“Debati për imunitetin është shprehja më e qartë e falsitetit”

607
Sigal

INTERVISTA/Shkrimtari Kiço Blushi: “Shqipëria ende nuk ka  krijuar  një shtet, ku qytetari të besojë te politika, te përfaqësuesit e vet”

 

  – Për herë të tretë BE na mbyll portën e integrimit. Fajësohet klasa politike apo duhet ta kërkojmë diku tjetër shkakun?

– Mesa duket mospranimi i vendit tonë për herë të tretë si vend kandidat në BE është një ogur i hidhur, i paralajmëruar. Qytetarët e thjeshtë e presin këtë me një habi “të natyrshme”, qetësisht, për të mos thënë me indiferencë, sepse e mirëkuptojnë përse ne ende nuk jemi bërë evropianë e përse nuk po na e hapin derën e Evropës. Kjo është e trishtueshme. Jo vetëm pse nuk po na jepet statusi (askujt s’i ka ndodhur t’i mohohet tri herë radhazi kërkesa!), por se rropama e humbjes së shansit historik po na duket si një gjë “e merituar”, për të mos thënë edhe si një destin, si një mallkim, si një ndëshkim i pamerituar. Prandaj nuk ka as habi dhe as reagim qytetar, si mund të pritej. Sepse thellë-thellë ne e kuptojmë që nuk jemi të gatshëm, që nuk jemi të përgatitur e që nuk e meritojmë. Thënë më shkoqur: nuk e meritojmë statusin e vendit kandidatit në BE ngaqë jemi ende larg Evropës jo vetëm për nga standardi i jetesës, po edhe nga standardet e cungëta e të munguara të demokracisë funksionale. Kjo është më e rëndë se akti i mohimit të statusit. Por e keqja nuk paska të sosur: paria politike jo vetëm që nuk ndjen asnjë përgjegjësi e nuk kërkon falje, qoftë edhe sa për sy e faqe, por nuk nxjerr asnjë përfundim, nuk jep asnjë shpresë se, edhe pas kushteve taksative të Brukselit mund të ndryshojë kjo gjendje bataku, amullie, në kuturu. Në të kundërt bajraktarët tanë ndjehen krenarë, duke ia lënë, sipas zakonit, “kopilin në derë” njëri-tjetrit: pozita opozitës dhe anasjelltas. Vini re se si kjo “mbyllje e derës në surrat” po përcillet pa ndonjë shqetësim, gati-gati me entuziazëm psikopatik: “ne e bëmë tonën, ne i plotësuam detyrat, por…”. Me një kënaqësi perverse, faji hidhet te ai që nuk e ka, te tjetri, te kundërshtari politik, madje edhe te populli…

– Pikërisht, nuk u bë asnjë analizë nga asnjë kah politik, përkundrazi, shkëmbime akuzë-antiakuzë të mbarsur me një fjalor vulgar.

 -As ka për t’u bërë ndonjëherë një analizë e tillë! Analiza (politike) që nxjerr përgjegjësitë dhe përcakton strategjitë kombëtare të zhvillimit e të përparimit të shoqërisë, duke vënë në balancë alternativat, këtu nuk ekziston. Nuk ekziston jo vetëm mes partive, institucioneve të shoqërisë civile, por as në rrethet akademike. Të bësh analizë, do të thotë të nxjerrësh përgjegjësitë vetjake, d.m.th të zbulosh  faktorët negativë si dhe ku, pse dhe cilët janë ata drejtues që kanë gabuar. Zbulimi dhe pranimi i gabimeve, është kusht parësor jo vetëm i shkencës ekzakte, por edhe i politikës, sepse përndryshe nuk mund të ketë zhvillim normal, mbrothësi, përparim, begati. Po e le sëmundjen pa e zbuluar, pa bërë profilaksi, pa e gjetur më pas ilaçin, nuk ka shërim as të sëmundjeve dhe epidemive sociale, të cilat janë më të vështira për t’u kuruar nga politika se sëmundjet organike në trupin e një njeriu. Por deri më sot askush nuk ka nxjerrë dhe nuk ka mbajtur përgjegjësi për dështimet, le më për fajet e krimet, edhe pse këto kanë qenë aq të shpeshta, aq të rënda, shpesh edhe kriminale, duke na lënë përherë “jashtë” dhe “më të fundit” në Evropë e në Ballkan. Përkundrazi, krerët tanë krenarë e fodullë, të pashembullt edhe në Ballkan e në Azi, dalin e na thonë që ne jemi më të parët, se falë tyre ne jemi më të lumturit jo vetëm në rajon, por, së shpejti, po të pranojmë sundimin e tyre, rrezik edhe në botë! Është pak ta quash këtë sjellje demagogji!

