Dashnor Sula:“Ngërçi politik në KQZ është alibi e Ramës për humbjen e 23 Qershorit”

409
Sigal

INTERVISTA/Dashnor Sula, deputeti i PD-së: “Berisha di të ndërtojë aleanca dhe të respektojë aleatët”

Deputeti i PD-së dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve, Dashnor Sula në intervistën për “Telegraf” jep një këndvështrim krejt të kundërt të ngërçit politik në KQZ dhe, duke qenë edhe jurist, zoti Sula e shpjegon me alibinë që ngre që tani Rama për humbjen e 23 Qershorit. Sipas zotit Sula, meqë jemi Republikë Parlamentare, ku të gjitha institucionet burojnë e miratohen nga Parlamenti, Kuvendi e ka të drejtën që të ndajë mandatet, derisa KQZ-ja e ka të pamundur të arrijë konsensusin.

– Zoti Sula, si e konceptoni kritikën e ambasadorit amerikan në Tiranë, për politizimin e vendimeve të KQZ-së?

– KQZ-ja e re është ngritur në bazë të Kodit të ri Zgjedhor, ka marrë një mbështetje politike të gjithë Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë Kod të ri Zgjedhor, maxhoranca i dha mundësinë që violina e parë ishte opozita dhe çdo nen i tij është në konsensus të plotë politik me të gjithë. Në raste të veçanta humbja e logjikës dhe e arsyetimeve absurde të opozitës, në çaste të caktuara, krijojnë probleme që çojnë në acarime ndaj vendimeve të marra nga KQZ-ja. Ju siguroj që KQZ-ja deri tani është në rrugë të mbarë. Për dy momentet që kontestohen, për ndarjen e KZAZ-ve dhe të mandateve të deputetëve, sigurisht ka patur një mospërputhje në vendimmarrjet që ka marrë KQZ-ja. Po të marrim parasysh qëndrimin politik të opozitës, të cilët, pasi foli dhe Kolegji Zgjedhor, pasi mori vendimin, u kontestua nga opozita, në një kohë, kur ky vendim i Kolegjit Zgjedhor nuk ishte në favor të kërkesës që kishte paraqitur PD-ja, por as në favor edhe të kërkesës që kishte paraqitur PS-ja. Në zbatim të ligjit, kur flet gjykata, të gjithë palët e tjera duhet të heshtin. Këtu në Shqipëri është bërë zakon, sidomos nga opozita, që për çdo vendim ata të ankohen. Për analogji, ju them që nga Gjykata Kushtetuese, që nga 2005-sa e deri në 2012-n ka patur disa vendime, të cilat kanë rreshtuar  maxhorancën, që kanë qenë vendime shumë të rëndësishme dhe e kanë bllokuar punën e maxhorancës. Më gjeni, ju lutem, edhe një rast të vetëm, kur Kryeministri, ndonjë deputet i maxhorancës të ketë kontestuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

– Është goditje e Kushtetutës, në qoftë se Kuvendi do të bëjë ndarjen e mandateve të deputetëve?

– Unë, ju përgjigjem, jo vetëm si deputet, por edhe si jurist, nuk mund të më lejohej që të shprehesha  kurrsesi që vendimet e Kuvendit janë një goditje e Kushtetutës. Ne jemi një republikë parlamentare  dhe gjithçka buron nga parlamenti. Çdo institucion që ngrihet, bazën  dhe origjinën e ka nga parlamenti dhe votohet nga parlamenti. Dhe është tërësisht gabim politik, që zoti Rama dhe deputetët e tjerë të opozitës të kundërshtojnë zgjidhjen që ndarja e deputetëve të bëhet nga parlamenti. Nëse nuk kemi vendimmarrje që kërkohet me shumicë të cilësuar, në KQZ, dhe në Kodin Zgjedhor  është përcaktuar që vendimin mund ta marrë Kuvendi për ndarjen e mandateve. Kur KQZ-ja e ka të pamundur të arrijë konsensusin për ndarjen e mandateve, a duhet të rrimë pa ndarjen e tyre në zgjedhje? Duhet të ketë një zgjidhje ligjore, për të kapërcyer bllokimin.

A e ka detyrë ligjore, Ministria e Brendshme që të sjellë në KQZ, informacionin shtesë të kërkuar?

