Dashamir Shehi: Taksa progresive e ka tkurrur iniciativën investuese të biznesit, nuk dha as barazi sociale

462
Sigal

Dashamir Shehi, anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, në intervistën për “Telegraf” pohon se taksa progresive nuk dha atë që u premtua, por, përkundrazi ka tkurrur iniciativën investuese të bizneseve dhe as që dha barazi sociale. Ndërsa akuzën e ministrit Veliaj, se institucionet shtetërore nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për nëpunësit, është në kufijtë e absurditetit. Duke iu referuar normalitetit të politikës, pasi edhe opozita u bë pjesë e Kuvendit, zoti Shehi pohon se “Të dy palët janë maturuar mjaftueshëm, për të bërë një rrugëtim të përbashkët për çështjet e mëdha që janë të përbashkëta për të gjithë, për të cilat do veçoja, reformë kushtetuese, ndryshim të ligjit elektoral, marrëveshje për KQZ-në, mundësisht  një rishikim të hartës territoriale, për të hyrë të dyja palët të qeta në zgjedhje”.

-Zoti Shehi, para disa ditësh Kuvendi miratoi një ligj për huamarrje nga qeveria, pa miratimin e parlamentit. A bie ndesh ky ligj me Kushtetutën?

– Bie ndesh me Kushtetutën. Bie ndesh edhe me një traditë që është krijuar gjatë këtyre 20 viteve, e që aprovojmë buxhet në Parlament, sepse buxheti është ekskluziviteti i Parlamentit. Dhe unë mendoj që kjo qeveri, po t’i bëjë planifikimet buxhetore pak më mirë, nuk ka nevojë t’i hyjë kësaj lloj akrobacie, që është në kapërcyell të ligjshmërisë dhe antikushtetuese.

– Gjatë qeverisjes së majtë, performanca e ekonomisë tonë është përmirësuar?

– Unë gjykoj që ekonomia ka mbetur në një gjendje stacionare. Kisha shumë shpresë që do të kishim një përmirësim të dukshëm, ndaj e gjykoj që performanca e ekonomisë tonë është e dobët. Këtë vit jemi në një diskutim, BB-ja pretendon 2,1 %, BERZH-i ka shifra të tjera, rreth 1,5 %. Unë, alla shqiptarçe, po e ndaj përgjysmë. Sidoqoftë, jemi nën nivelin e 2 % të rritjes ekonomike, shumë pak për një ekonomi, që pretendon të hapë 300.000 vende pune, që pretendon të dalë nga spiralja e krizës, që të rritë konsumin. 2 % janë një lloj lubrifikanti, që ka nevojë ekonomia për të qëndruar në këmbët e veta. Dhe sipas studimeve të fundit të tregut të punës, nëse nuk ka rritje përtej 3 %, nuk ka asnjë rritje të fuqisë punëtore.

– Taksa e re progresive çfarë ndikimi ka dhënë në ekonominë tonë?

– Unë gjykoj që nuk ka pasur ndonjë ndikim pozitiv, përveç faktit që në disa të pasur janë mbledhur diçka më shumë para. Unë gjykoj që e ka tkurrur iniciativën e bizneseve private, i ka bërë dyshues bizneset ndaj kësaj qeverie dhe duke u marrë gjithçka këtyre njerëzve, nuk u la hapësira për të investuar. Unë them që kush priti që me taksën progresive do të zhvillonte ekonominë dhe do të bënte edhe një lloj drejtësie sociale, ka dalë i gabuar.

– A mund të themi që sot kemi një taksim më të ndershëm, me taksën progresive?

– Realiteti në një sistem fiskal të pakonsoliduar mirë, me një administratë tatimore e cila i ka të gjitha boshllëqet e veta, jo gjithmonë kjo taksë progresive bie të mira në buxhetet e shtetit dhe jo gjithmonë ndihmon në gjallërimin e biznesit. Unë do të thosha që ishte më mirë kur sistemi ishte më i thjeshtë, ishte më i pranueshëm nga biznesi. Unë them që me sistemin e kaluar tatimor, por të ishte përmirësuar performanca e administratës tatimore, sigurisht që do kishim më shumë para sot, të lira në buxhetin e shtetit, por do kishim edhe brenda sistemit të kapitaleve private disa para të tjera për t’u investuar, që sot nuk i kemi.

– A mund të pohojmë që tashmë politika është në normalitetin e saj, derisa edhe opozita është në Kuvend?

– Unë gjykoj që politika ka pasur problem, do të ketë edhe në të ardhmen, por ne jemi në normalitet demokratik. Opozita përdori një nga armët e veta, ekstreme ta quajmë, bojkotin për disa muaj, ka arritur disa rezultate pozitive, por ne jemi vetë të ndërgjegjshëm që bojkoti nuk mund të jetë një zgjidhje permanente në një demokraci.

– Mendoni se do të ketë një bashkëpunim maxhorancë-opozitë për çështjet e mëdha të integrimit dhe të reformave të mëdha që shtrohen si domosdoshmëri?

– Besoj se do të ketë. Temat e mëdha janë integrimi, ndryshimet kushtetuese, zgjedhjet lokale, reformimi i administratës publike, ndarja e re territoriale. Kemi, sigurisht, kundërshti shumë të mëdha me maxhorancën e sotme, por unë gjykoj që janë tema kaq madhore, por në mënyrë të detyrueshme duhet të gjejmë pika kontakti.

