Debate tek ‘Siguria’, Noka: Po të vijnë 600 mijë refugjatë këtu s’do flitet më shqip

108

Është shoqëruar me tensione dhe debate mbledhja e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, ku po diskutohet çështja e refugjatëve me zv.ministren e Brendshme Elona Gjebrea.

Deputeti i PD Flamur Noka është shprehur se një anëtar i kabinetit qeveritar i ka dhënë garanci BE se Shqipëria ka kapacitet dhe mund të presë 600 mijë refugjatë nga vendet e luftës. Ai tha se nëse kjo ndodh Shqipëria do bëhet vend i pa jetueshëm dhe nuk do flitet më shqip.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i zv.ministres në Komision, e cila i kërkoi PD të mos përhapë panik sepse nuk janë përcaktuar shifrat, pavarësisht se është thënë se Shqipëria ka kapacitete.

“Nuk po përhapim panik, por po përpiqemi të parandalojmë të keqen. Është bërë gati mafia e qenieve njerëzore të veprojë në Shqipëri. Janë 300 skafe të mafias gati për një biznes shumë fitimprurës të qenieve njerëzore. Shqipëria do të bëhet vend i pajtueshëm. Nesër pasnesër këtu shumica do jenë irakian, sirianë dhe shqiptarët në pakicë. Si moj zonjë thua panik kur kanë ikur 500 mijë shqiptarë?! Të vika keq që ne themi se këtu do vijnë 600 mijë vete nga vendet islamike. Ky vend do të kthehet në arene të qenies njerëzore. Vetëm për shqiptarë s’do të ketë vend për të jetuar këtu. A merr vesh moj vajzë apo jo? Nipërit tanë s’do flasin më shqip me këtë që doni t’i bëni vendit”- tha Flamur Noka.