Debati/ Cefa: Naço po sulmon. LSI: KLD 100% e korruptuar. PS: Të ndërhyjë Kuvendi!

519
Sigal

Thellohet më tej përplasja mes dy institucioneve në sistemin e drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas vendimit të KLD-së për të rrëzuar kërkesën e ministrit Naço, për shkarkimin nga detyra të gjykatësit të Apelit, Gjin Gjoni. Nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa ka cilësuar sulm të paprecedent ndaj institucionit që ai përfaqëson, KLD-së, deklaratat e ministrit Naço. Por ‘avokatë’ të Ministrisë së Drejtësisë janë bërë dy partitë e maxhorancës, PS dhe LSI, të cilat mbështesin kërkesën e ministrit për të kërkuar ndërhyrjen Parlamentit. Teksa LSI e cilëson KLD 100% të korruptuar, PS shton se, ajo po përpiqet të mbrojë zullumet e gjyqtarëve të korruptuar.

CEFA: MINISTRI I DREJTËSISË SULM TË PAPRECEDENTË NDAJ KLD-së

Nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa, ka komentuar dje deklaratat e djeshme të ministrit Nasip Naço, ndërsa i quan ato një sulm të paprecedentë që i bëhet KLD-së. “Mbetëm të shokuar nga deklaratat thellësisht politike të Ministrit të Drejtësisë. Unë e prisja një reagim të tillë të tij, pas paaftësisë së ministrit i duhej një justifikim para eprorëve. Justifikim më të mirë se sulmi nuk ka, por ky ishte një sulm i paprecedent, na quajti “Sude”,- tha Cefa. Duke u ndalur tek kërkesa e ministrit Naço, për shkarkimin nga detyra të gjykatësit të Apelit Gjin Gjoni, kërkesë e cila u rrëzua nga KLD, Cefa u shpreh se: “Ata që janë të paaftë të provojnë fajësinë, kanë aftësi të shpifin pa skrupuj”. Cefa potencoi më tej idenë për t’ju drejtuar institucioneve ndërkombëtare në lidhje me këtë rast.

LSI: KLD 100% e KORRUPTUAR, MBËSHTESIM CDO NISMË TË KUVENDIT

Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani mbështet çdo lloj nisme të parlamentit për të ndërhyrë apo hetuar me qëllim që të vihet në vend funksionimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas Manjanit, KLD është jashtë funksionimit normal dhe me vendimet e saj tregon se është 100% e korruptuar. “Është një situatë e papranueshme ajo që po ndodh me drejtësinë. Sistemi gjyqësor është jashtë funksionimit normal. KLD është jashtë çdo lloj standardi qeverisës që një institucion kushtetues të rreshtohet pro reformës dhe kundër korrupsionit, ndërsa KLD bën të kundërtën. Sot KLD është 100% e rreshtuar në favor të korrupsionit dhe paaftësisë. Ka nisur një kurs antireformë”,- tha ai.

PS: MBËSHTESIM MD TË NDËRHYJË PARLAMENTI

Partia Socialiste reagoi dje ndaj vendimmarrjes së fundit të KLD-së, duke shprehur mbështetje për deklaratën e djeshme të Ministrit të Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare, që kërkon ndërhyrjen e Parlamentit. “PS mbështet deklaratën e djeshme të Ministrit të Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare për të kërkuar ndërhyrjen  Parlamentit. Përfaqësuesit e popullit kanë detyrimin ligjor dhe moral të shprehen dhe të distancohen nga ata përfaqësues në KLD-së që janë zgjedhur aty nga parlamenti për të përfaqësuar parlamentin, por që çdo ditë e më shumë po bëhen palë me korrupsionin dhe me të korruptuarit” , thuhet në një deklaratë për shtyp të sekretarit organizativ në PS-së, deputeti Blendi Klosi.