Danaj: Kam mbledhur 1 milion firma në të gjitha trojet shqiptare për bashkimin natyral të kombit tonë

78

Flet Koço Danaj: I kam dërguar letra të gjashtë ministrive të jashtme të Fuqive të Mëdha për të shfuqizuar vendimin e vitit 1913

Ka 100 vjet, që Konferenca e Londrës i ka mbyllur punimet, duke lënë për një shekull resht, plagët e hapura të kombit shqiptar, që e copëtuan, duke e ndarë në 4 shtete. Kjo ka vazhduar kështu për 100 vjet dhe vazhdon edhe sot e kësaj, dite, megjithëse shumë patriotë shqiptarë kanë ngritur dhe vazhdojnë të ngrenë zërin e tyre të protestës, kundrejt kësaj padrejtësie historike. Por intelektuali dhe patrioti Koço Danaj, ka shkuar edhe më tej. Ai u ka dërguar disa shkresa të protokolluara nga institucioni që quhet “Lista Natyrale”, në adresë të ministrive të jashtme të 6 fuqive të mëdha për të mundësuar shfuqizimin e këtij vendimi 100- vjeçar. Tani për tani kjo mund t’i duket ndokujt si aventurë, por padyshim nuk do të jetë e largët dita, kur shfuqizimi i këtij vendimi bastard, do të bëhet realitet.

Zoti Danaj, thuhet se ju keni hedhur në gjyq Konferencën e Londrës për paligjshmërinë e saj. Si mund të ndodhë kjo pas 100 vjetësh dhe si qëndron  e vërteta?

Asaj konference që institucionalizoi krimin ndaj shqiptarëve ia ka bërë gjyqin historia 100 -vjeçare, e cila nuk e ka pranuar për asnjë ditë copëtimin e kombit shqiptar. Ndërsa lidhur më atë që thatë ju, e vërteta qëndron kështu: Ne i kemi dërguar nga një letër të protokolluar ministrive të jashtme të 6 Fuqive të Mëdha ku i kërkojmë shfuqizimin e të gjitha vendimeve të marra në Londër, kundër Shqipërisë. Sepse Konferenca e Londrës nuk është një Konferencë zyrtare. Por një gënjeshtër dhe një spekulim. Që në fillim ajo mori vendim që të mos mbante proces-verbal. Një veprim i tillë, të kujton veprimet e atij që bën një krim dhe merr masa të fshehë gjurmët e krimit. Për këtë ne akuzojmë fajtorët për copëtimin barbar që i kanë bërë 4 vilajeteve tona.

Ku e bazoni akuzën tuaj?

Te barbaria dhe institucionalizimi i krimit kundër nesh. Tek turpi që rëndon prej 100 vjetësh mbi këto 6 fuqi të mëdha, në lidhje më shqiptarët.

Si ta kuptojmë këtë?

Kjo konferencë ishte fund e krye një mashtrim.

Më vonë këtë e pohon vetë drejtuesi i Konferencës ish-ministri i Jashtëm britanik Grei në kujtimet e tij.

Çfarë thotë Grei?

Grei, por edhe Cambon pohojnë se: “Lufta në Ballkan nuk e rrezikoi paqen evropiane nga rihapja e çështjes së Kostandinopojës apo të ngushticave, sepse as Austria dhe as Rusia, dy fuqitë më ngushtësisht të interesuara, nuk kishin ndër mend të ishin aktive për të influencuar kushtet që Greqia, Bullgaria dhe Serbia mund ti vendosnin Turqisë duke prekur Maqedoninë…..(Grey, Memoires, Botimet Payot, viti 1927, faqe 246) Ndërsa, Pol Kambon në fund të Konferencës pohon se: “Ballkanikët tanë ikën, por mbetën pa u zgjidhur dy problemet më të rënda, Kufijtë e Shqipërisë dhe ishujt e detit Egje”.

Kush ishte pjesëmarrës në këtë konferencë të Paqes?

