Deklarata e fortë/ ‘Ikën edhe ata që ishin, mos prisni investime amerikane’

448
Flet Mark Crawford, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCHam). “Për investitorët amerikanë, zgjerimi drejt tregjeve të tjera duket se nuk do të jetë një prioritet, pasi politika e qeverisë Trump po orientohet drejt uljes së taksave, drejt nxitjes së tregut vendas dhe të moslargimit të investitorëve. Në këto kushte, asnjë investitor amerikan nuk do të dojë të vijë në Shqipëri për shkak të taksave, kjo është e qartë”-thotë ai.
Unë kam 20 vjet që e njoh rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe vështirësitë politike kanë qenë gjithmonë të pranishme dhe janë të zakonshme. Investitorët që kthejnë sytë nga ky rajon dhe shohin mundësitë për të bërë biznes janë të mësuar me këto situata.
Natyrisht, gjendja aktuale politike e Shqipërisë nuk e ndihmon mjedisin e të bërit të biznesit. Bota e sipërmarrjes natyrisht vëzhgon se çfarë po bëhet me angazhimin e SHBA-së sa i përket Reformës në Drejtësi. Ne si Dhoma Amerikane e Tregtisë nuk jemi direkt të përfshirë në këtë proces, por natyrisht ofrojmë informacione, pasi çdo biznes ka të drejtë të dijë se çfarë realisht po ndodh. Ne mbështesim në të gjitha format atë që po bën Ambasada Amerikane në lidhje me Reformën në Drejtësi.
Por, në lidhje me atë se çfarë do të bëjnë investitorët përballë situatës politike në vend, zgjedhjeve apo edhe fillimit të zbatimit të reformës, mund të them se në Shqipëri ka tre tipologji investitorësh: investitorët që janë aktualisht këtu janë marketingu më i mirë për Shqipërinë, ata që do të duan të vijnë do të shikojnë se çfarë do të ndodhë me vendin, se cila do të jetë qeveria e ardhshme, a do të ketë ndryshime në forcë apo edhe mes koalicioneve, ndërkohë që janë edhe ata që janë larguar apo që mund të mendojnë të largohen. Këta të fundit nuk shqetësohen në lidhje me atë se çfarë do të ndodhë. Politikisht, vendi mund të jetë i qetë, mund të jetë mikpritës, por nëse pyet ata që duan të bëjnë biznes të thonë se tregu është i vogël, gjuha është unike, mjedisi nuk është edhe shumë i favorshëm.
Për investitorët amerikanë, zgjerimi drejt tregjeve të tjera duket se nuk do të jetë prioritet, pasi politika e qeverisë Trump po orientohet drejt uljes së taksave, drejt nxitjes së tregut vendas dhe të moslargimit të investitorëve nga SHBA. Në këto kushte asnjë investitor amerikan nuk do të dojë të vijë në Shqipëri për shkak të taksave, kjo është e qartë.
Në fakt, duhet të jetë më e natyrshme që vendet të krijojnë marrëdhënie më të ngushta me fqinjët e tyre dhe kjo është e vlefshme edhe në rastin e Shqipërisë. Madje i tillë është edhe rasti i Kosovës me Serbinë që, edhe pse kanë probleme mes tyre në marrëdhëniet tregtare, kanë shifra të larta.
Kur unë u caktova në postin e presidentit të AmCham rreth katër vite më parë, të parët në listë ishin investimet kanadeze, të ndjekura nga ato amerikane, si dhe të shteteve të tjera. Por, nëse shohim sot është e vështirë që të gjenden investitorët nga Amerika e Veriut. Ndaj nuk do të thosha që ata po largohen, por ata tashmë janë larguar. Arsyet e largimit të tyre kanë pasur të bëjnë me kalimin në arbitrazh, me vonesat e rimbursimit të TVSH-së, me problemet me energjinë elektrike, me korrupsionin.
Në këto kushte, fillimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi është një sinjal pozitiv për vendin. Ajo është baza. Nëse të gjithë janë të lumtur dhe nuk kanë probleme, atëherë nuk ka pse të duhet një sistem drejtësie. Vetëm kështu do të mund të kemi zgjidhje konfliktet në mënyrë paqësore. Në shoqërinë moderne, problemet mes njerëzve nuk mungojnë, por me një sistem drejtësie funksional mund të kuptohet se çështjet zgjidhen edhe në mënyrë paqësore.
Unë pres që përveç kësaj reforme, të vazhdohet edhe me të tjerat të cilët do të përmirësojnë mjedisin e të bërit biznes dhe do të zhvillojnë ekonominë.
Megjithatë, ajo që mund të them është se në Shqipëri ka ende mundësi për të shfrytëzuar fondet amerikane të investimeve. I gjejmë ato në fusha si telekomunikacioni, sistemi bankar, shëndetësi etj., por ato kanë një profil të ndryshëm risku. Këto mundësi mund të shfrytëzohen nga sipërmarrje të ndryshme.
Nga ana tjetër, edhe pse kompanitë amerikane mund të jenë larguar ju ende keni produktet ‘made in USA’. Mund të jenë në sasi të ulëta, por kjo sepse tregu është i vogël. Kompanitë e ndryshme amerikane mund të duan që të mos jenë direkt të pranishme në Shqipëri, por mund ta bëjnë këtë përmes produkteve të tyre dhe kjo është diçka pozitive.
Komuniteti amerikano–shqiptar gjithashtu mund të ketë një rol të rëndësishëm në ofrimin e mbështetjes që mund të jetë e nevojshme. Duhet të kuptoni se në çdo rast, për investitorët e huaj mbeten probleme të tilla të mprehta, si ajo e pronësisë me tokën, me korrupsionin etj. Megjithatë mund të jetë ndonjë investitor që është në kërkim të aventurës e që në vend të Brazilit mund të zgjedhin Shqipërinë.
Sigal