Dëgjesa në Shkodër, qytetarët “përmbytin” kryeministrin me ankesa për drejtësinë e pronat

577
Dëgjesat që kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar me qytetarët, ditën e djeshme vazhduan në qytetin e Shkodrës
Kryeministri i vendit Edi Rama zbriti ditën e djeshme në Qytetin e Shkodrës, ku përballë një grupi qytetarësh, dëgjoi shqetësimet dhe hallet e përditshme. Ishte një dëgjesë, e cila solli edhe debate mes qytetarëve. Një pjesë e qytetarëve ishin të irrituar, pasi prej kohësh nuk kanë gjetur zgjidhjen e problemeve ne institucionet shtetërore. Fjalën e hapi deputeti i Qarkut të Shkodrës Ditmir Bushati. E ka konsideruar shumë të rëndësishme votën e marrë në Shkodër. U tha qytetarëve se ka vendosur të vazhdojë komunikimin e nisur në fushatë në një tjetër mënyrë. Tashmë është përballë qytetarëve duke kërkuar ndihmën e tyre për të bashkëqeverisur. Po ndërkohë pranoj se deri tani komunikimi me ta nuk ka qenë ai i duhuri. Tha se nuk do të shoh ngjyrat e flamurit. Po kështu u tha se një pjesë e mirë e halleve dhe problemeve kanë dalë qartazi nga ky komunikim. Domosdoshmërinë e krijimit të një koalicioni qeverisës me qytetarët, Edi Rama e artikuloi edhe në dëgjesën publike në Shkodër. Pasi dëgjoi problemet e qytetarëve, që në shumicën e rasteve janë çështje që kanë të bëjnë me dokumentet për pronën, Kryeministri tha se kjo mënyrë është e vetmja për t’u dhënë zgjidhje halleve të njerëzve. “Këto takime janë të vlefshme për të rritur ndjeshmërinë lidhur me domosdoshmërinë që të gjejmë një rrugë që problemet të trajtohen për ditë dhe si duhet. Këto takime nuk janë takime që mund t’i zgjidhin të gjithë problemet, dhe fakti që mund të zgjidhet një apo më shumë probleme nuk do të thotë se u zgjidhën të gjitha. Nëse duam t’i adresojnë këto probleme në mënyrë sistematike, është e rëndësishme të ndërtojmë një koalicion qeverisës me qytetarët. Kjo është e mundur falë teknologjisë”, tha Rama. Kreu i qeverisë foli edhe për lejet e legalizimit, kur tha se në 4 vite janë dhënë qindra mijëra leje, kundër 21 mijë të tilla që u dhanë në 8 vitet e kaluara.“Zyrat e ALUIZNI-t kanë bërë qindra mijëra leje legalizimi, ndërsa në 8 vitet e kaluara u bënë vetëm 21 mijë. Ky është një volum i madh pune dhe s’mund të bëhen të gjitha menjëherë. Nikolini që foli pak më parë, nuk duhet të shkojë çdo javë te zyra. Atij i duhet shpjeguar se çfarë duhet të bëjë”, tha Rama përpara qytetarëve të Shkodrës. Një nga qytetarët në këtë dëgjesë i shpjegoi kryeministrit sesi gjyqësori me anë të një vendimi i mori pronat. “Marina Raboshta sot është gjyqtare dhe paguhet me një rrogë të mirë. Vila e saj është katër-katëshe. Ndërsa unë vuaj për pronën, të cilën ma mori ajo”. Ky ishte një ankim i drejtpërdrejtë. Një qytetar tjetër u ankua, sepse e kishin hequr nga puna. Pasi dëgjoi një pjesë të mirë të qytetarëve, kryeministri u ktheu përgjigje, ndërsa për raste të veçanta shtoi se disa probleme nuk janë në dorën e tij. Kryeministri cilësoi edhe një herë se janë krijuar disa grupe pune për ta bërë sa më prioritar programin e qeverisë me qëllim që t’u vihet sa më shumë në ndihmë shqiptarëve. Ndërkohë u shtua se Partia Socialiste me deputetët e saj janë duke përgatitur hartën e halleve dhe problemeve. Në përfundim të dëgjesave do të jetë një raport përfundimtar shumë i qartë për të gjitha projektet dhe për mënyrën se si do të nisë puna. Do përcaktohen prioritetet dhe do të komunikohet me qytetarët për çdo lekë investim që do të bëhet në komunitet. Nuk do të merremi me individët , por me fenomenin, i cili shqetëson çdo qytetarë. 
Pas ankesës së qytetarëve për ALUIZNI-n, Edi Rama thërret drejtorin
Në dëgjesat që po zhvillon me banorët e Shkodër, Edi Rama është ndeshur edhe me një shqetësim të një banoreje në lidhje me vonesën e marrjes së lejes nga ALUIZNI.
Pasi dëgjoi shqetësimin, Rama kërkoi të fliste edhe drejtori përgjegjës, i cili sqaroi se si ishte situata duke i shpëtuar kështu ‘urdhrit’ për shkarkim ashtu siç ndodhi në Berat.
Megjithatë Rama i kërkoi që ta zgjidhë çështjen deri nesër në orën 4.

Replikat
Qytetari: Mua ALUIZNI më ka tjetërsuar pronën.
Rama: Është këtu drejtori? Hajde këtu ti.
Drejtori: E njoh rastin. Ndërtimi i Maxhitit është nisur fillimisht me leje ndërtimi dhe më pas është shkelur leja dhe ka bërë një kat tjetër. Problemi që nuk kemi mundur t’i zgjidhim është që leja është marrë e certifikuar në ZRPP dhe në këtë moment nuk është më kompetencë e jona që ta anulojmë. Edhe nga Drejtoria e Përgjithshme është nisur një grup auditi dhe ka dalë në përfundimin që është objekt social dhe ekonomik. Ne nuk mund të ndërhyjmë dhe kjo zgjidhet me rrugë gjyqësore.
Qytetari: Ti përgjigje ke kthyer, por ti e di që me rrugë gjyqësore unë që nuk e zgjidh kurrë.
Rama: Drejtori ka të drejtë. Ti ulu me drejtorin e hipotekës dhe bëni një rishikim të letrave dhe mos e torturoni njeriun. Je kundër kësaj që po them unë?
Qytetari: Kam ngrenë kolpo.
Rama: Po edhe kolpo edhe në diell. Do t’ia zgjidhni këtë punë nesër. Nesër në 4 më ço mesazh që u zgjidh problemi.
Drejtori: Dakord.
Qytetari tjetër: Kam dhënë numrin dhe nuk vijnë të shohin shtëpinë për të bërë legalizimin.
Rama: Thuaj drejtorit edhe njëherë.
Drejtori: Është një nga 25 mijë aplikuesit. Në fillim të 2014 janë bërë 1 mijë legalizime. Deri më sot janë bërë 7 mijë. Ne do përpiqemi meqë po e qan hallin dhe unë do e vë në lëvizje menjëherë.
Sigal