Aty ishin ministrat e jashtëm të 6 fuqive të mëdha. Ja pohimi që bën vetë Grei: Ne ishim gjashtë: Lichnowsky, Mensdorff dhe Imperiali, respektivisht ambasadorët e Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë; Cambon dhe Benckendorff, ambasadorët e Francës dhe të Rusisë, dhe unë për Britaninë e Madhe. Më takoi përgjegjësia e drejtimit, por ne vendosëm t’i thjeshtojmë procedurat dhe të bënim një komitet miqsh, ashtu siç edhe ishim. Në mblidheshim pasditeve, zakonisht rreth orës 4 dhe diskutonim deri rreth orës 6 ose shtatë me një pushim të vogël çaji. Konferenca vazhdoi deri më gusht 1913…(Eduards Grey, Memoires, faqe 248, botimet Payot, 1927)

Sipas jush përse u mblodh kjo konferencë?

Kjo konferencë ishte një thikë pas shpine për kombin shqiptar. Kjo konferencë nuk u mblodh, për të diskutuar pavarësinë e Shqipërisë së shpallur në 28 nëntor 1912, por për të pajtuar Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë me Turqinë. Ja pohimi i ambasadorit francez në këtë konferencë, Pol Kambon: “U mblodhëm sot datë 16 dhjetor për të arritur një marrëveshje midis Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Turqisë në zyrën e Greyt” (Kambon, Korrespodenca, faqe 31, Botimet Grasset)

Ju thoni se keni mbledhur firmat e shumë njerëzve për Shqipërinë natyrale dhe për kundërshtimi e vendimeve të kësaj konference, si është e vërteta?

Po ne kemi mbledhur në të gjitha trojet shqiptare mbi 1 milion firma për këtë problem. Që nga trojet shqiptare të Maqedonisë, Malit të  Zi, Çamërisë, Prevezës etj.. Sepse shqiptarët duan bashkimin e territoreve të tyre. Ne duam që ky problem të zgjidhet.

A ka mundësi që nëse problemi i shqiptarëve zgjidhet pozitivisht, kjo gjë mund të prodhojë efektin domino në Rajon?

Jo. Sepse në rajon nuk ka asnjë komb tjetër i cili përgjatë të gjithë kufirit të Shqipërisë aktuale të jetë i kufizuar me veten e tij, pra të ketë fqinj vetveten. Në rajon dhe në botë nuk ka asnjë komb tjetër që të ketë jashtë kufijve të tij shtetërorë dy te tretat e vetes së tij. A ka ndonjë komb tjetër në rajon të ketë këtë dukuri? Jo, asnjë komb. Efekti Domino ekziston thjesht për të trembur ata që nuk e dinë realitetin e rajonit ose që duan ta fshehin atë.

Çfarë mendoni për të ardhmen e bashkimit të shqiptarëve, në atë që quhet Shqipëria Natyrale??

Shqipëria Natyrale është një domosdoshmëri dhe një realitet që i duhet paqes dhe mirëqenies së rajonit të Ballkanit. Ja një shembull: Në Platformën e Shqipërisë Natyrale thuhet se Çamëria të shpallet zonë e lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Domethënë të jenë të lirë shqiptarët e Çamërisë të kthehen në territorin e tyre, nga i cili u dëbuan me forcë dhe padrejtësisht pra 60 vjetësh. A ka kërkesë me demokratike se sa kjo.

Ju keni folur për përdorimin e dy standardeve nga ndërkombëtarët, duke penguar kombet e vegjël dhe duke bashkuar vendet e mëdha?

