Damian Gjiknuri:“Opozita do të përgatitet për çdo skenar të Berishës për zgjedhjet”

416
Sigal

* sekretar për Çështjet Zgjedhore të PS-së

Qëllimi i vërtetë i PD-së ka qenë rrëmbimi, marrja dhe kontrolli i KQZ-së për ta përdorur në procesin elektoral, sipas interesave të tyre.

Konfliktualiteti i KQZ-së, po vë në dyshim gjithë procesin zgjedhor, ndërsa palët politike nuk duan të bëjnë asnjë lëshim, asnjë hap drejt një arritjeje të kompromisit, ndërsa, përditë adresojnë akuza dhe kundërakuza ndaj njëri-tjetrit. Ndërsa, faktorët ndërkombëtarë, të cilët monitorojnë zgjedhjet, duke qenë në rolin e arbitrit, kujtojnë se e kryejnë detyrimin e tyre, me deklaratat, apelet, mesazhet e tyre, duke mos hedhur e ndërmarrë asnjë hap tjetër, që të ndërtojë urat e komunikimit të forcave politike, për gjetjen e zgjidhjes. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, një nga bashkëhartuesit e vetë Kodit Zgjedhor, Damian Gjuknuri, në intervistën ekskluzive për “Telegraf”, pasi thotë se qëllimi i Berishës, ka qenë që të marrë kontrollin e KQZ-së, për ta përdorur në rezultatin e zgjedhjeve, shpreh sigurinë se, opozita është e përgatitur që t’i kundërpërgjigjet çdo skenari të Berishës për zgjedhjet. Sipas Gjiknurit, zgjidhja e vetme është që palët politike të ulen në tryezën e bisedimeve e të arrihet një marrëveshje politike. Ndryshe, thotë Gjiknuri, KQZ-ja do të shërbejë si një seksion politik i PD-së, duke mbartur edhe përgjegjësinë e plotë për pasojat.

– Zoti Gjiknuri, derisa Kryeministri Berisha mohoi se mund të pranojë propozimet e opozitës për zgjidhjen e ngërçit të KQZ-së, çfarë mund të pritet të ndodhë?

– Ne presim që Berisha të reagojë, pas atij fakti të paligjshëm, që ka bërë mbi KQZ-në. Do të thotë, të vijë e të ulet në tavolinën e bisedimeve. Ne nuk kemi bërë një propozim konkret. Ne kemi disa propozime, të cilat ne mund t’i shtrojmë e t’i bisedojmë  në tavolinën e bisedimeve, nëse ekziston vullneti nga maxhoranca. Këtë po presim, këto kërkon edhe komuniteti ndërkombëtar, këtë kërkojnë të gjithë dashamirësit e Shqipërisë. Që qeveria të gjejë konsensusin me opozitën për gjetjen e një zgjidhjeje për KQZ-në, pas dhunës së ushtruar në Kuvend në mënyrë të njëanshme  dhe që prishi klimën e mirëbesimit në këtë institucion.

– Zgjidhja e konfliktit për KQZ-në, është një kompromis i mundshëm politik, apo kërkoni të rikthehet legjitimiteti, gjendja e mëparshme?

– Ligji u shkel në mënyrë të njëanshme, do të thotë, ligji u zhbë. Dhe meqë ligji u zhbë, duhet të gjejmë një mënyrë se si  KQZ-në ta kthejmë në kufijtë e pranueshëm, për të krijuar mirëbesimin nga të gjitha palët. Po t’i rrinim ligjit, KQZ-ja sot duhet të funksiononte dhe vendimi i Kuvendit për zëvendësimin e anëtarit, nuk duhet të ndodhte. Dhuna ndodhi, dëmi është bërë, patjetër politika duhet të ulet të gjejë zgjidhje për dëmin e bërë. Prandaj unë them, se akoma ka mundësi, qoftë me marrëveshje politike, qoftë duke bërë edhe një ndërhyrje emergjente në ligj për të gjetur një zgjidhje  që kthen normalitetin  e besimin e KQZ-së.

Nëse maxhoranca qëndron  në mospranimin e kërkesave tuaja, ju sërish, siç keni deklaruar më parë, do të pranoni të veni në 23 Qershor me një KQZ me 4 anëtarë?

