Deklarata për bashkimin kombëtar, Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Shkaqet janë në Bruksel

444
Prof. Dr. Lisen Bashkurti, diplomat dhe njohës shumë i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se deklarata e kryeministrit Rama për bashkimin Shqipëri-Kosovë i ka shkaqet në Bruksel, sepse nëse BE-ja do shndërrohet në një NGO këshillimore e dogmatike, atëhere shqiptarët nuk kërkojnë alternativë jashtë BE-së, por kërkojnë alternativën e bashkimit të të dy shteteve tona. Prof. Bashkurti konstaton se “BE ka ulur prioritetin e zgjerimit ndaj Shqipërisë dhe Kosovës”, pasi “kontinenti ynë po kalon nga eurocentrizmi i vjetër në egocentrizmin e ri. Të dyja janë qasje në kundërshtim me vlerat që prodhuan arritjet e mbas Luftës II Botërore”. Prof. Bashkurti pohon se Shqipëria asnjëherë nuk ka qënë rrezik për fqinjët dhe termi “Shqipëri e madhe” është fiksion i kokave të zhbalancuara të nacional-shovinizmit të vjetër të “Nacertanies” së Serbisë (1844) dhe të Megali Idea-s të Greqisë (1821). Nuk ka Shqipëri të madhe dhe të vogël. Fabrikat e albanofobisë në Ballkan, me qendra në Greqi dhe Serbi prodhojnë mure të brendshme midis popujve tanë, mure që ngrihen mbi frikë, urrejtje dhe armiqësi. Ekzistenca e albanofobisë në Greqi dhe Serbi është problem i brendshëm i tyre. 
– Zoti Bashkurti, cila është domethënia e deklaratës së Kryeministrit Edi Rama se “Shqipëria e Kosova do të bashkohet në mënyrë klasike, dhe kjo do të ndodhë “si një reagim ndaj një verbërie, apo një përtacie europiane”?
– Shqipëria dhe Kosova kanë hyrë në procesin e integrimit në BE. Për të dy shtetet, integrimi në BE është strategji e përbashkët. Edhe prioritetet e të dy vendeve ndërlidhen e kushtëzohen nga procesi i integrimit në BE. Gjithçka na lidh me aspiratën europiane. Asgjë nuk na ndan prej saj. Në këtë proces, Shqipëria dhe Kosova po bëjnë një investim të madh politik, juridik, administrativ dhe ekonomik. Ky investim, në jo pak raste, bëhet me sakrifica të konsiderueshme qytetare. Madje, në disa fusha, investimi drejt BE-së bëhet përmes masave të forta shtërnguese, të cilat marrin përmasa jo fort popullore, për të mos thënë që janë të rënda për qytetarët. E megjithatë, ndryshe nga gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, shqiptarët, në të dy anët e kufirit, në Kosovë e Shqipëri vijojnë të mbështesin politikat integruese, pavarësisht kostos që po paguajnë dhe mbeten sipas sondazheve, populli më pro-europian dhe pro-amerikan në kontinent. Kjo është tabloja jonë e brendshme.
– A po i përgjigjet BE-ja me të njëjtën dëshirë e vullnet aspiratave tona europiane? 
– Tabloja në nivelin europian ruan një startegji të përgjithshme për zgjerimin e BE-së. Mirëpo, brenda kësaj strategjie, duket fare qartë se prioritetet kanë ndryshuar. Politikat e zgjerimit nuk janë prioriteti kryesor i BE-së, së paku për një periudhe 5-7 vjeçare. Tre prioritet të tjera kanë spostuar më poshtë politikat e zgjerimit të BE-së. 
– Cilat prioritete ju duken se kanë zhvendosur agjendën e BE-së, lidhur me politikat e zgjerimit të integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës? 
Së pari, është kriza ekonomiko-financiare, sidomos kriza e eurozonës. BE duket se ka hyrë në një rreth të mbyllur pa një rrugëdalje afatshkurtër. Greqia është është përballë dilemës së madhe: të qëndrojë apo të dalë nga Eruozona. Për këtë Greqia po kërkon me ngulm rishikimin e termave të marrëveshjes për shlyerjen e borxhit në bisedimet me Trojkën, si dhe po qëmton alternativa të tjera ekonomike ndërkombëtare. Alternativa më e fundit lidhet me dorën e shtrirë greke ndaj Rusisë. Rusia është e gatshme për ndihmë, por më kushtin që Greqia të bllokojë me veto sanksionet e BE-së kundër saj. Kjo do sillte shndërrimin e krizës së Eurozonës në krizë politike midis BE-së dhe Rusisë. Palë të treta po fërkojnë duart që kjo të ndodhë. Italia, ndonëse nuk është në prag të kolapsit, si Greqia dhe që nuk ka vënë në diskursin politik daljen nga Eurozona, sërish ndodhet në një krizë të rëndë, pesha e të cilës rëndon shumë më tepër në Eeropë dhe në financat e Erozonës për shkak se ekonomia italiane është ndër katër më të mëdhatë e BE-së. Rënia e ekonomisë greke dhe italiane ka pasoja direkte mbi Ballkanin Perëndimor. Për shkak të hapjes së tregjeve ekonomike e financiare, efektet e dy ekenomive më të rëndësishme për rajonin tonë do të sillnin një krizë shumë të thellë e afatgjate në ekonomitë tona. 
