Dashamir Shehi: “Kush humbet zgjedhjet, largohet edhe nga drejtimi i partisë”

438
Sigal

Tendenca është që partia të vijë në pushtet, pastaj Shqipëria është në plan të dytë

Dashamir Shehi, Kryetari i LZHK-së dhe kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës,  në listat e PD-së,  në intervistën për “Telegraf” pohon se humbësi i zgjedhjeve të 23 Qershorit, do të jetë edhe humbësi i madh, sepse do të shënojë edhe fundin e të qënurit kryetar i partisë së vet. Ndërsa, cilësimeve fyese të Bamir Topit, ndaj tij, zoti Shehi, i kundërpërgjigjet thjesht, duke thënë se Topit i mungon edukata dhe kultura dhe ka shterpësi idesh.

– Zoti Shehi, përditë e më shumë udhëheqësit politikë përdorin batutat kundër njëri-tjetrit, sesa paraqesin alternativa. Pse ndodh kjo?

– Mendoj që batutat përdoren edhe për të entuziazmuar militantët, ku shpesh herë, në vend që të shikojnë arsyet politike, duan të shikojnë shkëlqimin e liderit. E dyta, dhe më e trishtueshmja, është se liderët, ngaqë kanë varfëri idesh, merren me batuta.

– Me tensionin politik që krijojnë forcat politike, a mund të fitojnë atë elektorat që ka arsyetim për votën dhe të pavendosurit?

–  Shpesh herë, ky modul elektoral, çon drejt antagonizmit ekstrem dhe ka prodhuar një shterpësi idesh. Këtë radhë, shpresoj, meqë edhe debatet janë artikuluar pak më tepër, p.sh Berisha bën takime me gazetarësh, që është më i arsyeshëm dhe më i qartë edhe se mitingu i vet, edhe Ramën, i cili bën këto debate rrethore, unë i quaj pozitive këtë lloj trendi, e këto të  dominojnë mbi fushatën agresive, mbi fjalorin jopolitik, edhe mbi batuta. Edhe këtu, do të thoja, që më mirë të kemi disa batuta humori, sesa gjuhën e egër të fushatës.

– Bamir Topi, ditët e fundit përdori një fjalor jo të denjë kundër jush. Kjo për shkak të konkurrencës elektorale, apo ka diçka tjetër?

– Kjo për shkak të personalitetit të ulët kulturor që ka si ish-Presidenti. Më vjen keq, që pas kaq vitesh në politikë, kaq pak paska mësuar zotëria në fjalë. E dyta,  gjykoj që Topi, ngaqë nuk ka alternativa politike, nuk ka se çfarë tjetër të thotë dhe vjen vërdallë me fyerje rreth këtij fjalori e morali.

– Ky tension politik që krijojnë liderët, shtrihet edhe në bazë, ku militantët e fanatikët kryejnë incidente, deri në rrezik për jetën. Ku shkojmë kështu?

– Shpresoj që këto incidente elektorale, të mbeten në këtë nivel të deritanishëm dhe po vazhduam kështu, ndoshta do të jetë një nga fushatat më të mira dhe policia e administrata publike të qëndrojnë në alarm të çdo elementi  e fenomeni që do të diskretitonte procesin zgjedhor.

– Keni përshtypjen që 23 Qershori do të përcaktojë edhe fatin e karrierës politike të Berishës e të Ramës, ku i humburi humbet gjithçka?

– Sigurisht që 23 Qershori është kulmimi i finalizimit i historive politike të këtyre dy liderëve. Në radhë të parë për Berishën, mendoj që është kulmimi, finalizimi i një historie të gjatë politike. Por, besoj se edhe zoti Rama, pas 23 Qershorit, nuk ka pse të ketë më pretendime  më për lider kombëtar, në qoftë se nuk  fiton dhe unë besoj, se me rrugën që ka marrë, nuk do të ketë ndonjë sukses të madh.

–  Për Ramë, e thoni këtë, ngaqë jeni kundërshtar politik, apo si një analist?

– Mendoj që oferta politike që afron, nuk ka ndonjë vlerë që të ngrejë popullin në këmbë, e aq më pak, të pretendojë për rilindje.

– Mos vallë fakti që 23 Qershori përcakton fatin e karrierës politike, i bën Berishën e Ramën, që të luajnë gjithçka që mundin, duke rrezikuar cilësinë  elektorale?

– Si çdo zgjedhje politike, luhen të gjitha kartat, siç janë luajtur çdo herë. Zgjedhjet duhet të certifikojnë procesin paszgjedhor, t’i japin dinjitet, asaj që do të ndodhë pas 23 Qershorit. Ndaj, duhet që marketingu i këtyre zgjedhjeve duhet të jetë sa më i lart, pasi do të përcaktojë shumë edhe rrjedhën tonë në procesin e integrimit.