– Patjetër, ne nuk heqim dorë nga ky qëndrim, pasi jemi të bindur se është një qëndrim parimor. Ne nuk mundemi, që thjesht, të çojmë disa njerëz të tjerë në KQZ, që të zëvendësojnë disa të tjerë dhe të pranojmë shkeljen e Kodit Zgjedhor që ka bëre vetë Kuvendi. Meqë maxhoranca bërtiti  u çor tërë ditën e kërkonte që ta kishte KQZ-në nën kontrollin e saj, sepse këtë tha Berisha: “Dua kontrollin mbi KQZ-në”,  le ta mbajë  KQZ-ja, si një seksion politik të PD-së, le të vazhdojë që të bëjë zgjedhjet me KQZ-së si seksion politik të saj dhe jo si Komision Qendror të Administrimit të Zgjedhjeve dhe le të mbajë edhe përgjegjësitë përkatëse. Do të thotë, që të gjitha ato veprime të paligjshme, ata 4 anëtarë të KQZ-së, do të jenë përgjegjës para publikut dhe do t’i tregojnë me gisht. Njëkohësisht, opozita do të përgatitet për çdo lloj skenari që mendon Berisha në lidhje me funksionimin e zgjedhjeve me KQZ-në me 4 anëtarë.

– Do të ketë vendime shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të cilat duhet të miratohen me votën e cilësuar të KQZ-së. Votimi 4:0 a mund të quhet i cilësuar, nëse nuk plotësohet KQZ-ja me anëtarë të tjerë?

– Kodi Zgjedhor e përcakton qartë se çfarë quhet votim i cilësuar. Dhe votimi i cilësuar kërkon 5 vota. Dhe vendimet e KQZ-së,  nëse merren me 4 anëtarë, kur kërkohen votat e 5 anëtarëve, atëherë, janë të pavlefshme. Qartë, e kuptojnë të gjithë, që vendime të rëndësishme të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, nuk mund të merren dot nga kjo KQZ me 4 anëtarë. Ndaj është absurde të pretendosh si normalitet funksionimin e kësaj KQZ-je gjysmake.

– Apeli i ndërkombëtarëve për normalizimin e KQZ-së, mendoni se i drejtohet vetëm maxhorancës dhe jo opozitës?

– Opozita e ka shprehur dëshirën për t’u ulur në negociata. Opozita ka qenë në të drejtën e saj. Ligji dhe Kodi Zgjedhor është shkelur nga maxhoranca. Normal është që apeli i bëhet atij që shkeli ligjin në mënyrë të njëanshme dhe ju, besoj, se nuk keni nevojë për komentin tim. Merrni gjithë deklaratat e ndërkombëtarëve për çështjen e KQZ-së, të cilat thonë të njëjtën gjë. KQZ-ja duhet të jetë institucion i pavarur, marrëveshja ka qenë e materializuar  në Kodin Zgjedhor, ligji u shkel, ndaj i bëhet thirrje qeverisë, për të toleruar, për të bërë kompromis, për të bërë negociata dhe gjetjen e zgjidhjes politike.

– Ç’do të thotë kjo?

–  Do të thotë edhe fajin dhe gabimin që ke bërë në lidhje me shkarkimin e paligjshëm të një anëtari të KQZ-së.

Çfarë kërkohet nga ju? Rikthimi në normalitetin e mëparshëm,  apo riformatimi dhe një kryetar konsensual i KQZ-së, siç dëgjohet  ditët e fundit nga opozita?

– Opozita ka shumë opsione, por unë nuk jam këtu që të nxjerr këto dhe të diskutoj zgjidhjen në gazeta, apo në media. Unë zgjidhjet i diskutoj në tavolinë negocimi dhe këtij parimi i qëndroj.

Kolegji Zgjedhor a mundet të zgjedhë anëtarët e KQZ-së, nëse opozita nuk do të japë kandidatura?

– Kolegji Zgjedhor është gjykatë. Unë nuk di që Kolegji të ketë fuqi parlamentare.

Ky version është dëgjuar nga maxhoranca. Nëse ndodh, cili do të jetë reagimi juaj?

Nuk e di ku e gjen maxhoranca këtë të drejtë dhe kujt ligji i referohet, se në Kodin Zgjedhor përcaktohen qartë që anëtarët e KQZ-së propozohen nga forcat politike dhe pastaj, zgjidhen nga Kuvendi. Tani, maxhoranca, nëse ka ndërmend që t’i zgjedhë, sikurse zgjedh seksionet politike të lagjes, mund ta quajë formë për të plotësuar KQZ-në.

Përse për zëvendësimin e komisionerëve të KZAZ-ve dhe hallkave të tjera të administrimit zgjedhor, ju pranuat?

Sepse KZAZ-të dhe komisionet e tjera janë politike dhe zgjidhen në balancë politike, zgjedhje pas zgjedhjesh. KQZ-ja është një institucion me mandat të gjatë ligjor, 6-vjeçar dhe funksionon në mënyrë të pavarur. Pikërisht,  pretendimi i PD-së se problemi ekzistonte  poshtë dhe nuk gjenim zgjidhje, prandaj morëm KQZ-në, bie, sepse problemi gjente zgjidhje në KQZ për nivele poshtë dhe ne e kemi shprehur gatishmërinë për këtë.