– Shikoni vullnet politik për bashkëpunim?

–  Mundësisht edhe konsensus duhet të gjejmë. Unë shikoj vullnet politik. Mendoj që kjo maxhorancë, pas 1.6 muaj qeverisjeje, e ka kuptuar që jo të gjitha premtimet elektorale janë kaq të thjeshta për t’u realizuar, e kanë kuptuar që nuk shkohet shumë gjatë e larg duke neglizhuar plotësisht opozitën dhe prandaj gjykoj që do kemi shanse për bashkëpunim. Edhe opozita, duke e ezauruar luftën ekstreme deri në bojkot, e ka kuptuar që ky është një proces i vazhdueshëm, është në qenien e vet të demokracisë negocimi me maxhorancën, përtej përplasjes, hapësira për të gjetur konsensus,  pika bashkëpunimi. Të dy palët janë maturuar mjaftueshëm për të bërë një rrugëtim të përbashkët  për çështjet e mëdha, që janë të përbashkëta për të gjithë, për të cilat do veçoja, reformë kushtetuese, ndryshim të ligjit elektoral, marrëveshje për KQZ-në, mundësisht  një rishikim të hartës territoriale, për të hyrë të dyja palët të qeta në zgjedhje.

Nëse maxhoranca nuk do të pranojë të rishikohet edhe një herë ndarja e re territoriale, sikurse ka kushtëzuar opozita, mendoni se opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet e 21 qershorit?

– Unë gjykoj që ne do të marrim pjesë në zgjedhjet, në çfarëdo situate. Do të ishte e trishtueshme që të bëhen zgjedhjet me këtë hartë të ndarjes territoriale, por pjesëmarrja është një detyrim kushtetues. Ne jemi të detyruar t’u përgjigjemi qytetarëve, të kërkojmë votën e tyre për t’i përfaqësuar, sepse alternativë tjetër politike nuk ka. Nuk ka justifikime të mjaftueshme për të mos vajtur në zgjedhje.

– Meqë opozita mori komisionin për dekriminalizimin e Kuvendit, mendoni se kjo do të jetë hallka kryesore për ta kryer dekriminalizimin?

– Unë gjykoj që ky do të jetë një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm, por është i rëndësishëm që të hapet. Tabuja që deputetët nuk mund të atakohen, janë të zgjedhurit e popullit, unë gjykoj që është një temë që duhet të mbyllet. Mund të ketë gjatë rrugës pengesat e veta, mund të ketë  interesa dhe sherre politike në këtë mes, por është shumë e rëndësishme që po fillohet.

Akuza e ministrit Veliaj për sigurimet shoqërore, është absurditet

– Sipas jush, sa vërtetësi ka akuza e qeverisë dhe e ministrit Veliaj që qeveria e shkuar, në 8 vjet, nuk ka paguar sigurimet shoqërore të nëpunësve në Administratën Publike?

– Kjo më duket në limitet e absurditetit. Di që disa institucione kanë qenë prapa me pagesat e sigurimeve shoqërore dhe janë akumuluar, p.sh këtë mund ta them për ministrinë e Mbrojtjes, e di mirë që, për efekt suplimentesh që duhet të paguante vazhdimisht ky institucion për pensionet e ushtarakëve, nuk janë paguar dhe për disa ndërmarrje minerale, kur në ato ishin akoma dominant shteti. Por, të pretendojmë tani, që drejtoritë arsimore nuk kanë paguar sigurimet shoqërore, d.m.th, 2.000 institucione të vogla shtetërore, kjo është një lloj fanta ekonomie, fanta politike. Ndaj dyshoj edhe për numrin e institucioneve, por as për mekanizmin, sepse duhet të na shpjegojnë, të paktën, sesi kanë mbërritur, si kanë kaluar këto para nga thesari i shtetit, se si janë ritërhequr nga depozitat e sigurime shoqërore. Kjo qeveri duhet ta sqarojë mirë situatën, me detaje, me shembuj konkretë, të dërgojë letrat në organet e specializuara, sepse kështu, në tym, mungojnë brenda ditës 150 milionë euro, duket sikur para një viti nuk kishte shtet? Kështu siç bëjnë, nuk më duket shumë serioze!

– Një pikëpyetje është përse tani ky denoncim nga ministri Veliaj dhe jo që në fillim të marrjes së detyrës?

– Unë ju them që vetë ky problem nuk ka të tilla dimensione, sepse do të kishte qenë i dukshëm në çdo kohë. Dimensionet janë shumë më të reduktuara, prandaj, duke avancuar me skemën e pensioneve, duke u rifutur te skema e re, niveli i përllogaritjeve ka bërë, që në sektorë të ndryshëm, të kuptohet që mungojnë disa nga kontributet shoqërore. Por, absolutisht jo në shifra të tilla.

– A ka ardhur ky problem në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë?

– Nuk është futur në agjendën e tematikave. Është detyrë e ISSH-së, e Ministrisë së Mirëqenies dhe e Financave, ta sqarojnë situatën, dhe pastaj Komisioni i Ekonomisë duhet të bëjë edhe nga ana ligjore, një gjysmë hetimi, qoftë për dimensionet,  në qoftë se  brenda shtetit shqiptar paska të tilla shpella, gropa thithëse, që tërheqin shuma kaq të mëdha parash pa u kuptuar fare, pastaj, do të thotë që jemi në një situatë krejt tjetër.

 – Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA