Deklarata e Vlahutin për drogën

650
Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, foli në një intervistë për “Dojçe Vele” për çështjen e drogës, për të cilën ajo është akuzuar nga opozita se ka heshtur. Edhe në këtë deklaratë, diplomatja e Brukselit vlerësoi vetëm anët pozitive të aktivitetit qeveritar. “Kur Përfaqësuesja e Lartë e BE ose Komisioneri flasin për reformat në një vend, të lidhura me BE, vlerësimi i tyre bazohet në shumë burime informacioni dhe nëse ata thonë publikisht se Shqipëria po përparon, kjo do të thotë vetëm një gjë: që institucionet e BE-së kanë identifikuar se ka në fakt përparim. Po sjell si shembull problemin e kanabisit: të gjitha të dhënat tregojnë se kultivimi i kanabisit ka qenë për dekada të tëra një problem në Shqipëri. Ne i vumë në dukje qeverisë nevojën për një plan të menjëhershëm, vendimtar dhe të qëndrueshëm për çrrënjosjen e plotë të kanabisit, një herë e përgjithmonë. Ministritë përkatëse, të ndihmuara nga ekspertë ndërkombëtarë, hartuan një strategji që u zbatua që në fillim të vitit 2017. Dhe ja ku janë rezultatet: në vitin 2017 ka një rënie dramatike të numrit të plantacioneve të kanabisit dhe ne po presim të shohim, këtë pranverë, paketën tjetër të të dhënave nga fluturimet mbikqyrëse, (të kryera nga Guardia di Finanza)”, tha Vlahutin.
Sigal