Dashnor Sula: “Kandidatura për Kryetarin e KQZ-së, një zgjidhje ligjore, e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor konsensual”

108

INTERVISTA/Deputeti i PD-së: “PS-ja kishte hile në artificialitetin e tensionimit  politik në Komisionin e Ligjeve”

Vështirë që të kuptojmë sa të drejtë ka PS-ja në problemet politike që ngre, sepse, tek e fundit, vetëtërhiqet, pa dhënë shpjegime dhe voton e bindur. Edhe me kontestimin e kritereve të 2 kandidatëve për Kryetarin e KQZ-së, PS-ja, po të kishte ngulur këmbë mund të përmbyste çdo raport, madje, po të kishte të drejtën ligjore, do të çonte në parlament 2 kandidatura të tjera, jo të votuara nga PD-ja. Ndryshe, më mirë të mos bëjë zhurmë, e pastaj, kokulur, të votojë, sikurse ndodhi edhe me 2 kandidaturat për Kryetarin e ri të KQZ-së, të cilat iu përcollën parlamentit nga Komisioni i Ligjeve, pa u votuar prapë, por thjesht me një deklaratë politike të Ruçit në Kuvend. Anëtari i Komisionit të Ligjeve Dashnor Sula, në intervistën për “Telegraf” u jep përgjigje pyetjeve përse PD-ja votoi kandidatë që nuk plotësonin kriteret për Kryetarin e KQZ-së, si edhe për raportet e besueshmërisë e pavarësisë të Drejtësisë e Gjyqësorit nga politika.

– Zoti Sula, duke qenë së  2 kandidatët për Kryetarin e KQZ-së nuk plotësojnë kriteret, si u votuan ata nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve?

– Unë ju shpreh që në fillim që nuk është e vërtetë që kandidatët që u votuan nuk plotësojnë kriteret. Në Komisionin e Ligjeve u bë seanca dëgjimore për të gjithë kandidatët. Në përfundim të kësaj seance nuk pari asnjë konstestim, qoftë edhe nga opozita. Po të kishte mosplotësim të kritereve, duhej që opozita t’i kërkonte në seancën dëgjimore.

– U përmend që kandidati Mustafaj është anëtar i PD-së, ndërsa kandidati Reka nuk plotëson 10- vjeçarin e përvojës profesionale. Këto ju si i kundërshtoni?

– Këto pretendime u ngritën në momentin që u krye votimi. Kjo do të thotë se ndonëse opozita ishte njohur me kandidatët, në seancën dëgjimore nuk shprehu kurrfarë kontestimi, nuk artikuloi asnjë lloj “akuze”.

– Sipas jush, përse PS-ja ngriti pretendimet e mosplotësimit të kritereve për 2 kandidatë?

– Hileja e opozitës ishte që të kontestonte 2 nga kandidatët që ishin përzgjedhur nga votat e PD-së dhe, duke qenë se opozita votoi vetëm për 2 kandidatë e jo për 4, siç kishte të drejtën ligjore, që pastaj, të futeshin në katërshen e përzgjedhjes përfundimtare 2 kandidatët e saj, prej të cilëve,  opozita duke rrëzuar 2 kandidatët e PD-së, do të përcillte për votim, për Kryetarin e ri të KQZ-së, në parlament 2 kandidatët e saj. Ky ishte truk politik i PS-së. Ju them me përgjegjësi që as zoti Mustafa dhe as zoti Reka nuk kanë kriter që nuk e plotësojnë.

– Zoti Mustafa  a është propozuar nga PD-ja për kryetar i njësisë bashkiake?

– Kjo nuk do të thotë që zoti Mustafa është anëtar i asnjë force politike, edhe pse propozohet nga një parti.

– Një Kryetar i KQZ-së, i votuar vetëm nga një forcë politike, a nuk është një shkas ( më shumë) që të dyshosh që tani për njëanshmërinë e KQZ-së në procesin zgjedhor?

– Të jemi të qartë, që sipas Kodit Zgjedhor, i hartuar dhe i miratuar me vullnetin konsensual të palëve politike, vetë procedura e përzgjedhjes të kandidatëve për anëtarë dhe Kryetarin e KQZ-së, përmban konsensusin politik, duke përjashtuar kontestimin e njëanshmërisë të përbërjes të KQZ-së së re. Është një zgjidhje ligjore e përcaktuar  nga vetë Kodi Zgjedhor konsensual.

– Pavarësisht nga përmbajtja ligjore e procedurës që ju përmendni, ju pyes: Është kaq e vështirë që PD-PS të gjejnë një mirëkuptim për të zgjedhë  me miratim të përbashkët një kryetar të KQZ-së?

– Nuk mund të thuash se kemi njëanshmëri në përzgjedhjen e anëtarëve e Kryetarin e KQZ-së, derisa zbatohet germa e Ligjit të Kodit Zgjedhor. Nuk mund të paragjykosh që 2 kandidatët që i përcillen parlamentit që të votojë për Kryetarin e KQZ-së, janë kandidatë që i ka përzgjedhë vetëm maxhoranca.

– Që reforma parlamentare, nuk është miratuar akoma,  fajësohet vetëm PS-ja, që kushtëzon konsensusin me plotësimin e 2 kërkesave?