 –Në të dy kahet politikë…

 -Pa diskutim. Mungesa e analizës së sinqertë dhe nxjerrja e përgjegjësive vetjake janë të lidhura, janë dukuri e gjithë klasës politike. Kjo është një mendësi e trashëguar nga totalitarizmi i stërzgjatur bajraktëror. Pranimi i gabimit, le më i fajit, dorëheqja, ndjesa publike, vetëlargimi nga posti, duke e pranuar dështimin, tek ne quhet dobësi, paaftësi, faj edhe më i madh se gabimet që ke bërë gjatë karrierës…Ky është infeksioni më i rëndë i politikëbërjes tek ne, infeksion që ka kapur, për shkak të mendësisë totalitare dhe traditës orientale, jo vetëm klasën e vjetër politike, por edhe më të rinjtë. Prandaj, vështruar me këtë sy fakti që ne  mbetëm jashtë Evropës bëhet më i rëndë kur e pyesim veten: përse po ndodh vetëm me ne kjo zezonë? Përse vetëm ne shqiptarët po mbetemi sërish të izoluar nga Evropa, për të mos thënë të përjashtuar? Nuk ka e nuk gjen kurrkund një përgjigje shterruese për këtë pyetje kaq të thjeshtë, të cilën prej më se 100 vjetësh të gjithë brezat ia kanë bërë vetes, pa marrë  një përgjigje, pasi pyetjen ia kanë drejtuar shpellës… Ja përse faji thellohet, sëmundjet sociale shtohen e rëndohen; krimet, abuzimet dhe korrupsioni nuk pakësohen, pavarësisht nga sistemet dhe cilët janë emrat e drejtuesve…Zor të gjendet një specialist i krizave, apo edhe një diplomat ndërkombëtar që të zbulojë “ilaçin” e nevojshëm shërues. E pra, nuk ka klasë politike më të papërgjegjshme në Ballkan se sa kjo e jona! Nuk ka dëm më të madh që mund t’i bëhet vendit, shoqërisë, politikës, demokracisë se sa një klasë politike që gjykon se fajin e ka përherë tjetri, ndërsa meritën ai vetë.

 -Në çdo vend demokratik evropian të gjithë, pavarësisht nga përkatësia partiake e ideologjike, fetare, nacionale, thonë: Kam besim te Drejtësia, se është Drejtësia ajo që vendos. Ndërsa këtu te ne askush nuk ka besim te Drejtësia…

 –Drejtësia si institucion, si pushtet i pavarur, tek ne thuajse nuk ekziston. Në të kundërt, funksionon  për bukuri vetëgjyqësia. Ashtu si është ndërtuar dhe si po funksionon Drejtësia nuk jep garanci për një shoqëri që ka busull Shtetin e së Drejtës, por “shtetin e sekretarit të parë”, d.m.th shtetin e atij që ka pushtetin ekzekutiv, të Atij që ka në dorë ose të të bëjë deputet, ministër, President republike, ose të të dënojë me harresë, me vdekje “të lirë”, d.m.th me vetëvrasje. Kush nga ne beson se ekziston, qoftë edhe si etiketë, ky Shtet i së Drejtës apo ndryshe, Shteti ligjor? Këtë nuk e besojnë më së pari ata që e drejtojnë gjyqësorin, anëtarët e KLD, kryetarët e gjykatave, vetë gjykatësit. A e dini se sa kriminelë janë liruar si të pafajshëm e , megjithatë, pas lirimit kanë kryer përsëri krime, po aq të rënda?…A e dini përse këta guxojnë të kryejnë përsëri vrasje? Jo vetëm se ato pak muaj burgim nuk u kanë vlejtur si pësim-ndëshkim, por se keqbërësit dhe kriminelët janë të bindur që përsëri do të dalin “të pafajshëm”. E pra, gjyqtarë të tillë a nuk janë më të rrezikshëm e më fajtorë se kriminelët ordinerë?!

