Deda e Vokshi: Rama frikacak, nxit dhunën ndaj grave

527
Gratë e PD protestuan sot para godinës së Kryeministrisë në shenjë sensibilizimi për të kundërshtuar ofendimin e Kryeministrit Edi Rama ndaj deputetes së Partisë Demokratike Albina Deda të enjten e kaluar në Kuvend. Fjalimin e parë para godinës së Qeverisë e mbajti deputetja Albina Deda, e cila e quajti Kryeministrin Rama një gënjeshtar dhe frikacak. “Je një gënjeshtar i paskrupullt, nuk pres që të kërkosh falje. Je frikacak i madh prandaj i mban afër kriminelët duke i sjellë aty në Parlament”, tha deputetja Deda. Ajo shtoi gjithashtu se një pjesë e grave që punojnë në administratë nuk mundën të shkonin në protestë për faktin se u ishte bërë presion. Në këtë protestë sensibilizuese, mbajti fjalën edhe deputetja tjetër demokrate Albana Vokshi, e cila e akuzoi Kryeministrin Rama si nxitës të dhunës ndaj grave. “Vota jonë nuk mund të jetë vota arrogante ku Edi Rama shpreh inatin. Sa më shumë Rama fshihet pas fjalëve, aq më shumë vërteton të kundërtën. Rama jo vetëm është dhunues i grave, por është edhe si nxitës i dhunës ndaj grave”, tha ndër të tjera deputetja Vokshi.
Sigal