Debate në Grupin e PS, Rama-Hafizit: Mbylle gojën

446
Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar socialist është shoqëruar me debate mes kryetarit Edi Rama dhe deputeteve Mimoza Hafizi e Arta Dade.
Pas largimit të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin nga mbledhja e Grupit Parlamentar, deputetja Hafizi i ka kërkuar shpjegime ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, për shkarkimin e një mësueseje në Peshkopi vetëm pse ajo ka marrë pjesë në një takim me të dhe deputetin Ben Blushi.
“Në Peshkopi një mësuese u shkarkua me motivacion banal, vetëm pse kishte marrë pjesë në takimin që unë dhe kolegu ynë Blushi zhvilluam atje me një grup socialistësh. Kjo është shumë e rëndë dhe ne nuk e kërkuam votën në 2013 për të përndjekur dhe persekutuar njerëzit pse mendojnë ndryshe. Kërkoj një shpjegim nga ministrja e Arsimit meqë është këtu”, mësohet t’i jetë drejtuar Hafizi ministres së Arsimit Nikolla. deputetja Hafizi e ka kundërshtuar këtë shpjegim të saj, duke thënë se kjo është e gënjeshtër, gjë që ka nxitur kryetarin e PS-së Edi Rama t’i drejtohet Hafizit, duke kërkuar uljen e saj dhe të mos flasë me atë gjuhë.
“Ministrja gënjen, ose kështu ta kanë servirur. Unë i kam të vërtetuara këto që them, nuk kam asnjë interes që t’i paraqes gjërat kështu”, mësohet të ketë thënë deputetja Hafizi.
“Ç’është kjo gjuhë? Ulu aty ti… ulu! S’ke të drejtë të flasësh, mbylle gojën! Kush ta dha të drejtën ty? Ulu…! ulu…!”, ishte reagimi i Ramës ndaj Hafizit, reagim që ka nxitur një debat të fortë në Grupin e PS-së. Deputetja Hafizi ka kërkuar të marrë fjalën që të sqarojë rastin, por Rama nuk e ka lejuar të vazhdojë me tej. “Çfarë është kjo gjuhë? Po kërkoj ta sqaroj dhe të mos thuhen të paqena”, mësohet t’i jetë përgjigjur Hafizi Ramës, e cila më pas ka dalë nga mbledhja duke përplasur derën. Deputetja është parë të lërë selinë e Partisë Socialiste e tronditur, ndërsa mësohet se ajo ka vendosur të mos marrë më pjesë në mbledhjet e Grupit Parlamentar socialist.
Sigal