Deklarata e ambasadës amerikane/ Manjani: Ku pushteti monist sundon, nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhje

437
Sigal

Pas deklaratës së sotme të Ambasadës amerikane në Tiranë, e cila fton partitë politike të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, vjen edhe reagimi i ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.

Përmes një postimi në Facebook, Manjani ironizon me deklaratën duke u shprehur ndër të tjera se, “nëse Ambasada nxit dhe mbështet sistemin politik monist në çdo hallkë të shtetit Shqiptar, sigurisht që nuk ka përse të jemi dakort me të”.

Postimi i plotë i Ylli Manjanit:

“Ambasada Amerikane thotë ndër të tjera se “… mirëpret konkurrimin demokratik në zgjedhjet e 30 qershorit….”

Ku i mirëpret?! Do bëhen gjë zgjedhje në Ambasadë?! Pse, kemi mundësi ne të konkurrojmë në zgjedhjet Amerikane?

Apo mirëpret Ambasada shqiptarët të konkurrojnë në Shqipëri?! Nuk e kuptoj çfarë “mirëpret” Ambasada Amerikane, në çështje që i takojnë thjesht Shqipërisë…

Nëse Ambasada nxit dhe mbështet sistemin politik monist në çdo hallkë të shtetit Shqiptar, sigurisht që nuk ka përse të jemi dakort me të.

Kush hyn në votime për ti bërë ato të quhen gjasme zgjedhje tradhëton rëndë interesin publik për vendosjen e sistemin DEMOKRATIK!

Dhe në këto kushte, kur shteti nuk ekziston, Kushtetuta dhe ligji kanë dalë nga loja dhe ku pushteti monist sundon, nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhje.

Në daç ta kuptojnë, në daç jo zyrtarët e ambasadave të huaja!

Sot në rendin tonë të ditës është rivendosja e parlamentit pluralist dhe fillimi i ndërtimit të sistemit të ri demokratik”.

Ndër të tjera, e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Mones-Ones shprehet se, “Përshëndes hapat konstruktivë të opozitës në parlament dje, të cilët formalizuan më tej praninë dhe pozicionet e tyre si deputetë”.

Ndërsa i ka bërë thirrje kujtdo që kërkon të kandidojë, të regjistrohet në zgjedhjet lokale.

“Formimi i grupeve parlamentare do të forcojë më tej aftësinë e tyre për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre si anëtarë aktivë të parlamentit. Parlamenti i Shqipërisë vazhdon të funksionojë. Ky vazhdim i proceseve parlamentare, përfshi hyrjen e deputetëve të rinj, zhvillimin e debateve dhe miratimin e ligjeve, është shenjë e vazhdimësisë dhe stabilitetit të këtij institucioni të rëndësishëm demokratik”, thuhet në deklaratën e diplomates amerikane.