“Dashuria shqiptare për Al Bano” dhe Prania e Presidentit Topi ndezin Celinon

554
Sigal

Intervistë me Al Bano Karrisin, ekskluzive për “Telegraf” nga Celino San Marko

Këngëtari shumë i dashur për shqiptarët, dhe jo vetëm, Al Bano Karrisi, transmeton drejtpërdrejtë nga “Telegraf” dashurinë e tij për të gjithë shqiptarët dhe vendin tonë. Në këtë intervistë ai ndan me ne përjetimet e tij për librin, që sapo është publikuar për emrin e tij në Shqipëri dhe gjithashtu për takimin që pati me presidentin Bamir Topi në San Marino. I pyetur se kur mund të vijë të vizitojë Shqipërinë, ai shprehet se vjen me shumë dëshirë kurdo të jetë e mundur.

-Gjatë ditëve të qëndrimit me ju, pamë që Al Bano të emocionohet. Përse?
Emocionet janë pjesë e shpirtit të artistit, pra edhe të miat. Ishte një festë e bukur jo vetëm në bashkinë e Celinos, por në të gjithë Pulian. Nuk kish ndodhur ndonjëherë që në Celino të kish ardhur një President i një shteti, prandaj me të drejtë mund të themi që dashuria shqiptare e ndezi vendlindjen time. Aktiviteti kulturor që u mbajt në bashkinë e Celinos, dua të besoj që është i rrallë në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Pra, kjo tregoi jo vetëm “Dashurinë shqiptare për mua, që e sollët në një libër, por edhe dashurinë italiane për shqiptarët. Këtë dashuri e prekëm jo vetëm në sallë, por edhe jashtë në qytet, teksa bashkë me Presidentin shqiptar, bëmë një shëtitje, ashtu edhe në rrugët e Brindisit, apo gjatë vizitës që bëmë në pjacën e qytetit të Leçes. Më duket se thjeshtësia e Presidentit shqiptar dhe mirënjohja e banorëve të Pulias janë në sintoni të plotë.

– Ju pamë të përlotur në sallë, teksa flitej për babanë tuaj, Carmelo Karrisi, që mbetet gurë themeli në miqësinë midis dy vendeve tona. Çfarë medituat?
Jam i biri dhe kam të drejtë të përlotem, por edhe të krenohem për sjelljen, qëndrimin dhe dashurinë që ushqente im atë për vendin tuaj. Nuk janë fjalë, janë fakte. Ja, unë e kam dashur Shqipërinë ende pa lindur, pasi emri im u vendos kur isha në barkun e nënës. Im atë gjithë kohën fliste për Shqipërinë, i donte shqiptarët dhe mezi priti atë ditë që të vinte pas 40 vjetësh që të shihte vendin tuaj. E kam thënë edhe njëherë tjetër në bashkëbisedim me ju: Unë nxitova ardhjen e tim ati në Shqipëri, pasi ai kish kaluar një infarkt në zemër dhe do t’i mbetej peng nëse nuk do të vinte. Por e dini çfarë ndodhi? Pas kthimit nga Shqipëria, Don Karmelo nuk pati shqetësime në zemër, u nda nga jeta natyrshëm, për shkak të moshës.

-Të vazhdojmë me një mesazh që do t’u përcillni fansave nëpërmjet gazetës “Telegraf”?
Kam folur shpesh, thuajse jam gjithë kohën mes jush, sidoqë jam i juaji tërësisht. Ne na ndan vetëm deti Adriatik, por kjo nuk është ndarje, pasi janë mijëra shqiptarë që jetojnë në Pulia dhe shumë rajone të Italisë. Ne e dimë që historia fillon 500 vjet më parë me arbëreshët. Ndoshta është kjo dashuri që të kapërcejmë edhe vështirësitë për të mësuar gjuhën. Shqiptarët flasin shumë mirë italisht. Personalisht, ndjehem i prekur që në Shqipëri ka një shoqatë kulturore me emrin tim, gjë që nuk është në vend tjetër, paçka se kënga këndohet dhe pëlqehet në shumë vende të botës
Ndjehem i prekur nga veprimtaritë që organizohen, botimet që janë bërë, ndërsa libri i fundit më ka prekur.

