Dëgjesat e Partisë Socialiste, Shalsi dhe Mesi përballje në Korçë e Shkodër

483
Deputetët e Partisë Socialiste pas 25 qershorit janë shpërndarë nëpër qytete ku janë të detyruar të dëgjojnë problemet e qytetarëve. Por çfarë thuhet në këto dëgjesa?
Turi i Partisë Socialiste në të gjithë vendin është duke u ndjekur nga qytetarët me kërshëri. Jo për faktin se nuk kanë dëgjuar ndonjëherë deputetët se si flasin, por për shkak se në këto vite është hera e parë që menjëherë pas zgjedhjeve një kryeministër nxjerr deputetët në terren për të mbledhur problematikat dhe më pas të vendosë se si do të qeverisë në një koalicion me njerëzit e zakonshëm. Në qytetin e Korçës dhe Pogradec ishte Eduard Shalsi përballë qytetarëve. Ndërkohë në Shkodër deputetja e re Senida Mesi. Eduard Shalsi zhvilloi një prej dëgjesave të tij tek lagjja Përroi i Çaprazit për të inspektuar punimet për restaurimin e lagjes. “Ajo që po ndodh këto ditë, shpesh herë e paragjykuar edhe nga një pjesë analistësh, nuk është gjë tjetër përveç se data 25 për ne është një moment kthese, është një besim i jashtëzakonshëm, por në fakt ne nuk po bëjmë gjë tjetër përveçse po vijojmë me të njëjtin ritëm që patëm gjatë fushatës. Ndërsa për shumë njerëz është e pazakontë që me të mbaruar fushata, deputetët e zgjedhur, ata jo të zgjedhur, forca politike të vazhdojë me të njëjtin intensitet komunikimin me qytetarët, për ne është një detyrim, një përgjegjësi e jashtëzakonshme që na është besuar dhe që do ta bëjmë me të njëjtin përkushtim që e kemi bërë gjatë fushatës elektorale”, është shprehur Shalsi. Ndërkohë në Shkodër, deputetja Senida Mesi, mban shënim çdo kërkesë të qytetarëve pjesëmarrës në takim, të cilët edhe pse në shumicë, simpatizantë të Partisë Socialiste, nuk u kishte ndodhur ndonjëherë që deputetët pasi të zgjidheshin, t’i dëgjonin. “Të them të drejtën, një proces i tillë dëgjesash mund të ketë filluar edhe gjatë fushatës kemi kontaktuar plotë miq plotë dashamirës, qytetarë të cilët kishin hallet e veta dhe dashur pa dashur t’i prezanton vetveten gjatë fushatës si kandidate për deputete, nga ana tjetër paraqet platformën qeverisëse dhe vizionin tënd personal për qytetin dhe për qeverisjen dhe sigurisht që dëgjon njerëzit për problematikat të cilat mund të jenë problematika nga më të ndryshme duke filluar që nga punësimi, problematika që mund të jenë të qeverisjes vendore, por njerëzit nuk duan t’ia dinë, nëse është kompetencë e qeverisjes lokale apo e qeverisjes qendrore”, ka thënë ajo. Ajo që qytetarët u kërkojnë është sa bazike, aq edhe e ngatërruar për shkak të lënies së problemeve në harresë për më shumë se 20 vite. Pikërisht prej fjalës së pa mbajtur të politikanëve, çdo tur dëgjesash bëhet më i vështirë për atë që i thuhet qytetarëve se do bëhet, sepse durimi mund të marrë fund. “Tashmë besoj se kemi eksperiencë të mjaftueshme për të peshuar mirë fjalët dhe premtimet që bëjmë. Nëse do shihni se çfarë kemi premtuar për Pogradecin, në fakt është një reflektim i aspiratave dhe i dëshirave që pogradecarët kanë pasur përgjatë viteve dhe çdo lloj projekti që kemi lançuar, çdo lloj nisme që kemi ndërmarrë, e kemi marrë në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët por duke e kalkuluar edhe mundësinë e bërjes. Nuk besoj se kemi ndonjë premtim të cilin nuk mund ta realizojmë dot. Gjatë kësaj periudhe janë afruar edhe njerëz të cilët nuk na kanë votuar ose kanë qëndruar indiferentë dhe tashmë që rezultati i zgjedhjeve ka dalë bindës, po vetë afrohen. Ne kemi kalkuluar mirë se çfarë nevojash ka ky qytet por sekreti i punës sonë qëndron në faktin që të kuptojmë se çfarë është e bëshme dhe çfarë nuk është e bëshme dhe ajo që është e bëshme, për sa kohë është e bëshme” deklaron Shalsi. Të gjitha shënimet më pas deputetët ia paraqesin në një raport të përmbledhur kryeministrit Edi Rama.
Sigal