Së dyti, BE-ja ka prioritet të lartë adresimin e krizës së sigurisë në Vendet e Magrebit dhe në ato të Lindjes së Mesme. Vijimi i destablitetit politik e social në Tunizi, Libi, Egjipt, Irak dhe Siri me ISIS në qendër – janë faktorë që ballafaqohen me Jugun dhe Lindjen e BE-së. Europa është direkt e përfshirë në këtë krizë. Dobësimi i Greqisë e më pas i Qipros do jepnin goditjet e fundit të destabilitetit të të gjithë Mesdheut. Ngushtica e Gjilbraltarit, Kanali i Suezit, etj rrezikojnë rrugët lundruese ndërkombëtare. Mirëpo BE ka pak struktura sigurie. Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë krizat politike të këtij rajoni po shndërrohen në kriza serioze humanitare, të karakterizuara nga valë milionshe refugjatësh drejt BE. I paaftë për të ndikuar në menaxhimin e kësaj krizë komplekse, BE është përqendruar kryesisht në përpjekjen për izolimin e krizës humanitare, pra të frenimit artificial të valës biblike të refugjatëve të pashpresë. Ky reduktim i konceptit të menaxhimit të krizës në Mesdhe dhe Lindje të Mesme vetëm tek frenimi i emigracionit drejt BE është ndikuar edhe nga paniku i terrorizmit, që po prodhojnë organizata të shumta terroriste nga zonat e lartpërmendura të krizave. BE ka rënë në panik. Ka humbur dinamikën dhe optimizmin për menaxhimin e shpejtë të krizës së “Pranverës Arabe”, që po kthehet në “Stuhi Arabe”.
Së treti, duke filluar nga viti 2014, BE-ja po përballet gjithnjë e më seriozisht me krizën e Ukrainës. E vendsour midis BE dhe Rusisë, Ukraina filloi si krizë politike dhe ekonomike lokale, por shumë shpejtë u shndërrua në krizë dy palshe me Rusinë e më pas në një krizë Euro-Ruse. Palët i janë kthyer termave të Luftës së Ftohtë. Personalisht nuk shoh askund në materialet publike që BE të ketë një strategji të qartë për daljen nga kjo krizë, e cila tanimë është edhe krizë strategjike midis Perëndimit dhe Rusisë. 
– A mund të funksionojë normalisht procesi i integrimit të vendeve tona në BE, nëse nuk kemi një përputhje strategjishë dhe prioritetesh midis nesh dhe BE?
– Politikat e zgjerimit kanë rënë shumë poshtë në listën e prioriteteve të BE. Ndërkohë, Shqipëria dhe Kosova vijojnë ta kenë integrimin në BE prioritet themelor. Pra, ndodhemi përballë një asimetrie prioritetesh: BE ka ulur prioritetin e zgjerimit ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa këto dy vende të fundit vijojnë të mbajnë integrimin prioritetin më të lartë. Kjo nuk funksionon. Integrimi është proces i dyanshëm dhe funksionon si i tillë, nëse të dy palët e kanë strategji dhe prioritete të të njëjtit nivel. Këtu e ka burimin edhe deklarata e Kryeministrit Rama, e cila shpreh në thelb shqetesimin serioz të Shqipërisë dhe Kosovës me këtë qasje asimetrike të BE drejt politikave të zgjerimit. 
– Mos doni të thoni se Shqipëria e Kosova po shkojnë drejt një alternative të re, apo drejt një strategjie tjetër për të përballuar sfidat së bashku përpara vajtjes në Bruksel? 