-Përse?
Sidoqë e kam kuptuar prej kohësh, në këtë libër, në gjuhën time e kuptova shumë mirë se cila është dashuria shqiptare për mua, familjen time, këngën time. Këtë libër unë do ta cilësoja si një vaksinë, që do ta marr me vete ngado që të shkoj. E konsideroj një dhuratë të bukur në këtë vit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kam rastin të shprehem se vendi juaj që futet pas 28 Nëntorit në 100 vjetorin e dytë të pavarësisë, shqiptarët duhet ta jetojnë jetën me dashuri dhe dinjitet me ndershmëri dhe deri sa ata që janë pranë nesh dhe ndajmë së bashku këto ndjenja pozitive, që jetojmë mbi këtë tokë, pavarësisht se janë shqiptarë, italianë, grekë, kinezë, rusë, kanë të drejtën dhe detyrimin që ta jetojnë jetën si duhet, pasi jeta është një frymëmarrje midis dy heshtje,

-Çfarë kujtoni me emocion nga Shqipëria?
Gjithçka që mendoj dhe shoh. Si të mos emocionohesh që në vendin tuaj ka 642 qytetarë që kanë emrin Albano. Sigurisht që kanë edhe kuptimin shqiptar, Albanesi, por edhe emri im këtë kuptim ka, madje është vendosur me urdhër nga im atë, kur ende nuk kisha lindur, kur nuk dihej nëse do të jetoja.

-Ju jeni shprehur se Presidenti Bamir Topi është një mik i afërt, jeni nisur thjeshtë nga posti?
Kjo është një pyetje e gabuar që më bëni, pasi ju e dini shumë mirë që ndjenjat e miqësisë sime, nuk lindin asnjëherë nga postet. Unë dua ndjenjë, sinqeritet, një miqësi të bukur, që të më lumturojë. Kështu ndodh me z. Topi, me të cilin shkojmë në sintoni të plotë, si rrallë me njeri tjetër. Unë gëzohem që ai i di dhe këndon këngët e mia. Kjo tregon që ai e pëlqen muzikën, jo vetëm atë që këndoj unë, ku dominon edhe muzika klasike si nga Shubert, Shopen. Kjo tregon edhe një fakt tjetër, që është shumë i rëndësishëm, që muzika bashkon njerëzit e të gjithë kategorive, që nga Presidenti i Republikës, shkrimtarja, gazetarja dhe deri tek njeriu i thjeshtë, që është punëtor i. hekurudhave. Për mua do të jetë i njëjti Bamir, mik edhe pasi të largohet nga Presidenca, ashtu sikurse unë Al Bano, do të jem njësoj për të.

-Meqë zumë në gojë Presidentin e Republikës, meqë Ju jeni një mik i afërt i shqiptarëve dhe i doni të mirën këtij vendi, më lind e drejta të bëj pyetjen: Cili është mendimi për klasën politike shqiptare dhe cila do të ishte një këshillë e juaja për ta?
Unë nuk njoh politikanë të tjerë në Shqipëri përveç Presidentit, por nga larg më vijnë fjalë jo të këndshme, për të cilat edhe unë trishtohem. Drejt thoni, që unë i dua të mirën vendit tuaj, por politikanët e një vendi në radhë të parë duhet të mendojnë për popullin e tyre, çfarë të mira do t’u sjellin në mandatin që ata i kanë zgjedhur, çfarë do të ndryshojë në periudhën që janë në drejtim.
Kjo është shumë e rëndësishme, pasi politikanët, qofshin deputetë, ministra, kryeministër apo President, në atë periudhë bëjnë histori për vendin dhe emrin e tyre. Këtë ata e dinë, por e kanë vështirë ta bëjnë realitet dhe kjo ndodh kur ka konflikt, gjuhë të ashpër, çka acaron edhe qytetarët që zhgënjehen me ata që kanë votuar. Unë e kam thënë edhe njëherë tjetër dhe meqë ra rasti po e përsëris dhe kjo është bindja ime, nuk di çfarë thonë të tjerët: z.Bamir Topi është modeli i politikanit, që di të komunikojë, që ka një botë shpirtërore të pasur, është njerëzor. Unë gjykoj se një politikan pa botë shpirtërore, pa shpirt e humanizëm, është një manekinë.

