Dashamir Shehi: Ky parlament është i kryetarëve të partisë

670
Dashamir Shehi, kryetar i LZHK dhe deputet i opozitës në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh gjykimin e tij, se projektbuxheti i 2016 është projektuar me shifra më të vogla nga mundësitë reale, nga frika e dështimeve të qeverisë. Zoti Shehi, pohon se, ndërkohë që qeveria shkurton, p.sh, fondet për rrogat e mjekëve dhe infermierëve, rrit shumë fondet që do t’u jepen koncesionistëve, duke dëmtuar shumë shërbimin shëndetësor. Kështu ka ndodhur edhe me rrogat dhe pensionet. Zoti Shehi, kundërshton fort ligjin e ndryshimeve të Kodit Penal për penalizmin e shkeljeve tatimore dhe fiskale, pasi kjo do të tkurrë shumë aktivitetin e bizneseve, për shkak të terrorit që do ushtrohet. Zoti Shehi thotë se ky parlament është i kryetarëve të partive, ndaj duhet ndryshuar Sistemi Elektoral, ndryshe, thotë zoti Shehi, mund të ketë më pak kriminelë-deputetë, por do kemi me dhjetëra të paaftë, servilë dallkautë, korruptues që do bëhen deputetë, për të qenë besnikë të kryetarit të partisë. 
-Zoti Shehi, cili është mendimi juaj për buxhetin e 2016?
– Buxheti i 2016 teknikisht konsiderohet konservator, që do të thotë që ka mundësi për të mbledhë disa para më shumë, por shkruhet nën mundësitë, deklarohen më pak të ardhura, sesa është kapaciteti. Kjo për hir të eksperiencës fatkeqe që pati kjo qeveri, ku deklaroi se do të mblidhnin shumë më tepër dhe dështuan në të ardhura. Kapacitetet e ekonomisë janë më të mëdha, sepse rritja ekonomike është programuar 3,4 %, edhe për efekte të inflacionit, duhet të ishte rritja më e lartë. Ta lëmë mënjanë performancën e institucioneve financiare, e megjithëkëtë, buxheti është praktikisht në shifra më të ulëta. Kjo është bërë nga frika e qeverisë, nga dështimi i sivjetëm. 
– Por, megjithëkëtë buxheti i 2016 parashikon shkurtime fondesh në Arsim, Shëndetësi, në ndihmën sociale, të investimeve publike, mos rritje pagash dhe pensionesh…
– Shkurtime fondesh në shëndetësi nuk ka, bile buxheti i shëndetësisë është më i madh se vitet e tjera. Mirëpo, pjesa e cila i takon pagave të personelit shëndetësor, kjo është ulur. Praktikisht janë rritur pjesa koncesionare që do paguajë ky buxhet për koncesionet që janë dhënë në 2 vjetët e fundit. Kjo politikë do vazhdojë për 10 vjet me radhë, sepse janë 3 koncesionet që janë dhënë 2 vjetët e fundit, që duan çdo vit 25-30 milionë euro. Ndaj buxheti i shëndetësisë për pjesën tradicionale të shëndetësisë është më i vogël. Edhe për treguesit që përmendët ju, ka vetëm ulje dhe nuk ka si të ketë rritje, për kaq kohë që buxheti nuk ka kurajën që të parashikojë të ardhura në rritje. Ky buxhet duhet të kishte parashikuar, minimalisht, mbi 300 milionë euro më tepër, për ti bërë ballë disa investimeve, si investimeve publike, që kanë vite që qëndrojnë në gjendje stanjiacioni, për rritje pagash, pensionesh, qoftë edhe minimale, për të kompensuar rritjen e kostos të jetesës. Këto janë 2 defektet makro të këtij buxheti. Unë nuk besoj as në parashikimin që do ketë 3,4 % rritje, sepse edhe këtë vit u parashikua 2,7 %, dhe shifrat nuk do të jenë më shumë se 1,5 %. 
– Cila është performanca qeverisëse?
– Për mua është shumë e dobët. Në radhë të parë kjo demonstrohet në pamundësinë e saj për të mbledhë taksat dhe doganat dhe mënyrën sesi i keqshpenzon ato. Ne jemi në një deficit që mund të arrijë 300 milionë euro. Shkaku kryesor është administrata doganore, tatimore. Korrupsioni që mbizotëron dhe paaftësia profesionale, e shtrirë në të gjithë nivelet, në të gjithë segmentet. Por më e keqja është se ka shumë fonde që ende nuk janë përdorur. Realizimi i investimeve publike është shumë mbrapa. Në administratën publike ka më shumë sherr se kush do ta marrë këtë tender e kush atë tender. Mirë që janë pak para po edhe këto pak para nuk shpenzohen, atje ku duhet të shkojë, dhe ekziston frika që në fund të vitit pritet siç priten zakonisht, për tenderat e shpejtë që bëhen brenda muajit, për luksin, për të mos “i djegur” paratë. 
– Zoti Shehi, a ka paradoks, që nga njëra anë, votohet ligji për dënime penale të shkeljeve administrative të bizneseve, ndërsa nga ana tjetër, me iniciativën e kryeministrit Rama, për të hequr taksat biznesit të vogël?