– Kryeministri Rama dhe udhëheqja e Kosovës janë zgjedhur nga qytetarët e vet dhe përfaqësojnë dëshirat dhe nevojat e tyre. Tensionet në ngritje në Tiranë dhe kriza eksodike në Kosovë mbajnë edhe vulën e përgjegjësive të BE. BE ka marrë rolin e predikatorit që vetëm këshillon si një NGO institucionet dhe qytetarët tanë, pa dhënë asnjë ndihmë serioze ekonomiko-financiare dhe pa asnjë projekt madhor zhvillimi ekonomik e social. Përfaqësuesit e BE me retorikën e përsëritur dhe me zero-kontribut investimesh po zbehin ëndrrat e popujve tanë dhe po i shndërrojnë ato gradualisht nga pro-europianistë në euroskeptikë. BE po mbjell eurofobi tek qytetarët tanë. Kjo sjellje do ketë pasoja në vitet që do vijnë. Ballkani i vogël e ka futur Evropën shpesh në telashe të mëdha, të cilat kontinenti i ka paguar shumë shtrenjtë. Më duket se BE i është rikthyer diplomacisë së stilit të shekullit 19-të, që u tregua e paaftë për të parandaluar krizën ballkanike, e cila shërbeu si prolog i luftrave botërore. Ballkani nuk është në luftë. Por, Ballkani nuk është as në paqe. Në këtë konjukturë europiane, qeveritë e Shqipërisë e Kosovës do të duhet të kërkojnë alternativa për zhvillim ekonomik e social. Shqiptarët nuk po kërkojnë alternativë jashtë BE, por alternativën e bashkimit të të dy shteteve tona, në rast se BE do shndërrohet në një NGO këshillimore e dogmatike. Deklarata e Kryeministrit Rama nuk është kërcënim për askënd. Brengat e Serbisë janë paranoja historike të një politike të lajthitur prej nacional-shovinizmit prej më shumë se një shekulli. Shqipëria është anëtare e NATO-s e si e tillë strategjikisht vepron nën Traktatin e Uashingtonin (1949), ndërsa Kosova tani po krijon forcat e saj të armatosura modeste vetëm me karakter mbrojtës dhe për sigurimin e sovranitetit e territorialitetit shtetëror. Edhe të dy shtetet së bashku “nuk kanë dhëmbë për të kafshuar askënd”. Madje, edhe në rafshin ekonomik, bashkimi ekonomiko-tregtar i Shqipërisë me Kosovës sjell vetëm benifite për popujt tanë, pa arritur në nivele kompetitive rrezikuese për vendet e tjera të Ballkanit. Bashkimi Shqipëri-Kosovë krijon vetëm një balancë fuqish në rajon. Dhe balanca e fuqive prodhon fitore për gjithë, ose fitore pa të humbur. 
– A është në kohën dhe në momentin e duhur, parë në aspektin e realitetit politik të ngjarjeve në Ballkan dhe më tej në rajon, kjo deklaratë për bashkimin Kosovë-Shqipëri?
– Termi “kohë” është shumë relativ. BE lypset të jetë më i pranishëm me investimet në vendet tona, si dhe mbështesë më shumë aspiratën e popullit të Kosovës për integrimin europian. Deklarata është bërë nga Kryeministri Rama në Tiranë, por shkaqet e saj janë në Bruksel. Në rast kohe krizash çdo shtet kërkon alternative dalje, pra ndërton startegji anti-krizë. Greqia po e kërkon alternativën anti-krizë jashtë BE, në Moskë. Shqipëria dhe Kosova po e kërkojnë alternativën anti-krizë brenda BE, në bashkimin e tyre bazuar në vlerat europiane dhe interesat kombëtare. Vlerat europiane dhe interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë kundërshtuese, por komplementare. 
– A përmban në vetvete kjo deklaratë e Kryeministrit Rama idenë e “Shqipërisë së Madhe”?
– Absolutisht jo. Termi “Shqipëri e Madhe” është fiksion i kokave të zhbalancuara të nacional-shovinizmit të vjetër të “Naçertanies” së Serbisë (1844) dhe të Megali Idea-s të Greqisë (1821). Nuk ka Shqipëri të madhe dhe të vogël. Nga pikpamja etno-kulturore ka një komunitet shqiptar autokton me territor të integruar, me popullsi të qëndrueshme, me histori, kulturë dhe gjuhë të njëjtë si dhe me një harmoni multi-konfesionale unike në botë. Nga pikpamja politike, kemi dy shtete shqiptare të pavarura dhe sovrane. Historia politike e Ballkanit, në të cilën fuqitë europiane kanë qenë të futura thellë, se paku nga “Koncerti i Europës” e këndej, tregon në çdo faqe të saj se kanë qënë doktrinat e “Shteteve të Mëdha” të Serbisë dhe Greqisë, që kanë prodhuar katër luftra ballkanike dhe dy luftra botërore. Në asnjë rast shqiptarët nuk kanë qënë prodhues luftrash, por viktima të tyre. As sot shqiptarët nuk kanë as doktrinë dhe as kapacitete për të krijuar një Shqipëri përtej realiteteve etno-kulturore dhe politike Shqipëri-Kosovë dhe as për të destablizuar Ballkanin. 