 – E keqja ku buron dhe kush e “përkujdes”, sipas jush?

 -Ashtu si procesi i munguar i integrimit, anëtarësimi në NATO dhe liberalizmi i vizave, edhe Drejtësia është privatizuar, është kthyer në një aneks të qeverisë, konkretisht të Berishës. Ky e  ka privatizuar sistemin deri në atë shkallë sa tanimë duket e pamundur të realizohet një reformë për të qenë në sistemin e Drejtësisë, sepse edhe ky pushtet i zaptuar jo vetëm nga klientët e hyzmeqarët e politikës, po nga juristë të cilët nuk janë të aftë të kuptojnë se në një shoqëri të kriminalizuar, ku nuk ndëshkohet krimi, edhe ata, edhe familjet e fëmijët e tyre nuk do të mbeten të imunizuar, nuk mund të dalin “të larë”, pa paguar…Vartësia e sistemit të Drejtësisë nga Berisha ka shkuar deri aty sa gjykatësit e prokurorët nuk kanë më nevojë  të urdhërohen e të ”instruktohen” nga klasa sunduese politike, as nga celulari i kryeministrit që  të japin/mos japin këtë apo atë vendim, por e bëjnë “detyrën” vetë, si një kamerier që e di porosinë e një klienti të përditshëm. Le të kujtojmë p.sh proceset e mëdha, Gërdecin, 21 janarin, videopërgjimet, por edhe rastin e një trafikanti  turk droge që kërkohej nga Interpoli të cilin Gjykata e pat lënë në arrest shtëpie dhe ai u arratis…Kësaj Drejtësie që shkon deri në absurd ndoshta i bëhet nder po ta quash të korruptuar, të kapur; ajo është përgjegjësja kryesore përse shoqërinë tonë e ka kapur për fyti krimi, abuzimi dhe korrupsioni!

– Zoti Blushi, viti jubilar i 100-vjetorit të Pavarësisë, a e gjen Shqipërinë në atë lartësi historike që e meriton?

 – Kemi për të parë se si edhe 100- vjetori, që është një ngjarje e shënuar, do të keqpërdoret e do të festohet me përçarje, njëlloj si festat e përvitshme të Flamurit e të Çlirimit…  Nuk besoj të gjendet në Evropë një pari e ngjashme politike, pasi populli do ta kishte zënë me hu, po të huazojmë shprehjen e një legalisti! Shqipëria në këto 100 vjet i ka kaluar të gjitha sistemet politike: monarkinë, pushtimin nga të huajt, komunizmin e tani edhe Demokracinë, por përçarja vazhdon të gëlojë e të lulëzojë njëlloj si në luftën e dytë botërore. Edhe monumentet e kulturës, të traditës, thesaret e kombit, përmendoret, përkujtimoret e varrezat e dëshmorëve, pra jo vetëm kalatë, janë shkatërruar e dëmtuar më rëndë se kurrë. Të duket sikur një dorë e fshehtë e bën këtë qëllimisht! Nuk ka investime, nuk ka përkujdesje, nuk ka as ndërgjegje e përgjegjësi për trashëgiminë kulturore, duke përfshirë, mjerisht, edhe gjuhën e njehsuar, ndaj së cilës u tentua, pikërisht në këtë vit, një atentat “shkencor”…Po vazhdoi kështu edhe disa vjet ne rrezik të mbetemi komb pa kujtesë, pa histori të gjithëpranuar, ku jo vetëm çdo krahinë, por edhe çdo parti do të shkruajë e do të emetojë historinë e vet për Shqipërinë… Një farsë kjo e stërpërsëritur që dëshmon se Shqipëria ende nuk ka krijuar një shtet, ku qytetari beson te mekanizmi i tij, ku qytetari ka  besim të patundur te institucionet, te shteti i vet. Ne nderojmë më shumë atë që drejton aktualisht institucionin apo qeverinë, se sa vetë institucionin, qeverinë, Ligjin. Po ta kesh mirë me kryetarin e Bashkisë, mund të marrësh leje ndërtimi, të takon apo nuk të takon me ligj! Po ta kesh mik “politik” kryetarin e Gjykatës së Lartë, fiton pafajësi, edhe nëse ke vjedhur miliona euro në rrugën e Kombit, edhe nëse je fajtor për Gërdecin, edhe nëse si gardist ke vrarë…Po të kesh fituar besimin e kryeministrit mund të bëhesh deputet, ministër, madje edhe President, edhe nëse diplomën e ke blerë në Tetovë. Një prind tha këto ditë se vajza i shpëtoi në spital falë përkujdesjes së mjekëve, pasi atyre u treguan një foto të vajzës me kryeministrin. Prandaj qytetari nuk ka faj që ashtu si në komunizëm, edhe sot, nuk ka krijuar besueshmëri te klasa politike, e cila e ka për detyrë jo vetëm të mbrojë qytetarin, por edhe të mbrothësojë besimin te institucionet e shtetit të vet…

 -Kanë dalë në skenë dy parti të reja. Do të munden këto të  prishin këtë sistem dypartiak, që ju fajësoni për mosintegrim dhe për mosdemokratizim të shoqërisë?

 -Monopoli PD-SP është vështirë të prishet, sepse ai është konsoliduar me ndryshimet kushtetuese. Dhe formulën e Kodit Zgjedhor të dy partitë nuk e ndryshuan që të ruajnë monopolin. Pa ndryshuar formula, monopoli  PD-PS ka për të mbetur ky që është: dypartiak. Partia që quhet “e Topit”, ashtu si AK e Spahisë me siguri që do të sjellin njëfarë risie në hartën elektorale, pasi do të thithin njerëz të zhgënjyer, sidomos nga krahu i djathtë, i PD-së dhe aleatëve të saj. Sepse PD-ja në qeverisjen e saj ka bërë të pakënaqur elektoratin, ajo  ka luajtur keq, për të mos thënë është tallur, me ish pronarët dhe ish të përndjekurit dhe me një pjesë të krahut tradicional nacionalist. Këto “karta” i janë dobësuar. Mbështetja kryesore e PD-së së Berishës edhe në zgjedhjet e ardhshme do të jenë ruralët e ardhur në Tiranë dhe në brigjet e detit, të cilët i janë mirënjohës përjetë, jo sistemit të demokracisë, po personalisht Berishës…

 -Zgjedhja e Presidentit një partiak, jo konsesual, a na ka futur në krizë politike permanente?

 -Nuk ka rëndësi kush është President, por kush është kryeministër. Loja për një President “konsesual” ishte një manovër e suksesshme mediatiko-politike e Berishës që shërbeu më shumë  për të hutuar njerëzit, militantët, opozitën të cilët harruan hallet e problemet e shoqërisë dhe u morën gjerë e gjatë, pa patur asgjë në dorë, me mënyrën dhe kandidatët e rremë për President…Se kush u zgjodh President, Nishani apo dushmani, nuk kanë asnjë rol në zgjidhjen e krizës e të halleve të qytetarëve; këtë tani e dinë edhe kalamajtë.

 -Çfarë Presidenti na duhet? Një President “ceremonial” apo një që me personalitetin e vet t’u imponohet  forcave politike për t’u shërbyer gjithë shqiptarëve?

 -Tek ne është vështirë të gjendet një President i tillë kur partizimi dhe kulti i kryetarit të partisë vendosin mbi gjithçka. Por edhe sikur të sjellim një nobelist apo një kongresmen amerikan, me këto ndryshime të Kushtetutës, me këto dy parti autoritare ku ligjin e bën kulti i individit, “Princ Vvidi”-President që ditën e parë do të hidhej në erë e do të ndjehej mbi një fushë të rrezikshme të minuar me pasiguri e poshtërim….Më së pari do të shpallej armik. Në qoftë se do të dëshmojë autoritet e personalitet, do të ndodhë ashtu siç ndodhi edhe me Moisiun, madje edhe me Bamir Topin…Vetëm një President i zgjedhur nga populli mund të jetë e mund të qëndrojë me dinjitet mbi partitë e krerët e tyre skifterë. Vetëm një President i tillë ka të drejtë t‘i thotë pushtetit të pakontrolluar të kryeministrit dhe opozitës: më dëgjoni, unë jam votuar nga populli, jo nga ju! Asnjë maxhorancë nuk do të ishte aq e fuqishme sa ta detyronte, poshtëronte e urdhëronte një President të zgjedhur nga populli! Kurse një President i zgjedhur nga një parti, ose dhe nga dy parti “me marrëveshje”, është i detyruar të ulë kokën, sado  integritet, dinjitet dhe personalitet të ketë! Për të balancuar pushtetet dhe tahmanë e kryetarëve partiakë që bëjnë aq shumë zullume e prapësira, ne na duhet një President i zgjedhur nga populli!