– Ne të gjithë jemi të interesuar që të arrihet konsensusi. Kërkesat e PS-së janë jashtë logjikës parlamentare. Ne kemi bërë përshtatjen e Rregullores të parlamentit Europian në parlamentin tonë. Ne kërkojmë standarde europiane në parlamentin tonë.

– Kaq i vështirë është që të rikthehet votimi i fshehtë në parlament?

– Nuk është problemi  i ngecjes të reformës parlamentare,  kthimi i votës së fshehtë. Janë të tjera kërkesa të opozitës. Që kryetari i opozitës të ketë të njëjtën kohë me Kryeministrin. Kjo nuk ka logjikën parlamentare. Kjo nuk do të thotë që ne do të jemi tërë kohën në pushtet dhe e bëjmë reformën parlamentare për vetveten tonë. Nuk ka ndodhë kurrë,  në këto 7 vjet që unë jam deputet, që kur ka folur Kryeministri, të mos ketë folur kryetari i grupit parlamentar të PS-së.

– Si e shpjegoni ju që, ndonëse përditë PS-ja publikon fakte të korrupsionit në Ministrinë e Mbrojtjes, qeveria nuk reagon aspak?

– Unë nuk pajtohem kurrsesi me konkluzionin tuaj, që ne nuk kemi reaguar. Unë do t’i cilësoja shpifje të PS-së dhe kjo është thënë qartë edhe në deklaratat e vetë ministrisë e të ministrit Imami, të cilat i kanë kundërshtuar fort akuzat e Braçes. Nga ministri Imami kemi edhe depozitimin e padisë për shpifje ndaj Braçes, si  edhe për publikimin e dokumenteve që përbëjnë sekret shtetëror.

– Po vetë qeveria  përse nuk ka reaguar?

– Qeveria është ministria e Mbrojtjes. Nuk do të dalë qeveria në bllok që të përgënjeshtrojë një shpifje të PS-së. Reagimi më i mirë politik është rruga ligjore që ju thashë.

– A duhet të marrë iniciativë prokuroria, qoftë në kahun e akuzave, qoftë edhe në atë të shpifjeve, siç pretendojnë palët politike?

– Patjetër, që organi i akuzës duhet të veprojë. Dhe nëse ajo çmon se ka shkelje të ligjit nga ministria e Mbrojtjes, prokuroria duhet të fillojë një procedim penal. Jam i sigurt që organi i prokurorisë e ndjek me kujdes, duke grumbulluar materialet e domosdoshme dhe, besoj, se nuk ka gjetur vend që të fillojë një procedim penal, që të ketë shkelje të ligjit.

– Kufizimi i imuniteteve, i votuar konsensualisht, do t’i hapë rrugën luftës kundër korrupsionit?

– Kjo do të ndihmojë shumë fuqishëm në luftën kundër korrupsionit. Nëse deri dje, prokuroria i ka patur duart e lidhura, në bazë të nenit 287, 288, 289, të Kodit Penal, që nuk mund të kryente qoftë edhe një veprim të vogël hetimor, kundër një personi që kishte imunitet, tashmë prokuroria do të ketë iniciativën ligjore të kryejë detyrën e saj.

– Ndërtimi i shtetit të së drejtës ecën ngadalë dhe shkalla e besueshmërisë ndaj Gjyqësorit është e ulët, janë kritikat e raportit të OSBE-së. Cilat janë shkaqet?

– Sistemi i drejtësisë vërtet ka probleme dhe këto nuk janë të sotme. Janë të akumuluara në këto 20 vjet. Ne si maxhorancë jemi përpjekur që të realizojmë reforma në Gjyqësor, pavarësisht nga pengesat që na vihen nga opozita për Gjykatën Administrative dhe Gjykatën e Lartë. Jam i bindur që gjërat janë në drejtimin e në ritmin pozitiv, duke patur parasysh që edhe puna në KLD nën drejtimin e Presidentit Nishani e Çefa do të përmirësohet, duke rikthyer frymën e besimit të qytetarëve për Drejtësinë e Gjyqësorin.

– Problemi në Shqipëri është se Gjyqësori jep vendime, të cilat nuk zbatohen. Ju ilustroj ngërçin e reformës së Gjykatës së Lartë, për mosekzekutimin e 13 vendimeve të Gjyqësorit. Kjo përbën shqetësim?

– Nuk duhet të përgjithësojmë një rast specifik e të vetëm.

– Por në këtë rast, kritika bëhet se është vullneti politik që nuk lejon zbatimin e vendimeve të Gjyqësorit. Ju e kundërshtoni?

–  Të kemi të qartë. Që sot kemi një institucion juridik, zyrat e përmbarimit. Që më të shumtat janë private. Në rastin e Qarkut të Fierit ka  brenda një pështjellim politik, që ka krijuar këtë ngërç politik. Gjithsesi, është një rast i shkëputur. Unë ju them se në debatin që bëmë me PS-në, nuk u soll ndonjë rast tjetër i dytë.

– Për rastin e Qarkut të Fierit, ku qëndron e keqja?

– Më shumë ka marrë notat më shumë se duhej përtej politikës dhe nuk ka të bëjë me çështje juridike.

– Faleminderit!