Dashamir Shehi: “Qeveria pranon që do ketë një rritje ekonomike të hiçit të vockël”

465
Sigal

Deputeti Dashamir Shehi, anëtar i Komisionit të Ekonomisë, në intervistën për “Telegraf”, pohon se, paketa fiskale dhe p/buxheti për 2014-n janë hartuar nga qeveria nën presionin e FMN-së, por shifrat e parashikuara, dëshmojnë se qeveria pranon që do të ketë një rritje ekonomike të hiçit të vockël. Për më tepër, thekson zoti Shehi, është se qeveria shpreson në zemërgjerësinë dhe mëshirën e komunitetit financiar ndërkombëtar ndaj gabimeve financiare të Shqipërisë.

Zoti Shehi, mendoni se deri tani maxhoranca e Majtë ka dhënë sinjale pozitive të qeverisjes në këto 100 ditët e saj?

Unë mendoj që 100 ditët  e para nuk kanë qenë shumë të suksesshëm, aq më tepër, nuk kanë qenë sipas premtimeve të mëparshme. Por, kanë pretenduar se  kjo qeverisje do të jepte disa sinjale pozitive.

– Cilat do të vlerësonit si sinjale pozitive të kësaj qeverisjeje?

–  Do të kishte vendosmërinë për të krijuar një buxhet të shtrënguar, por i cili t’i jepte ekonomisë ringjitjen nga viti 2014, gjë e cila nuk ka ndodhur. Dhe unë këtë e konsideroj një nisje negative, për faktin e thjeshtë sepse nuk shikoj tregues makroekonomik që të përmirësojë, nuk kam shpresuar që të përmirësohen brenda një viti, për bizneset, për jetën ekonomike. Unë mendoj që kjo do të jetë pamja edhe e vitit 2014.

Cilat mund të jenë pasojat e mosmbajtjes të premtimit të Ramës, që brenda 2013-s, do të shlyente borxhin ndaj bizneseve, që arrin në 350 milionë dollarë?

– Pasojat janë dy dhe njëra ka filluar të ndihet. E para, një entuziazëm i munguar brenda biznesit. E dyta, një sforcim i buxhetit, jo vetëm për 2013, siç qe me paketën fiskale, por edhe për 2014-n, çfarë është më e keqja. Domethënë, ne rritëm borxhin për 2013-n, por nuk arritëm që të shlyejmë borxhin ndaj biznesit privat të 2013-s. Kështu, që në 2014 hyjmë me tregues të rënduar makroekonomik, hyjmë, gjithashtu,edhe me borxhet e pashlyera të 2013-s. Unë do të isha i gjykimit, që me një pjesë të këtij borxhi që u morr, të ishin shlyer, si parapagim, të paktën 50 % e  borxhit që shteti ka ndaj privatëve, që të krijohej mundësia që të rritej niveli i investimeve. Ndaj kjo qeveri ka treguar edhe një mungesë kurajo, sepse, siç po tregojnë edhe shifrat e fundit, nuk është çudi, që në fund të vitit të teprojnë nja 5 miliardë lekë, sepse planifikimi u bë në një nivel shumë të ulët për mbledhjen e të ardhurave, pikërisht se kjo qeveri nuk pati kurajo për të vënë një target, nivele më të larta për të mbledhur të ardhura dhe në fund të vitit do të mburret që i kanë tepruar këto 5 miliardë lekë, të cilat me pak kursime, do të bëheshin 10 miliardë e të shkonin për shlyerjen e borxhit të biznesit.

– Maxhoranca e re a  gjeti “tokë të djegur” në fushën e financave dhe të ekonomisë?

– Unë gjykoj që nuk ka gjetur “tokë të djegur”. Njëherë, ka gjetur një situatë të vështirë, por, nëse pretendon atë që thatë, do të ishte mirë që të mbyllej ky vit, për ta kuptuar që “toka” nuk ka qenë aspak e “djegur”, sepse, në fund të fundit, ekonomia do të mbyllet me një rritje prej 1,5 %, do të teprojnë edhe 5 miliardë lekë, domethënë, që nuk ishte nevoja për të marrë 24 miliardë borxh dhe treguesit makroekonomik për 2014-n tregojnë se diferenca midis 2013-s e 2014-s, do të jetë fare e vogël.

– Sa reale është ajo që pretendon maxhoranca, që nga paketa fiskale do të përfitojnë 96 % e shqiptarëve, ndërkohë që, në saj të taksave të reja, do të kemi rritje të paparashikuar të çmimeve, të cilat do të rëndojnë në xhepat e shqiptarëve?

– Absolutisht, përfitimi për shqiptarët do të jetë shumë i vogël, por të thuash që janë 95 % e shqiptarëve, është një thënie e kotë dhe pa asnjë vlerë. Poshtë 30.000 lekëve rrogë, zero ishte taksa, zero është edhe tani. Pjesa tjetër do ketë një përfitim të vogël, 1,5-2 % të pagës. Pjesa që është mbi 130.000, sigurisht , ka një humbje. Po nuk më shqetëson kjo pjesë e vogël që do të humbë, por për shumicën, përfitimi është thuajse zero, ndërsa humbja, për efekt të taksave të reja, sigurisht, që e kapërcen shumë më tepër, atë që do përfitojnë. Një shembull është rritja e çmimit të karburanteve. Impakti që do të bien taksat e reja, do të jetë shumë i madh se përfitimi nga pagat. Numri i shqiptarëve që do përfitojnë, do të jenë të paktë dhe masa e përfitimit do jetë e pakonsiderueshme.

– Cila do të ishte, sipas jush, rruga më e drejtë?