 -Zgjedhjet e parakohshme a janë një mundësi që të dalim nga kriza politike, dhe a do të shërbejnë si një mundësi e re në integrim?

 -Nuk e kanë penguar zgjedhjet e parakohshme integrimin e Shqipërisë. Sepse procesi i integrimit më së pari duhet të kryhet brenda nesh. Integrimi midis shqiptarit e shqiptarit, kjo na lipset më shumë se gjithçka! Mirëkuptimi e mirëbesimi mes pozitës e opozitës, integrimi i qytetarit me mjedisin e Ligjin, pajtimi i qytetarit me pasurinë dhe pronë publike, besimi i ndërsjellë i qytetarit me shtetin e së të Drejtës, siguria e jetës në rrugë e në punë, pesha e fjalës, lëvizja e lirë pa dëmtuar demografinë, kujdesi shëndetësor, edukimi i të rinjve në shkolla. E pra, si mundet një qytetar që nuk ka besim te Drejtësia, që nuk sillet mirë me komunitetin, me mjedisin, që është bërë armiqësor me institucionet, me opozitën apo, e kundërta, edhe me pushtetet legale, d.m.th me “vijat e bardha” të ligjeve të shtetit të kërkojë të integrohet në Evropë, edhe pse sillet si një barbar që vret vajzën kur ajo nuk pranon të kullosë bagëtinë?

 -Po klimën politike a mund ta përmirësojnë zgjedhjet e pritshme të vitit 2013?

 -Padyshim që mund ta përmirësojnë…Unë besoj se pas zgjedhjeve të 2013-s harta politike do të ndryshojë, se me hir e pahir disa krerë të cilët për mbi 20 vjet kanë mbetur jo vetëm të pandryshueshëm e të pazëvendësueshëm, por edhe të pakontrollueshëm, do të detyrohen të largohen. Sepse shqiptarët janë bërë më të përgjegjshëm, edhe për shkak të dështimeve e zhgënjimeve që përmendëm e që tashmë nga dramat sociale po na çojnë drejt tragjedive sociale.

 -Etika e edukatës demokratike a nuk është mungesa kryesore e fjalorit politik, duke filluar nga udhëheqësi partiak?

 -Për fat të keq, tek ne pluralizmi është kuptuar si një mundësi për të bërë sherr, sa më shumë sherr. Dhe fiton votat, çuditërisht, ai që shan më shumë; fiton vota, bëhet deputet, ministër ai që ndyn mjedisin e që sillet si i fortë, jo si i mençur. Po të dëgjosh zëdhënësit e partive, gjuha e tyre është sharëse, denigruese; kryetarët e partive kujtojnë se kështu bëhen më të besueshëm: mjerisht më të fortit, më sherrbudallait i hapet rruga edhe me votë!

   –Kam përshtypjen që gjithë zhurma që u bë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor u bë që të ndryshojnë diçka për të mos ndryshuar…asgjë!

 -Kjo “ja më në fund ne u ulëm e ramë dakord” është pjesë e lojës për t‘u treguar jo shqiptarëve, po ndërkombëtarëve, të cilët bëjnë presion, se ja, ne po bëjmë diçka…po miratojmë ligje…ligje që ata vetë e dinë që do t’i shkelin që të nesërmen, qoftë edhe Kushtetutën! Ka shumë shembuj te ne që janë të pakonceptueshëm, unikalë. Ku ndodh, p.sh që kryeministri të dalë në media disa herë në ditë e të molloisë në mbledhje qeverie sa orë ndenji në det, më pas edhe në grupin parlamentar e pastaj edhe në ndonjë promovim a fondacion? Kjo ka të bëjë me dëshirën atavike për të bindur qytetarët se këtu te ne nuk ka më asnjë njeri tjetër, përveç atij që ka zaptuar njëherë e përgjithmonë kryetarllëkun, se tek ne nuk ka individë, po ka vetëm një personalitet dhe ky është Sali Berisha, dora vetë!

