Dëgjesa për teatrin, Ndrenika: Partneriteti publik-privat e ka hilen brenda. 30 mln euro janë shumë

652
Sigal

Artisti i madh i skenës shqiptare Robert Ndrenika ka marrë pjesë sot në dëgjesën me kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj dhe ministren e Kulturës Mirela Kumbaro. Ashtu siç e ka thënë edhe më parë, Ndrenika u shpreh kundër partneritetit publik-privat duke treguar eksperiencën e tij personale me këtë lloj partneriteti, për të cilin u shpreh se ka hilen brenda.

Ndrenika u shpreh për një kompleks të teatrit duke ruajtur identitetin, duke marrë si shembull Pazarin e Ri apo Pazarin e Korçës. Madje ai tha se nuk shkon 30 milionë euro por maksimumi 10-15 milionë.

“Faleminderit ju dhe faleminderit presidentit të Republikës që më bëri një mesazh dje. Kam vuajtur shumë gjithë kësaj kohe. Kam qenë edhe tek zyra e kryetarit më ka paraqitur projektin. Kam qenë optimist por kam vuajtur shumë nga çështja e këtij partneritetit privat-publik. S’ma heq njeri nga mendja se ajo ka një hile brenda. Se e kam vuajtur shumë këtë partneritetit. Kam dhënë shtëpinë dhe përfundova në gjyqe. Unë jam kundër partneritetit publik-privat, ndoshta projekti është i mirë, skenën nuk e kam parë, jam në mëdyshje për skenën. Nëse ekrani është 4 të katërtat, 1 e katërta është salla dhe ¾ është skena. Ka dushe ka gjëra, po skenën nuk e kam parë. Mirë bëre që më përmende pazarin e ri, mendoj se s’ka ndonjë gjë të keqe që siç është ai pazari i ri, që e ruan, e ndjen që është ai Pazari i Ri por i rregulluar. Kjo Zamira mund të na thotë edhe për pazarin e Korçës. Edhe ky kompleksi ynë me këto dy godinat, mund të riparohet dhe mund të dalë një gjë e shkëlqyer edhe jo me 30 milionë euro. Kam bindjen se të kanë gënjyer zoti Erjon, maksimumi mund të vejë 10-15 mln euro.
Mendoj dhe e kam pjekur këtë mendim gjatë kësaj kohe, se kam qenë edhe në kundërshtim me këta djemtë, trashëgimia mund të ruhet edhe si tek Varrezat e Dëshmorëve, por tani më është konsoliduar mendimi që gjithë ai kompleksi i teatrit është diçka që mund të ruhet. Kiço Londo me këtë pjesën këtej është duke dhënë një shembull shumë të mirë, që e ka mirëmbajtur, e ka lyer, e ka bërë. Mendoj që Tirana e do një teatër të mirë, të ri, që mund të vejë 100-200 vjet siç e kanë qytete të tjera të Ballkanit dhe e meriton Tirana. Mendoj të bëhet studimi i këtij kompleksi. Aeroporti i Rinasit nuk është gjë me para, me hekura është”, tha Ndrenika.

Nga ana tjetër për sa i përket shumës kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha se kostoja 30 milionë euro është versioni më ekonomik.
“I Shkupit 50 milionë, i një qyteti në Norvegji 170 milionë e me më pak vende. Kemi versionin më ekonomik”, tha Veliaj.
Por aktori i madh Robert Ndrenika kujtoi se në këtë varfëri që ka shteti 30 milionë janë shumë.
“Në këtë varfëri që ka shteti shqiptar që vetëm rrugën Tiranë-Tunel e ka paguar 4 herë dhe nuk është bërë akoma, shkon më shumë propozimi që bëra unë, të bëhet një kompleks i tëri me pishina, me gjëra, një gjë artistike”, tha Ndrenika.