Deklarata për Akropolin: Reagojnë mediat greke: “Injoranti i historisë Edi Rama”

550
Sigal

“Provokon
Edi Rama”, “Sfidon Edi Rama”, “Injoranti i historisë Edi Rama”, “Injorancë që
të bën për të qeshur”, me këto tituj kanë reaguar gazetat dhe websitet greke
pas një postimi në ‘Facebook’ të kryeministrit Rama, sipas të cilit Akropoli
nuk do të ekzistonte, nëse nuk do të ishin shqiptarët. Athina zyrtare nuk ka
reaguar por mediat e kanë cilësuar provokim dhe injorancë historike atë që Rama
shkruan në lidhje me historinë e Akropolit.

Duke postuar një gravurë të vjetër
të Athinës të vitit 1670 Rama shkruan se “kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670
(qytet në të cilin, sipas princit grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, popullsia
autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare), na kujton, se nëse
Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit,
kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës,
Gjergj Dushmanit, i cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco
Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty
ndodhej një garnizon turk.

Mediat shkruajnë se Rama injoron
faktet themelore të tregimit, pasi sipas tyre, as Gjergj Dushmani (Jorgo
Dousmanis) dhe as “Kryepeshkopi i Athinës”, në vitin 1686 nuk ishin shqiptarë!

“Me ofensivë të paparë,
nacionalizëm ekstrem ka reaguar kryeministri shqiptar Edi Rama në deklaratën e
ministrit të Jashtëm grek për banesat në Himarë”- shkruajnë mediat greke.
ProNews shkruan se Rama nuk është aspak në dijeni të historisë së vërtetë të
Akropolit: “Edhe një herë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli për çështjen
e Himarës. Edi Rama publikoi në adresën e tij në Facebook një gravurë ku dukej
Athina e vitit 1670 dhe shkruajti se Akropoli vazhdon të qëndrojë falë shqiptarit
Gjergj Dushmani, që i kërkoi venecianëve të mos bombardonin Athinën. Duket se
Zoti Rama ka harruar pjesë kryesore të historisë për arsyen se Gjergj Dushmani
nuk ishte as arianitas, dhe se shqiptarët e tjerë nuk kanë të bëjnë aspak me
shqiptarët e sotëm. Injoranca e kryeministrit shqiptar është për të qeshur”
-shkruan ProNews.