 –Mos vallë kjo ngaqë ne shqiptarët e konceptojmë ndryshe demokracinë nga evropianët?

 –Dihet që vetëm te ne nuk ka ndryshuar klasa politike në këto 20 vjet. Gjeni një shëmbëlltyrë të ngjashme në botë që një politikan të jetë në pushtet që nga 1991-shi e deri  sot e madje të deklarojë me gojën e vet se do të jetë në pushtet derisa t’i japë ymër Allahu!…Kur u rrëzua busti i Enverit, nuk u rrëzua kulti i individit, po statuja e tij. Edhe kulti i individit u privatizua, por me “ligje demokratike”, kinse me vota të lira e demokratike.

 –A mundet në një Ballkan të ngarkuar me probleme nacionale, AK të luajë rol kryesor në politikën e Shqipërisë?

 –Nacionalizmi si abuzim historik i fjalës publike zhvillohet në momente krizash…Në momente krizash e vështirësish demokracia nuk funksionon përsëmbari, ndaj njerëzit, prej zhgënjimit i kthehen  nacionalizmit si një strehë, si shpresë për të rregulluar veten, duke injektuar ksenofobinë. Të gjitha diktaturat e kanë marrë pushtetin duke stimuluar ethet e nacionalizmit.  Edhe tani po luhet me këtë “kartë” jo vetëm tek ne, po në të gjithë Ballkanin. Shqipëria ka probleme të mëdha, të pazgjidhura dhe të akumuluara. AK  mund të marrë elektorat, por nuk besoj të ndodhë ajo që thotë Spahiu, kreu i saj, se i vetëm ai do të shporrë dy sulltanët dhe do të marrë shumicën, d.m.th pushtetin duke pasur, që tani, mbi 1 milion vota. Sidoqoftë, të vjen keq kur shikon që edhe të rinjtë, të cilët po hyjnë vrullshëm në politikë, shpesh shfaqin simptomat e së kaluarës duke përdorur gjuhën e urrejtjes, gjuhën e të vjetërve.

– Ju faleminderit!

Somario

Paria në pushtet nuk e  ndjen të nevojshme të bëjë reforma në Drejtësi. Nuk ka interes, përkundrazi. Sepse reformat e qenësishme në Drejtësi do ta ndëshkonin atë vetë, të parën! Reformat e shpallura apo kinse të premtuara janë një tjetër përgjigje hipokrite që u drejtohet ndërkombëtarëve, të cilët, nga ana e tyre, herë pas here bëjnë vërejtje, duke e cilësuar reformën në Drejtësi si kushtin themelor në të 12 pikat për integrimin…

 

 

 -Respekti ndaj institucioneve dhe edukata demokratike e politikanëve

 -Ky është një tjetër rast vulgar ku politika gjeneron të keqen, pasi kujton se, duke sulmuar e nëpërkëmbur institucionet, duke sunduar edhe institucionin e Presidentit jep shembullin te qytetarët se në këtë vend peshon vetëm Fjala e një njeriu: kryeministrit! Primitivizmi i krerëve tanë kultivon politikën se vetëm po të sulmosh e poshtërosh të tjerët, po të pushtosh e sundosh pushtetet e tjera, mund të jesh i pranueshëm edhe në demokraci e të besoh se historia të ndjek pas.  Është mendësia e cubave të dikurshëm të cilët, duke sulmuar, bënin të fortët e krahinës e të lagjes… Në qoftë se poshtërohet Presidenti, në një shkallë ku e ku më të lartë është poshtëruar e shkelur edhe i pambrojturi, qytetari anonim…Nuk mund të ketë besim te shteti i vet kur qytetari shikon që një figurë që quhet uniteti i kombit është poshtëruar, përbaltur, përbuzur, kur e shikon se sa është i pambrojtur Qytetari numër Një, kur ndjen që shoqëria nuk ka asnjë shtyllë morale, kur ligjin e bën Maliqi…Dhe ai nuk sheh rrugë tjetër përveçse të  sulmojë institucionet, të mësyjë edhe ai territoret, të luftojë për mbijetesë nëpërmjet vetëgjyqësisë, si po ndodh përditë…