-Flisni kështu për z. Topi, ndoshta pse e keni mik?
Janë shumë që flasin mirë për të, që ndajnë të njëjtin mendim, qoftë shqiptarët që kam takuar kështu edhe politikanë italianë. Tek e fundit, ai ka zotësinë për të afruar, pëlqen këngën, ka mendime të thella për rolin që duhet të luajë individi në shoqëri. Për mua, Bamir Topi gjeneron paqe dhe jo konflikt. Sikur të ishin politikanët si Bamiri, do të kishin bërë më shumë të mira për Shqipërinë.

-Një pyetje e fundit për Al Bano. Kur do të vini në Shqipëri?
Sapo të më ftoni. Vij sapo më kërkoni dhe nuk është hera e parë që e bëj këtë. Do të kisha dëshirë të vija në Vlorë. Është një qytet i bukur nga natyra, por për mua ka edhe një bukuri tjetër. Pasi është qyteti i parë në Shqipëri që preku im atë. Unë jam i impresionuar nga Llogaraja, ku bëmë festën me rastin e 65 vjetorit të lindjes sime. Përsëri theksoj që ne jemi një fytyrë, një racë. Unë ndjehem vlonjat, por jam një qytetar i botës. Do të dëshiroja që të qëndroja një natë në Sarandë dhe të zhytem në kujtimet e këngës “Saranda Okinava” dhe kujtimet e vizitës së parë të tim ati dhe qëndrimi i tij ushtar. Ajo që di saktë, është se do të takohemi shumë shpejt, pasi nuk mund të rrimë gjatë pa njëri-tjetrin.

-Faleminderit Al Bano!
-Ishte kënaqësia ime!

Keqardhje për situatën që kaloi në det presidenti Topi
Këngëtari Italian Al Bano është njohur në median italiane për avarinë që ka pasur në tragetin “Adriatika”, me të cilin udhëtonte Presidenti shqiptar Bamir Topi. Pasi ka telefonuar kreun e shtetit për situatën shëndetësore, në një tjetër telefonatë, ai është shprehur: “Na befasoi fakti që Presidenti i një vendi ka qëndruar 20 orë në det. Si është e mundur të mos ndërhyhet me mjete për të larguar kreun e shtetit, por edhe udhëtarët, që kanë kaluar orë të vështira, pa ngrënë, pa dritë? Ju duhet të kishit lajmëruar dhe autoritetet e Pulias, që e kishin ftuar, do të mundësonin dërgimin e Guardias apo të një brigade për të ndihmuar. Të gjithë ne kur e morëm vesh, shprehëm keqardhje.