– A ka vend që të kritikohet politika e BE-së, përsa i përket qasjes që ajo ndërton ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, në proçesin e integrimit?
– Shumë. Jashtëzakonisht shumë. Unë pajtohem plotësisht me fjalimin kritik që mbajti përpara PE-së, Papa Francesku, kur e quajti Europën të plakur dhe pa dinamizëm. Do t’i shtoja edhe kritika të tjera, që lidhen me ekzistencën e fobive të lodhjes dhe të mungesës së kreativitetit dhe inovacionit. Kontinenti ynë po kalon nga eurocentrizmi i vjetër në egocentrizmin e ri. Të dyja janë qasje në kundërshtim me vlerat që prodhuan arritjet e mbas Luftës II Botërore. Edhe dukuritë ekstremiste politike, që po shpërthejnë në Europë nga ekstremizmi i majtë te ekstremizmi i djathtë në shtete dhe korrente politike të ndryshme i kanë rrënjët në këto dukuri. 
– Meqë kryeministri Rama shtroi dy rrugët e mundshme të bashkimit Shqipëri-Kosovë, ju mendoni se këto janë rrugët, që ndoshta në të ardhmen, do të çojnë në bashkimin Shqipëri-Kosovë?
– Ka shumë rrugë dhe mënyra për realizimin e aspiratës legjitime të Shqipërisë dhe Kosovës për bashkim ndërmjet tyre. Në politikën ndërkombëtare luhet me shumë terma. Vetë shkencat shoqërore nuk janë si shkencat natyrore, ato janë konjitive, pra të ndikuara nga idetë, ndjenjat, emocionet, përceptimet, imazhet e influencat lokale, rajonale e globale. Me rëndësi është që procesi ynë i bashkimit Shqipëri-Kosovë nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare publike, nuk është në kundërshtim me parimet e integrimit Euro-Atlantik, nuk është në kundërshtim me praktikën e pranuar ndërkombëtare dhe as nuk cënon hartën politike të fqinjëve tanë dhe të Ballkanit përgjithësisht. Bashkimi është një proces dhe jo një akt i vetëm. Si i tillë, kalon nëpërmjet një kohe të caktuar dhe në kushte e rrethana të caktuara. 
– Deklarata e kryeministrit Rama, a justifikon reagimin e ashpër të kryeministrit serb, por edhe grekët?
– Greqia dhe Serbia janë fabrikat e albanofobisë prej më shumë se një shekull. Këto fabrika albanofobie duket se tanimë kanë themeluar një “joint-venture” kundër qasjes së bashkimit Shqipëri-Kosovë. Natyrisht, politika ndërkombëtare nuk është dashuri. E mira është që të mos jetë as armiqësi. Por të ketë së paku institucionin e respektit. Mirëpo, atje ku ka fobi, nuk ka as respekt. Fabrikat e albanofobisë në Ballkan, me qëndra në Greqi dhe Serbi prodhojnë mure të brëndshme midis popujve tanë, mure që ngrihen mbi frikë, urrejtje dhe armiqësi. Ekzistenca e albanofobisë në Greqi dhe Serbi është problem i brëndshëm i tyre, është recidivë e mentaliteteve të vjetra dhe i mendësive të sëmura në qarqe politike dhe institucionale në këto dy fqinjë tanë. 
– Mendoni se me këtë deklaratë, u hodhën hapa mbrapa dhe u shtrinë edhe hije mosbesimi përsa i përket ndërtimit të marrëdhënieve të mirëbesimit reciprok midis Shqipërisë dhe Serbisë?
– Jo aspak. Asgjë anti-serbe nuk ka në deklaratat e Kryeministrit Rama. Z.Rama, me qëndrimet, veprimet dhe me inciativat e tij, ka dëshmuar më shumë se çdo kryeministër tjetër shqiptar dhe serb se është për një politikë të re, të bazuar në finjësinë e mirë, në bashkëpunimin me interes të ndërsjelltë reciprok, ku të respektohen vlerat dhe interesat e secilit shtet si dhe paqja, stabiliteti, zhvillimi ekonomiko-social dhe integrimi Euro-Atlantik. 
Sigal