Po. Por modeli që na serviret ne, është edhe kundërshqiptar. Konferenca e Londrës e vitit 1913, i copëtoi shqiptarët në 5 pjesë, mbi bazën e logjikës koloniale, duke shpërblyer me territore shqiptare shtetet fqinjë që u konsideruan fitimtarë të Luftës ballkanike apo që kishin mbështetjen e kësaj apo asaj fuqie të madhe. Këtij pseudo argumenti ne do ti vëmë përballë një argument real dhe të freskët. Dhe ky është shembulli gjerman. Gjermania në vitin 1945 u nda në katër Zona Ushtarake dhe me vonë në dy pjesë për të kënaqur fitimtaret e Luftës së dytë botërore. Pas 45 vjetësh, kjo padrejtësi koloniale mori fund dhe Gjermania u bashkua. Ky është shembulli që vlen edhe për kombin shqiptar. Përndryshe, kemi të drejtë të pohojmë se përballë kombeve dhe çështjeve të tyre kombëtare, bashkësia ndërkombëtare aplikon dy standarde. Segmente të ndryshme të BE shprehen se në rastin e Gjermanisë kjo ndodhi pasi Gjermania Perëndimore e kishte sanksionuar në Kushtetutë bashkimin kombëtar. Po edhe ne, e kemi të sanksionuar ne Kushtetutë bashkimin kombëtar, bile në Preambulën e saj. Dhe këtë Kushtetutë pasi e miratuan shqiptarët e konsideruan të drejtë edhe juristët e Komisionit të Venecias, edhe ekspertët e NATO. Por kundërshtarët tanë na thonë akoma më shumë. Na thonë se tani që po shuhen kufijtë, nuk ka nevojë të bashkohen shqiptarët. Por ky nuk është argument, është thjesht një konstatim. Pse? Shuarja e kufijve, nuk e ezauron bashkimin e shqiptarëve, përkundër e shtron si imperativ të dorës së parë. Sa më shumë shtohet qarkullimi I lirë I njerëzve, aq më shumë lind nevoja e forcimit të shteteve në territoret e të cilave ndodh ky qarkullim. Dhe kjo për të garantuar cilësinë e këtij qarkullimi të lirë dhe për të parandaluar kaosin dhe rrëmujën.

Çfarë është për ju Konferenca e Londrës?

Një poshtërsi dhe asgjë tjetër. Një poshtërsi ndërkombëtar kundër kombit më ët vogël dhe më ët pambrojtur të asaj periudhe. Por kjo duhet ndrequr. Siç e thashë edhe më lart, në Kujtimet e tij të botuara në vitin 1927, vetë Grey shprehet se kishte mashtruar, lidhur me atë që kishte pohuar në Dhomën e Komuneve në 1914 për këtë problem.

Intervistoi: Ilir BUSHI

QËLLIMI I SHQIPËRISË NATYRALE

Qëllimi i saj, është evidentimi i fakteve, se shpallja e Shqipërisë Natyrale që lindi në 28 Nëntor 1912, nuk drejtohet as kundër paqes rajonale dhe as kundër fqinjëve të Shqipërisë. Në të kundërt, Shqipëria Natyrale, është një ofertë për paqe, për stabilitet dhe mirëqenie të të gjithë popujve të Ballkanit. Njëkohësisht, kjo analizë është edhe një ftesë për debat me cilindo, studiues apo politikan, turk, serb, grek, maqedonas apo malazez etj.. Vërtet rajoni i Ballkanit ndodhet para sfidave serioze që kanë synim kryesor Paqen dhe Progresin. Por, zgjidhja e parë dhe kryesore në Ballkan, e cila përbën sot Kyçin e paqes rajonale, është bashkimi i shqiptarëve, është krijimi i Shqipërisë Natyrale. Pse e them këtë? Po paraqes disa fakte për dijeni, por edhe për gjykim.

ÇFARË NDODHI NË KONFERENCËN E LONDRËS

Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913 dhe njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Armëpushimi për t’i dhënë fund Luftës së Parë Ballkanike u nënshkrua në 3 dhjetor 1912. Konferenca e Londrës u ndoq nga delegatët e vendeve të Ligës ballkanike, përfshi Perandorinë Osmane dhe Greqinë, e cila nuk kishte nënshkruar armëpushim. Konferenca filloi punimet në shtator 1912 në St James’s Palace nën drejtimin e Sir Edward Grey. Sesionet e tjera të konferencës vazhduan më 16 dhjetor 1912, po u ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti.  Më 30 maj 1913, konferenca kishte rimarrë punimet dhe nënshkroi Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane. Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca mori vendimeve që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40% e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë. Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që morri konferenca qe mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballkanikë mbetën të pakënaqur nga kongresi dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike