Debati në PE, refuzohen tetë pikat e propozuara nga opozita

468
Sigal

Strasburg/Në takimin e Komitetit të Stabilizim-Asociimit, nga tetë pika, u miratuan vetëm tre

Kritikat e opozitës lidhur me atë që ajo e konsideron paligjshmëri të kësaj qeverie përgjatë 6 muajve në krye të shtetit, nuk kanë marrë zgjidhje as në takimin e shtatë të komitetit të Stabilizim- Asociimit, mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë në Strasburg.

Takimi ka përfunduar me miratimin e pjesshëm të deklaratës, ndërsa lidhur me kërkesat e opozitës është lënë që, mbi propozimet e opozitës të vazhdojë diskutimi në Tiranë. Në një deklaratë të lëshuar nga Zyra e grupit parlamentar të PS, menjëherë pas takimit theksohet se, është miratuar pjesërisht deklarata e përbashkët, e cila përshëndet dialogun e lartë BE- Shqipëri dhe mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Po kështu, në deklaratë shprehet keqardhje për vendimin e Këshillit në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa bëhet thirrje për ndaljen e veprimeve obstruktive dhe bojkotin e punimeve në Kuvend. Nga ana tjetër edhe opozita ka përcjellë për mediat, propozimet, të cilat u bllokuan nga përfaqësuesit e shumicës në Komitetin e Stabilizim -Asociimit. Janë 8 pika gjithsej, ku si fillim opozita shpreh keqardhjen për skemën e blerjes së votës në zgjedhjet e pjesshme lokale në Korçë dhe kërkon një hetim të shpejtë dhe të plotë të kësaj çështje.

Propozimet e opozitës në Strasburg

1. Shpreh keqardhje për skemën e blerjes së votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale në Korçë dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe të shpejtë, lidhur me këtë çështje. Dënojmë blerjen e votave, duke e cilësuar si formën më të shëmtuar të korrupsionit politik dhe një kërcënim të vërtetë ndaj demokracisë.

2. I referohemi deklaratës në tetor 2013 dhe në rezolutat e Parlamenteve shqiptare dhe evropiane, që bëri i thirrje parlamentit dhe qeverisë për të ruajtur dhe për të nxitur integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kryesore të tilla si, Instituti Kombëtar i Statistikave, Autoriteti Audio-vizual i Medias, Inspektori i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve etj; dënon shkarkimin e paligjshëm të znj.Ines Nurja, Drejtore e Përgjithshme e Institutit Kombëtar të Statistikave, si dhe vë në dukje vendimin e gjykatës që anulon vendimin për të shkarkuar znj. Nurja dhe i kërkon Qeverisë të zbatojë vendimin e gjykatës dhe ta rivendosur atë në zyrë.

3. Shpreh keqardhje për shkarkimin e paligjshëm të Kreut të Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve; shprehin shqetësim të thellë në lidhje me faktin që pushteti ekskluziv i Presidentit, për të propozuar kreun e ILDKP në përputhje me ligjin është uzurpuar në mënyrë arbitrare nga maxhoranca në Parlament, duke çuar kështu në shkeljen e parimeve të Kushtetutës për ndarjen e pushteteve dhe kontrollit dhe duke sjellë një situatë të paqëndrueshme në Parlamentin e Shqipërisë. Bëjmë thirrje për hapa të menjëhershëm për përmirësimin e situatës në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

4. Kërkojmë që të tërhiqet amendamenti i mbështetur nga maxhoranca për të shkarkuar këshillin e AMA-s dhe rithemelimin e saj, si dhe i bën thirrje maxhorancës të plotësojë vendet e lira në këshillin e AMA-s pa u vonuar.

5. Thirrje maxhorancës, për të plotësuar vendet e lira në KQZ në përputhje me ligjin, për të ruajtur dhe nxitur integritetin e saj, për të funksionuar normalisht.

 6. Thirrje Parlamentit për të zhbllokuar emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

7. Ndihet e alarmuar nga përdorimi i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për të shkatërruar pronat e ligjshme të qytetarëve shqiptarë dhe të BE-së, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e gjykatës dhe i bën thirrje qeverisë të ndalojë menjëherë praktika të tilla dhe të sigurojë dëmshpërblimin e duhur për palët e dëmtuara.

8. Shpreh keqardhje për incidentin në lidhje me shkeljen e paligjshme dhe kopjimin e dyshuar të të dhënave digjitale të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe bën thirrje për një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës të kësaj çështjeje.