Deklaratat e Komisionerit Avramopulos, reagon Gjosha: Rikthimi i vizave, parandalimi duhet të ndodhë sot

513
Sigal

Ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha me anë të një postimi ka reaguar në lidhje me deklaratat e nga Komisioneri Avramopulos mbi rikthimin e vizave për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet që shkelin rregullat e lëvizjes së lirë.

Gjosha e ka cilësuar një deklaratë të tillë si sinjal alarmi, teksa ka shtuar se parandalimi për heqjen e vizave duhet të ndodhë sot.

POSTIMI:

Sot erdhi një sinjal alarmi nga Komisioneri Avramopulos mbi rikthimin e vizave për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet që shkelin rregullat e lëvizjes së lirë.

I bëj thirrje qeverisë shqiptare ta trajtojë këtë çështje me seriozitet duke bashkëpunuar me partnerët europianë. Ministria e Brendshme dhe Policia e shtetit luajnë një rol kyç në përmbushjen e këtij detyrimi.

Ndërkohë dëshiroj të rizgjoj Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme se është detyrë e saj kryesore të koordinoj të gjitha kërkesat e ardhura nga BE me institucionet e tjera përgjegjëse. Është urgjente miratimi i një plani masash për parandalimin e fenomenit të azilkërkuesve, duke analizuar në thelb pse ndodh ky fenomen, cilat janë shkaqet, duke filluar me trajtimin e çështjes në gjenezë si pasojë ekonomiko-sociale!

Çështja është një emergjencë sepse ajo vjen edhe pas një kërkese zyrtare të ardhur nga Hollanda për pezullimin e vizave si dhe ngritjes së këtij problemi edhe më parë nga Franca, Belgjika dhe shumë partnerë të tjerë europianë.

Parandalimi duhet të ndodhë sot, nesër mund të jetë shumë vonë dhe me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë! Të gjithë kemi në memorien tonë radhët e gjata në ambasada. Uroj që kjo t’i përkasë vetëm të shkuarës, sepse e ardhmja duhet t’i përkasë Shqipërisë europiane dhe jo Shqipërisë rrethuar nga kufijtë dhe izolimi!