Deklarata të turpshme për vdekjen e 11- vjeçarit

1274
Sigal

Mjekët shpejtojnë të përligjin vdekjen e vogëlushit, përpara se mjekësia ligjore të japë ekspertizën

Vogëlushi 11- vjeçar Denis Almadhi, vdiq në sallën e operacionit, në duart e mjekëve, të cilët i bënë një operacion plastik, jo në klinikën e duhur. Prindërit e vogëlushit, që e çuan 11- vjeçarin përdore në sallën e operacionit dhe e morën në arkivol, presin një përgjigje nga ekspertiza mjekësore ligjore. Mirëpo, menjëherë mjekët, përpara se të flasë ekspertiza mjekësore, filluan me deklarata të …përligjin një vdekje të 11- vjeçarit, në sallën e operacionit. Kështu shoqata shqiptare e anestezi reanimacionit, nëpërmjet një deklarate shtypi, të firmosur nga Prof. Dr. Tritan Shehu dhe Mihal Kerci, na “informon” se komplikacioni ka “ndërlikim të lartë mortaliteti dhe aktualisht nuk ekziston ndonjë antidot i veçantë për të luftuar këtë komplikacion të hipertermi malinje”. Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj ka reaguar gjithashtu, për vdekjen e vogëlushit, duke përjashtuar nga ky rast fajin e mjekëve. Nëndrejtori i QSUT, Besim Boçi shkak për vdekjen nuk bën anestezinë, por anomalitë e trashëguara të vogëlushit. Mirëpo  të gjithë këta mjekë, që po bëjnë këto deklarata  për pafajësi të mjekëve në vdekjen e 11-vjeçarit,  nuk i përgjigjen asaj pyetjeje të nënës të 11-vjeçarit, i cili vdiq i pandihmuar në sallën e operacionit. Pasi u shfaq komplikacioni, përse në sallën e operacionit nuk ishte ilaçi i kërkuar? Sikurse pohoi për “Telegraf”, Prof. Dr. Pëllumb Piperaj, drejtor  i përgjithshëm i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, çdo ekip mjekësor duhet të jetë përgatitur për çdo situatë që mund të ndodhë në operacion, për të bërë të mundur përballimin e tyre. Nuk duhet të ndodhë, si në rastin konkret, që të kërkohet medikamenti në momentin që pacienti është gjatë operacionit apo edhe më keq akoma kur anestezia ( apo sikurse thuhet në gjuhën popullore narkoza) ka dhënë reaksionin. Atëherë, gjithë mjekët, që nxituan të deklarojnë pafajësinë e mjekëve që operuan 11-vjeçarin, përse nuk presin, së pari, analizat e ekspertizës të mjekësisë ligjore, por paraprakisht, japin pafajësinë? Përse gjithë këta mjekë, me peshën e titujve shkencorë, nuk kërkojnë shkaqet përse në sallën e operacionit nuk ishte ilaçi antidot për të përballuar komplikacionin? A i kishin bërë të gjitha analizat 11-vjeçarit përpara se ta shtronin në sallën e operacionit? A e kishin zbuluar nga analizat, mjekët çrregullimin gjenetik të 11-vjeçarit dhe pastaj të vendosnin nëse duhej ta operonin? Ata profesorë mjekë që nxituan të jepnin pafajësinë e mjekëve në vdekjen e 11-vjeçarit, a mund të kërkojnë te mjekët kirurgë, që janë përgjegjës të vdekjes të Denis Almadhi,  përgjigjen e pyetjeve që parashtruam? Duke qënë se deklaratat e profesorëve mjekë u bënë pa asnjë analizë ekspertize, duke qenë se ata nuk shpjegojnë përse mungoi antidoti në sallën e operacionit, ato deklarata janë të turpshme për të përligjur vdekjen e 11-vjeçarit, Denis Almadhi.