– Palët politike nuk interesohen fare për standardet, por vetëm për pushtetin, mendoni se 23 Qershori do të jetë përcaktues edhe për fatet e shqiptarëve?

– Shpresoj dhe besoj se do të jetë përcaktues edhe për të gjithë shqiptarët. Nga 23 Qershori duhet të dalë fitues gjithë Shqipëria dhe është një hapësira e një 10- vjeçari që ka përpara vendi dhe shqiptarët.

– Legjitimiteti i procesit zgjedhor është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme, meqë do të shkohet në ditën e votimit me një KQZ me 4 anëtarë?

– Legjitimiteti është i mjaftueshëm edhe me kaq, por shpresoj që të dy palët të gjejnë një kompromis. Pozitiv është fakti që në nivelin e dytë, të KZAZ-ve procesi vazhdon normalisht. Është një zgjidhje alla shqiptarçe, por shpresojmë të funksionojë.

– Përse  ndërkombëtarët,  tani kërkojnë nga partitë të pranojnë rezultatin zgjedhor dhe nuk bëjnë më fjalë për standarde?

–  Unë nuk gjykoj që ndërkombëtarët kërkojnë të pranohen rezultatet, pa kushtet. Unë kam besimin se zgjedhjet do të jenë më të mirat se çdo herë tjetër.

– Ku e mbështetni këtë optimizëm, kur, ndërkohë, nuk ka ndonjë asnjëherë tjetër që zgjedhjet të organizohen nga një KQZ me 4 anëtarë?

– E mbështet te vëmendja që i kanë kushtuar ndërkombëtarët dhe te ajo që kanë kuptuar të gjithë politikanët tanë, që po u prek procesi zgjedhor, do të dalin të gjithë të humbur.

– Ju e keni ndjesinë, që forcat politike janë të gatshme, që në 24 qershor të pranojnë rezultatin zgjedhor?

– Po, kam besimin se rezultati zgjedhor, do të pranohet. Sepse, edhe klasa politike është maturuar, që një rrugë bojkoti e protestash nuk është një rrugë shpresëdhënëse për Shqipërinë.

– A janë ndërgjegjësuar forcat politike që në 23 Qershor luhen fatet e Shqipërisë në rrugën që duhet të ecë në integrimin e saj në BE dhe jo thjesht, fatet se cila parti do të jetë në pushtet?

– Jo, nuk besoj se e kanë kuptuar tërësisht këtë rëndësi. Kam frikë se tendenca është që partia të vijë në pushtet, pastaj Shqipëria është në plan të dytë.

– Partitë janë në një garë (elektorale) midis tyre, se cila do të premtojë më shumë popullit bollëk, mirëqenie, lehtësira fiskale. A kanë ndonjë themel real këto premtime të mëdha që dëgjojmë?

– Si në çdo fushatë elektorale, ka edhe një koeficent të ulët të besueshmërisë në ato që premtojnë. Disa nga elementët që premtohen, janë të realizueshme, por me politikat që janë të bazuara. Në qoftë se do të vazhdojë kjo garë e premtimeve e uljes të taksave, kam frikë se, nëse e kanë seriozisht, që ta zbatojnë, do të dëmtojë ekonominë. Sepse ekonomia ka limitet e saj, e nuk mund t’i kapërcejë politika, meqë premton.

– A ka rrezik, që premtimet elektorale të kenë një kosto më të madhe paszgjedhore nga zhgënjimet, nëse nuk zbatohen?

– Unë them se po, por e djathta, në garën e saj, është më e moderuar, më e përmbajtur edhe nga një faktor tjetër. Sepse, duke qenë 8 vjet në pushtet, nuk mund të vazhdosh të bësh oferta premtimesh pa masë. Pjesa opozitare, duke qenë 8 vjet në opozitë, beson se ka luksin që mund të premtojë gjithçka, për të qenë e besueshme. Në të vërtetë, realiteti është një. Jetojmë në një krizë europiane, Shqipëria nuk mund të dalë jashtë këtij konteksti. Unë do të thoja të ndalonim këtu nga premtimet e pafundme për 4- vjeçarin e ardhshëm. Ndaj, do ta ftoja opozitën të jetë më racionale në ato që propozon, sepse, me ato që ka propozuar deri sot, duhet të ishim, të paktën, si dhe sa ekonomia e Sllovenisë.

– Por  vetë Kryeministri Berisha pohon, që ekonomia jonë është e dyta, pas Gjermanisë, për nga shifrat e zhvillimit ekonomik. Duhet besuar kjo?

– Meqë gjithë bota është në krizë, ne mund të jemi pas Gjermanisë, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Ne duhet të lëvizim ekonominë tonë me 5-6 % rritje vjetore, në qoftë se duam të jemi një ditë afër realitetit që jetojnë europianët.

– Faleminderit!