri Edi Rama dhe ideja e tij e përbashkët me Aleksander Vuçiç, për një mini-Shengen Ballkanik, po kundërshtohet gjithmonë e më shumë, jo vetëm nga opozita në Tiranë, por edhe nga politika në Kosovë.

Edhe vetë aleati i tij më i madh në aventurën e ndryshimit të kufijve, Hashim Thaçi, këtë herë e la në baltë.

I tronditur nga zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ai e bojkotoi takimin e Ohrit duke e detyruar Ramën të bëjë një deklaratë të fortë: “Kosova u vetëpërjashtua”.

Lidhur me këtë situatë reagon edhe nënkryetari i PD, Edmond Spaho.

I nxitur nga deklarata e kryeministrit Rama se ky projekt synon heqjen e kufirit me Kosovën, Spaho shprehet se deklarata e tij, është thjesht një sharlatanizëm.

“Çfarë kufiri do heqë ky sharlatan me Kosovën? Me Kosovën ka vite që ka vetëm një kontroll të përbashkët në kufi dhe lëvizet me kartë identiteti. Ka zhvilluar disa mbledhje të përbashkëta qeverie me Kosovën por nuk ka asnjë progres në heqjen e tarifave doganore, unifikimin fiskal, unifikimin e programeve mësimore në shkolla, njohjen e diplomave, sigurinë ushqimore, etj.

E vetmja masë që ka marrë gënjeshtari i përjetshëm është vendosja e taksës në Rrugën e Kombit për kosovarët dhe mallrat që hyjnë nga Kosova. Pas kësaj “patrioti” i madh flet për heqje kufiri me Kosovën”, shkruan Spaho në reagimin e tij.