Deklarata e papritur e Ramës për Tahirin: E kam mbështetur, të hetohet e vërteta

545
Kryeministri Edi Rama reagon për herë të parë lidhur me përmendjen e emrit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, nga një person i ndaluar në Itali, për trafik droge. “Duam të vërtetën! Sa më parë”, shkruan kreu i qeverisë, në një postim të bërë ditën e djeshme në Facebook. Ai thotë se është e neveritshme dhe shokuese ç’ka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve. Rama deklaron se Saimir Tahirin e njeh prej vitesh dhe ka pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet. Por ai nënvizon se, Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, thotë ai, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet. “Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdo qoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam -Me shtet, punë, mirëqenie. Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!”, thotë në mbyllje të qëndrimit Kryeministri. Mediat italiane shkruan sot se Moisi Habilaj i arrestuar ditën e djeshme në shtetin fqinj, ka mbërritur në Siçili së bashku me bashkëpunëtorin e tij Sabi Çelaj me automjetin Audi të ish-ministrit Saimir Tahiri. “Moisi Habilaj, kushëriri i Saimir Tahirit, në Siçili ishte ura kryesore lidhëse me trafikantët e mëdhenj të drogës, të cilët mund të blinin me para në dorë qindra kilogramë marijuanë për ta shitur më pas në tregjet e drogës në Katania, Sirakuza e Raguza”, shkruajnë mediat italiane. Mediat italiane, kanë nxjerrë edhe një përgjim të Moisi Habilajt, ku thoshte se “30 mijë euro duhet t’ia dërgonte Saimirit”.
Sigal