DASH: Korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë, problemi kryesor në Shqipëri

414
Sigal

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar ditën e djeshme një raport, në të cilën theksohen problemet kryesore, korrupsionin në të gjitha degët e qeverisë dhe veçanërisht korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Siç bën të ditur Zëri i Amerikës, në raportin e tij të përvitshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, Departamenti i Shtetit thekson se, ndër problemet e tjera kryesore në Shqipëri gjatë vitit 2013 kanë qenë bllokimi i reformave, veçanërisht bllokimi i luftës kundër korrupsionit, ndërsa partitë politike e përqendruan vëmendjen në zgjedhjet e qershorit. Pandëshkueshmëria, thuhet në raport, është një tjetër problem. Përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar zyrtarë që kanë kryer shkelje kanë qenë sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, si dhe gjykatësit dhe ata me interesa të fuqishme biznesi, shpesh i kanë shpëtuar drejtësisë. Disa zyrtarë më të vegjël janë ndëshkuar për shkelje. Disa zyrtarë qeveritarë, që ishin përfshirë qartazi në raste abuzimesh, u hoqën nga postet e mëparshme dhe u vendosën në poste të tjera qeveritare, pa asnjë lloj ndëshkimi. Shkelje të tjera serioze për Shqipërinë në fushën e të drejtave të njeriut,  sipas raportit, janë dhuna në familje dhe diskriminimi i grave.