– Unë e gjykoj që ky ligj, që parashikon dënime të rënda, ndryshime të Kodit Penal për çështjet ekonomiko-fiskale, është fare i kotë dhe i panevojshëm. Nuk mund të japë efekt. Do japë efekte negative, nëse do votohet (intervista u bë dje, para votimit të ligjit). Kodi aktual Penal ka mjaft nene për dënime deri në 3 vjet për të gjitha deviacionet e shkeljeve administrative dhe këto, deri tani, nuk janë zbatuar. Janë të mjaftueshme të zbatohen këto që kemi deri tani dhe do të ishte në rregull e gjithë situata. Tjetra është krijimi i terrorit të biznesit. Në këto 2 vjet ndaj biznesit janë marrë shumë masa dhe zbatohen subjektivisht nga njerëzit, që shumë herë ata janë të korruptuar. Kështu, një dëm nga këta e ka marrë biznesi. Tani, me këtë ligj, krijojmë një klimë, që kushdo që merret me biznes, gati-gati ka një profil gjysmë kriminal. Dhe shqiptarët, me intuitën e tyre, do t’i futin ato pak para që kanë, poshtë dyshekut. Në vend që t’i inkurajojmë, t’u krijojmë një atmosferë më të qetë e të sigurt për të bërë biznes, tani, veç tensionit të taksave, të inspektorëve që shkojnë në biznese në çdo 2 javë, njëherë venë inspektorët e taksave, pastaj ata të punës, pastaj ata të pensioneve, pastaj ata të mjedisit, një dëshirë për t’ju turrur në mënyrë abuzive atyre pak parave që janë xhiro, ka krijuar këtë realitet ekonomik që është sot. Prandaj, unë gjykoj që nuk ka për të parë hair fare ligji i ndryshimeve të Kodi Penal për dënimet e biznesit, që duan të votojnë. Gjëja më e dëmshme është që duke bërë ndryshime të vazhdueshme të Kodit Penal, për të ashtuquajtura krime, që nuk janë në natyrën e Kodit Penal, ne shtrembërojmë strukturën e vetë Kodit Penal. Dënohet një që ka bërë evazion, kontrabandë me një njeri që është vrasës, duke e parë nga niveli i dënimeve. Kemi edhe një spostim të natyrës që do të interpretojnë këto ligje. Personeli që merret me fiskalen, me taksën, është nëpunësi i qeverisë, tatimori, doganori, ndërsa me këto ndryshime në Kod Penal, ne ia delegojmë prokurorisë, gjykatës, duke e futur në fondin e krimeve penale. Kjo gjykatë e prokurori ka shumë ngarkesë-peshe realisht penale të krimit dhe, imagjino, t’i vëmë në kurriz edhe me mijëra e mijëra dosje të përditshme të kësaj teme ekonomike. Unë shpresoj që ky projektligj të mos votohet. 
– Derisa PD-PS ranë dakord për draftin e dekriminalizimit, ju vetë besoni se do të bëjnë dekriminalizimin?
– Shpresoj që të ndodhë, por jo se kam ndonjë besim të madh te këto aktorë politikë, sepse këta kanë qenë që e kanë prodhuar kriminalizimin në politikë. Të flasim realisht. Shpresoj që presioni i ndërkombëtarëve të bëhet edhe më i madh. Dokumentet që janë publikuar, vijnë nga duart e huaj dhe jo nga institucionet vendase. Nëse ky hap pozitiv, do të jetë një hap fëmije, apo hap i të rrituri, këtë do ta shikojmë deri në zgjedhjet e 2017. Ka 2 faza për t’u kuptuar nëse ka dëshirë për t’u bërë. E para, është vendosmëria për të ndërprerë mandatet e këtyre që janë dhe ky është akti më i rëndësishëm, ky do jetë treguesi që punët merren seriozisht dhe kam parasysh jo vetëm deputetët, por edhe zyrtarët e lartë. E dyta është si do të zbatohet për zgjedhjet e 2017, apo do ta bëjnë vetëm sa për t’u thënë ndërkombëtarëve, që ja, bëmë atë që na thatë ju, votuam ligjin, kemi dëshirë të madhe, por mundësitë të vogla. 
– Këtë dëshirë, që të mos kandidojnë persona të inkriminuar, duhet ta lëmë në dëshirën e kryetarëve të partisë, apo të zhbëjmë Sistemin Elektoral, që e kriminalizoi parlamentin?
– Unë mendoj që ligji të jetë barrierë dhe jo t’ia lëmë dëshirës së kryetarëve të partisë. Duhet të ndryshojë domosdoshmërisht Sistemi Elektoral aktual. Kryetari mund të marrë kë të dojë e ta bëjë deputet, jo vetëm ata të kriminalizuarit, siç ndodhi, por herë tjetër do të përzërë të kriminalizuarit, por mund të bëjë deputet injorantët, servilët, budallenjtë, maskarenjtë e politikës, që janë më të rrezikshëm se kriminelët. Shikoni shumicën e sotme të parlamentit. Nuk do të kemi 3-4 kriminelë me “K”, por do të kemi dhjetëra kriminelë me “k”, sepse me këtë Kod aktual Zgjedhor, kryetarët e partive e mbushin parlamentin me bashkëfshatarët e vet, me njerëzit e krahinës, vetëm e vetëm që ata të jenë besnikë-servila të kryetarëve. 
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 05.12.2015
Sigal