Debate në Opozitë, Basha marrëveshje me Shehin, Ndokën e Dulen

642
Krerët e LZHK, PDK dhe PBDNJ do të përfshihen në listat e demokratëve. Duka e Mediu ende në pritje, sot afati i fundit 
Partia Demokratike ka arritur të gjejë një marrëveshje për garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me tre forca politike aleate, ndërsa mbetet ende në diskutime me partitë e tjera. Sipas burimeve politike, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kanë rënë dakord të garojnë me përfaqësuesit e tyre në listat e Partisë Demokratike, për të maksimalizuar rezultatin më 25 qershor. Për rrjedhojë Dashamir Shehi (LZHK), Nard Ndoka (PDK) dhe Vangjel Dule (PBDNJ) pritet të përfshihen në listat e demokratëve dhe numra që konsiderohen si fitues të sigurt. Kreu i LZHK-së do t’u bashkohet demokratëve në qarkun e Tiranës, Nard Ndoka në Shkodër, ndërsa mbetet ende të përcaktohet vendi i kandidimit të Vangjel Dules, mes qarkut të Vlorës dhe Gjirokastrës. “Ne kemi vënë 2 ose 3 njerëz, dikush më lart, dikush më poshtë. Pothuajse me të gjithë është ndjekur e njëjta formulë. Varet si do shkojnë zgjedhjet, por po fitoi PD fitojmë të gjithë. Kështu që nuk ka surpriza dhe unë besoj se deri nesër (sot) do të mbyllen gjërat”, ka deklaruar kreu i LZHK, Shehi.

Ndërkohë dilema pritet të marrë fund sot, kur është edhe afati i fundit për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë, në bazë të marrëveshjes politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha. Nga ana e saj, Partia Demokratike mësohet se ka paraqitur dje pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’u regjistruar si parti garuese në zgjedhjet e 25 qershorit. Ndërsa dy aleatë të rëndësishëm të demokratëve, si Partia Republikane e Fatmir Mediut dhe Partia Agrare Ambientaliste ende nuk kanë marrë një vendim final për t’u përfshirë ose jo në listat e PD-së apo për të garuar si subjekte të veçuar. Në mënyrë të përsëritur, kreu i agrarëve, Agron Duka, është shprehur se preferon të garojë me siglën e tij, ndonëse sistemi aktual dhe mungesa e koalicioneve parazgjedhore i penalizon këto forca politike. Duka është shprehur i bindur për fitimin e një mandati deputeti në qarkun e Durrësit, ndërsa shpreson për një rezultat pozitiv edhe në qarqe të tjerë. Ndërkohë, demokratët duken të prirur të garantojnë vetëm krerët e partive politike në numra pothuajse të sigurt në listën e kandidatëve, duke përfshirë përfaqësuesit e tjerë në vende të rrezikuara për të fituar mandatin e deputetit. Gjithashtu, Fatmir Mediu mësohet se ka kërkuar nga Basha, jo vetëm garantimin e mandatit të tij, por edhe të disa zyrtarëve të tjerë republikanë. 

Pa një marrëveshje me Partinë Demokratike për t’u përfshirë në listat e kandidatëve kanë mbetur kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu dhe kreu i Partisë Bashkimi Demokristian, Eduard Ndocaj. Ky i fundit, i bashkuar me opozitën vetëm pak javë më parë, nuk ka munguar të lëshojë edhe kritikat e para ndaj Partisë Demokratike. “PD do të marrë kosto të jashtëzakonshme, pasi vendosi të fusë në lista partitë që janë SHPK, pa elektorat dhe pa zyra”, tha Ndocaj në një koment lidhur me vendimin e Bashës për t’i refuzuar një vend të sigurt në listë.

Marrëveshja Rama-Basha e 18 majit përcaktoi 26 majin si afatin e fundit për regjistrimin e kandidatëve për deputetë të opozitës, ndërsa hoqi mundësinë e regjistrimit të koalicioneve. Një zgjidhje kjo e kritikuar, por që duket se do të respektohet nga të gjitha partitë politike. 

Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike po shqyrton edhe listat e kandidatëve të saj. Disa nga mundësitë e diskutuara në selinë blu janë edhe ato për kandidimin e kryetari Basha në qarkun e Elbasanit dhe të ish-kryeministrit Berisha në Durrës. Megjithatë këto mbeten ende mundësi, që duhet të marrin fund sot, kur PD-ja do të dërgojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për deputetë. 
Sigal