Debati për TVSH, Rama: Opozita broçkulla, Basha dhe Vasili: Je çoroditur komplet

533
Debati për TVSH-në e biznesit të vogël vazhdon të mbajë të mbërthyer mazhorancën dhe opozitën. “Lufta” tani zhvillohet në facebook
Rrjetet sociale janë kthyer në fushën e hapur ku politikanët janë më të lirshëm për të shprehur mendimin e tyre, pa pasur përballë pyetjet e gazetarëve. Ditët e fundit debati në rrjetin social facebbok, është përqendruar tek nisma e qeverisë për të vendosur TVSH për bizneset e vogla. Kemi përgjigje dhe kundërpërgjigje mes forcave politike, kryesisht PS-PD-LSI. Opozita e bashkuar është kundër kësaj takse. Ndërkohë kryeministri Edi Rama i akuzon se nuk dinë çfarë flasin dhe në këtë rast i shërbejnë informalitetit më shumë se kurrë. Gjatë ditës së djeshme kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një dalje për mediat reagoi lidhur me deklaratën e kreut të qeverisë për TVSH-në për bizneset e vogla pas deklaratës së këtij të fundit të bërë në rrjetin social Facebook. Rama, akuzoi opozitat se janë bërë Front i Mbrojtjes së Informalitetit të Biznesit të Madh, duke gënjyer e propaganduar broçkulla, për të përhapur panik tek biznesi i vogël dhe aktruar rolin e mbrojtësit të të vegjëlve.

Më tej Rama sqaroi se “Taksa e biznesit të vogël do të mbetet zero. Çmimet nuk ka asnjë arsye të rriten për shkak të regjimit të ri të TVSH-së në biznesin e vogël. Skema po axhustohet edhe në bazë të konsultimeve me biznesin e vogël e me ekspertët vendas e të huaj. Vitin tjetër do kemi jo vetëm më shumë të ardhura, po edhe më shumë rend ligjor e konkurrencë të ndershme në ekonomi”. Ndërsa kreu i Partisë Demokratike pas mbledhjes së Grupit parlamentar të PD-së mes të tjerash tha, se kreu i qeverisë është çoroditur.

“Dua të jap një përgjigje edhe për çoroditjen që e ka kapur për TVSH-në. Rama i referohet statusit të një deputeti, pretendon se PD kërkon të ndihmojë oligarkët që biznesi i vogël të mbetet jashtë skemës! Ku është skema këtu?! Oligarkët po i ndihmon ai që kërkon t’ia vendosë biznesit të vogël, barrën.”, deklaroi Basha.
Sigal