– Që kjo qeveri t’i thotë gjërat ashtu siç janë. Që kjo është një masë shtrënguese, që merret në momentet e caktuara, që merret për të arritur parametrat makroekonomikë, për të pritur për një periudhë më të mirë në të ardhmen. Por, që të thuash, që nga kjo përfitojmë, unë them që shqiptarët do ta kuptojnë shumë shpejt, që në fund të muajit, do t’i mbeten më pak para nga më parë.

Po paketa e re fiskale, sa e reflekton në përmbajtjen e saj, këto premtime elektorale dhe sa ka devijuar nga programi i së Majtës?

– Paketa fiskale nuk ka asgjë nga programi elektoral. Kjo paketë fiskale është konservative, e marrë nën shtrëngime dhe presione tëFMN-së, është për të risistemuar shifrat makroekonomike dhe nuk ka absolutisht asnjë nga premtimet elektorale. Nuk kemi as rritje pagash dhe pensionesh, që të eliminojnë efektet e rritjes së taksave dhe të çmimeve. Edhe premtimet për shëndetësinë falas, nuk reflektohen. Kjo është paketa fiskale, normale, klasike, në një periudhë të vështirë dhe unë nuk e shikoj dramatike këtë.  Dramatike është dëshira e maxhorancës, për ta shitur këtë paketë fiskale, sikur kjo është zgjidhja e problemit të Shqipërisë. Po të shikosh shifrat që vetë kjo qeveri ka planifikuar, tregojnë që vetë kjo qeveri është koshiente që  shpresat për një ringritje të ekonomisë në mënyrë të shpejtë, është shumë e vakët. Mjafton t’u themi shqiptarëve që në fund të 2014-s është parashikuar 2 %, domethënë është një hiç i vockël.

–  Sipas jush, cilat janë pikat e dobëta,  të projektbuxhetit të 2014-s të maxhorancës së Majtë?

– Disa nga pikat e dobëta janë këto: Kemi disa elementë të ndryshimit të taksave, të cilat mund të krijojnë një atmosferë mosbesimi te biznesi dhe te qytetari i thjeshtë. Mund të rëndojmë faktorin e të bërit biznes dhe mund të krijojnë një klimë të brendshme tensioni, frikë për të investuar, një tendencë për të patur një evazion fiskal, janë rritur disa lloj taksash mbi bizneset e mëdha, të cilat gjenerojnë bizneset e tjera.

A ka  pika të  forta ky projektbuxhet?

Dëshira e vetme është që në mënyrë të përshpejtuar, të arrihet treguesit makroekonomik. Pika tjetër është dëshira që brenda 2014-s të mbyllet çështja e borxhit ndaj bizneseve.  Po të vënë në raport me koston e dëmit që do shkaktojë, unë e gjykoj që e gjithë paketa fiskale dhe ajo që afron buxheti në përgjithësi, është ndërtuar që nuk do të na japë ndonjë situatë të përmirësuar në ekonomi dhe shpresën që Shqipëria do të dalë jashtë krizës.

Mendoni se qeveria do ta shlyejë, qoftë edhe në 2014-n borxhin prej 350 milionë dollarë që i ka biznesit?

Unë mendoj se duhet ta shlyejë, sepse paratë janë parashikuar në p/buxhet.Po çështja është me çfarë do ta shlyejë? Me koston e rritjes së borxhit. E dyta, me koston e uljes së investimeve, sepse shuma që reklamojnë, të 1 miliardë dollarë për investime, në fakt, vetëm gjysma e tyre do jetë për investime, sepse gjysma tjetër do të lubrifikojë igranazhet e borxhit të vjetër.

– Qëndrueshmëria e ekonomisë  dhe rritja ekonomike për 2014-n, a mund të garantohet me masat shtrënguese?

Unë mendoj që ekonomia duhet të liberalizohet. Çdo masë shtrënguese, çdo lloj presioni mbi tregun, sigurisht do ta zvogëlonte tregun. Taksat e reja synojnë ta bëjnë më inert tregun, më pak konkurrues në nivelin rajonal.  Kjo qeveri e ka marrë si lehtë gjithë këtë proces. Ia ka deleguar më shumë dëshirës për të pasur një kosto më të lartë të borxhit të brendshëm, nivel më të lartë huamarrjeje, edhe të një shprese në institucionet ndërkombëtare, të cilat do të jenë më liberale dhe të një shprese hipotetike, se po mbaron kriza në rrafshin ndërkombëtar.

– Faleminderit!

Qeveria mendon se financierët ndërkombëtarë do të tregohen zemërgjerë

A duhej që maxhoranca të bëjë transparente kushtet dhe kërkesat e FMN-së, që i ka vënë qeverisë sonë për marrjen e borxheve të reja prej saj?

– Jo vetëm që t’i bëjë transparente, por edhe t’i debatojë  me opozitën, në publik, në media, sepse kjo është një përgjegjësi që do ta trashëgojnë edhe maxhoranca të tjera, pastaj. Ata mundohen të fshihen pas gishtit, sepse një ditë, këto do të bëhen të qarta. Por kjo maxhorancë, më shumë se dëshirën për të fshehur, ka paaftësinë për të negociuar. Ata nuk e kanë të qartë edhe vetë se ku duan të mbërrijnë. Këta mendojnë se komuniteti financiar ndërkombëtar do të tregohet zemërgjerë dhe mëshirëplotë me gabimet e Shqipërisë. Unë them se borxhi do të bëhet barrë edhe më e madhe, përtej parashikimit të qeverisë. Nëse borxhi del jashtë kontrollit, për Shqipërinë hapet një spirale e rrezikshme financiare.