– Është e detyruar dhe ministria e Brendshme ka komunikuar dhe unë i kam parë, që janë vënë në dispozicion të opozitës të gjitha shkresat. Por mos harroni, që baza e të dhënave  është regjistri themeltar i shtetasve, është i dispozitshëm për çdo institucion dhe mbi bazën e këtij regjistri, bëhet në KQZ edhe ndarja e mandateve. Pretendimet që ka PS-ja për rritjen e numrit të votuesve në qarkun e Kukësit dhe se kjo rritje- sipas PS-së, nuk është reale, nuk ka bazë logjike. Ju jap edhe një rast analogjik, në zgjedhjet e 2011-s. Ishte deputeti Balla, i cili mori 300 qytetarë nga Durrësi  dhe i shtoi në Komunën e Stëblevës dhe ndryshoi raportin e votuesve dhe të fituesve. PD-ja nuk bëri asnjë lloj zhurme. Ndaj zhurma për KQZ-në është lojë politike e PS-së.

Kujt i shërben vënia në dyshim, që në fillim, të mirëbesimit se procesi zgjedhor do të kryhet i ndershëm?

– Kjo është një alibi që zoti Rama e kërkon sot për humbjen e 23 qershorit. Konfliktet brenda strukturave të PS-së, kanë bërë që shumë personalitete, eksponentë dhe kryetarë të PS-ve në strukturat partiake, të largohen nga PS-ja. Kjo tregon se PS-ja është në anarki, në amulli dhe në PS janë njerëzit e G-99-s, të cilët janë mbështetës të Kryetarit Rama dhe jo të PS-së, si subjekt.

– PD-ja është 8 vjet në qeverisje dhe ky realitet politik është produkt i saj. Për kë ndryshim bën fjalë slogani elektoral? Ndryshim i vetvetes, apo i realitetit?

– Ne jemi ndryshimi, i cili ka filluar që në 2005-s dhe është i prekshëm, kudo. Dhe kur themi që jemi ndryshimi, japim premtimin, që ndryshimi do të vazhdojë, sepse ne bëmë demokratizimin e të gjitha institucioneve, ne bëmë zhvillimin ekonomik më të madh, ne jemi ndryshimi sepse bëmë të mundur liberalizimin e vizave.

– Cilat janë vlerat e moralit politik, mbi të cilat është ndërtuar platforma e re elektorale?

– Vlerat e moralit politik të PD-së janë përkrahur dhe përçuar nga elektorati, duke u shprehur në votëbesimin e dhënë. Potenciali intelektual, i ndërthurur edhe me stafetën e brezave, i jep vlera të reja dhe të veçanta morali politikës së PD-së. Gjithashtu, vlerat morale të çdo politikani plotësojnë shumatoren e moralit politik të platformës elektorale të PD-së, bindëse  si një mundësi e vetme për të çuar përpara zhvillimin e vendit.

– Si anëtari i Komisionit të Ligjeve, ju si e konceptoni kritiken e deputetit të PD-së, Mark Marku, që qeverisja e PD-së nuk ka kryer detyrimin në luftën kundër korrupsionit dhe të meta në administratën publikë?

– Këto kritika nuk e prekin fare qeverisjen tonë. Me zgjedhjen e zotit Nishani në krye të KLD-së, rezultatet janë konkrete, sepse deri dje KLD-ja ishte e uzurpuar, ishte qendra ku realizoheshin transferime, emërime, të cilat ishin të dyshimta, e jo në bazë të meritokracisë.

– A është i nevojshëm, ridimensionimi i së djathtës para zgjedhjeve?

– Absolutisht, jo. E djathta është identifikuar, është konsoliduar plotësisht. Por, ata satelitë të vegjël që kanë ikur më parë, do të vijnë të ushqehen, sepse ushqimi dhe shtëpia e vetme e së djathtës është PD-ja.

Për PD-në, për të arritur shumatoren qeverisëse, sa do të ndikojë aleatimi juaj me LSI-në?

-LSI-në, ne e shikojmë si një aleat strategjik shumë të rëndësishëm dhe krejt ndryshe nga sjellja e zotit Rama, që ka treguar që nuk është luajal, nuk është bashkëpunues me aleatët, zoti Berisha është besnik dhe ka respektuar të gjithë aleatët.

Ngërçi politik në KQZ

Për dy momentet që kontestohen, për ndarjen e KZAZ-ve dhe të mandateve të deputetëve, sigurisht ka patur një mospërputhje në vendimmarrjet që ka marrë KQZ-ja. Po të marrim parasysh qëndrimin politik të opozitës, të cilët, pasi foli dhe Kolegji Zgjedhor, pasi mori vendimin, u kontestua nga opozita, në një kohë, kur ky vendim i Kolegjit Zgjedhor nuk ishte në favor të kërkesës që kishte paraqitur PD-ja, por as në favor edhe të kërkesës që kishte paraqitur PS-ja. Në zbatim të ligjit, kur flet gjykata, të gjithë palët e tjera duhet të heshtin.

Faleminderit