2/Albano, idhulli që tronditi Tiranën komuniste
Shumë pak njerëz e dinë, që këngëtari Italian, vizitën e parë private e ka bërë më 1987. Ishte kërkesë e të atit, Don Karmelo, që të vizitonte këtë vend, ku ai kishte qenë ushtar gjatë pushtimit fashist. Për herë të parë, muzikanti Gazmend Mullai, njeriu kryesor që shoqëroi këngëtarin italian dhe prindërit e tij, Karmelo dhe Iolanda, rrëfen ekskluzivisht, më 03 Nëntor 2004, emocionet dhe të papriturat e atij udhëtimi sipas skenarit të Carmelo Karrisit, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh.
Në cilën pikë kufitare hyri Al Bano?
Al Bano hyri në Kakavijë të Gjirokastrës. Grupi ynë përbëhej nga tre vetë, staf i TVSH. Kishim shkuar herët atje dhe qëndronim këndej kufirit të mbushur me emocione. Për ne që e njihnim këngën e tij, ishte vërtet emocionues takimi me të. Al Bano sapo kishte fituar çmimin e parë në Sanremo me këngën “Nostalgjia kanandia” dhe popullariteti i tij ishte shumë i madh edhe në Shqipëri, pavarësisht se nuk dëgjohej hapur. Na thërrasin në zyrën e doganës dhe na thonë. “Po vjen Al Bano. Rrini në gatishmëri. Edhe policët kishin emocionet e tyre që do të shihnin këngëtarin e madh, që regjimi e kishte kthyer në mollë të ndaluar. Ai ishte në timon, drejtonte një xhip luksoz i veshur sportiv, ndërsa nga magnetofoni i makinës buçiste zëri i magjishëm i atij që ne po e shihnim për herë të parë ballë-përballë. Ia bëmë me dorë dhe i dhamë të kuptojmë se ishim ne që e prisnim. Shtrënguam duart dhe u nisëm sipas itinerarit dhe skicës që kishte përpara Carmelo, babi i tij, që shoqërohej edhe nga bashkëshortja, Iolanda.
Në cilin qytet shkelët pas Gjirokastrës?
Turi i vizitës nisi me Tepelenën. Carmelo donte të shkelte pëllëmbë për pëllëmbë dhe të ripërtërinte kujtimet e kohës së luftës, takimet me njerëzit. Të gjithë ne, por veçanërisht Al Bano, prekte dhe përjetonte afeksionin e jashtëzakonshëm të të atit. Kërkonte lumin ku ishte dislokuar batalioni i tij. Kërkonte pikërisht atë pjesë, ku kishte kaluar vetë ai. “Më dëgjoni”, na u drejtua të gjithëve ky burrë babaxhan, fisnik me një kapelë republike, që sytë i mbetën të njomur qysh kur shkeli tokën shqiptare. “Kur më dhanë lajmin se më ka lindur djali, fëmija i parë, ti Al Bano, ishte maji i 43-shit. Më thanë të shkoj me leje në shtëpi. Ja ku është lumi që kalova unë nga gëzimi se u bëra baba e nxitova për në Durrës. Kur u ktheva në Celino, malli dhe kujtimet për këtë vend më detyruan që të të vija emrin Al Bano. Këtu, tek ky lumë, më lindi ndjenja e të qenit baba, dhe në çast mendova: “Im bir do të quhet Al Bano”.
Çfarë i tërhoqi vëmendjen Al Banos nga udhëtimi nëpër Shqipëri?
Gjatë kohës që ndenji në Tiranë, kërkoi të takonte shkrimtarin Ismail Kadare, pasi kishte dëgjuar për Gjeneralin e Ushtrisë së vdekur, por kjo dëshirë iu realizua pas dy vjetësh. Nga gjërat që e befasoi familjen Karrisi ishte vizita në Ardenicë. Ndërsa ne na bëri përshtypje mënyra se si këngëtari e perceptonte këtë monument të gjallë të kulturës së lashtë duke bërë shumë pyetje. Vendqëndrimi i fundit ishte Gjirokastra, të cilin ai e quajti “muze gjigand”. E dinte se ishte vendlindja e Enver Hoxhës dhe e Kadaresë dhe u mrekullua nga vizita që bëri tek Qafa e Pazarit. Në pazar Al Bano bleu një lahutë me tetë tela dhe një qyp me mjaltë. Ai kërkoi t’i akordoja lahutën, pse nuk e njihte si instrument dhe, me dorën e tij shënoi emrat tanë, që e shoqëruam në këtë vizitë të parë në Shqipëri.