– Cili ka qenë qëllimi i vërtetë i PD-së?

– Qëllimi i vërtetë i PD-së ka qenë rrëmbimi, marrja dhe kontrolli i KQZ-së për ta përdorur në procesin elektoral, sipas interesave të tyre.

Domethënë, ju thoni që anëtari i KQZ-së dhe komisionerët e KZAZ-ve nuk janë në të njëjtin princip politik, ndaj kërkuar zëvendësimin e tyre?

–  Patjetër, jo. Mjafton të shikosh Kodin Zgjedhor, i cili e ka përcaktuar qartë. KQZ-ja është organ i pavarur. Detyra e anëtarit të KQZ-së nuk pajtohet me asnjë detyrë tjetër shtetërore,  por edhe partiake. Kurse komisionet poshtë janë komisione të balancuara politikisht, ta barabarta në të gjithë vendin. Dhe kështu duhet të jenë.

U krye prova e parë e numërimit elektronik. Ju, mendoni se numërimi elektronik dhe identifikimi elektronik është i mundshëm të realizohet në 23 Qershor?

Për ne, numërimi elektronik nuk i plotëson kushtet, standardet që janë përcaktuar në Kodin Zgjedhor dhe për mua ishte një eksperiment jo i suksesshëm.

– Me këto mangësi që ju keni evidentuar, ju do të pranoni që në 23 Qershor të zbatohet teknologjia e numërimit elektronik?

– Kemi kërkuar që të bëhet një test i dytë, që të shikojmë të plotësohen kriteret ligjore. Ndryshe, ky numërim nuk është në përputhje me ligjin dhe nuk ka përse të zbatohet fare.

– Me këtë konfliktualitet në KQZ, a vihet në dyshim procesi zgjedhor dhe rezultati në 23 Qershor?

Standardet e procesit zgjedhor janë dërmuar. Këtë e konfirmojnë të gjithë dhe Sali Berisha e zgjodhi që të sulmojë KQZ-në dhe disa vendime të tij. Vendimet e maxhorancës kanë cenuar rëndë besimin e procesit zgjedhor. Kjo do të thotë që standardet e zgjedhjeve janë cenuar.  Nga pikëpamja e rezultatit, Berisha synon në një rezultat të ngushtë, për të përdorur KQZ-në në favor të tij. Por, unë kam bindjen e thellë, që rezultati do të jetë i thellë, votat do të numërohen në çdo nivel dhe në vendin e numërimit të votave. Çdo tentativë e KQZ-së, për të sabotuar publikimin e rezultateve në kohë dhe për të bllokuar numërimin e për të sjellë kutitë e votimit në Tiranë,  ne nuk do ta lejojmë. Ndryshe, kjo do të jetë sinjal i qartë alarmi, që kërkohet të vihet dorë në proces. Nëse një njeri ka vendosur t’i dalë përballë popullit, vetëm me interesin  që të qëndrojë me çdo mjet në pushtet, besoj se pasojat duhet t’i marrë parasysh.

Meqë janë tejkaluar të gjitha afatet që parashikon Kodi Zgjedhor për listat zgjedhore, a ka transparencë në publikimin e tyre të deritanishëm?

– Dyshime kemi. Nuk kemi patur bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, për të pastruar emrat e dubluara, sipas udhëzimit të miratuar edhe nga marrëveshja me opozitën.  Megjithatë, ne kemi bërë një punë goxha të mirë, për të identifikuar çdo person të dubluar, çdo të dhënë, edhe të personave realë në terren dhe do t’i përdorim të gjitha këto të dhënë, në funksion të ditës së votimit, për të mos lejuar asnjë manipulim me procesin zgjedhor. Ministria e Brendshme, edhe një herë, dëshmoi që është e paaftë, njëkohësisht, ka edhe mungesë dëshire për të sjellë lista me integritet, ashtu siç kërkojnë rekomandimet e ODHIR-it dhe ashtu siç parashikon edhe Kodi Zgjedhor.

Opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet

Mundet, që me këto qëndrime ndaj KQZ-së, Berisha të shtyjë opozitën që të bojkotojë zgjedhjet?

Berisha mund të ketë shumë lloj motivesh në kokën e tij dhe unë nuk jam këtu për të komentuar motivet e tij. Mund të jenë motive që të shtyjë opozitën në veprime politike ekstreme, gjë që ne nuk do ta bëjmë. Pra, ne nuk do të bojkotojmë zgjedhjet. Njëkohësisht dhe patjetër, Berisha ka qëllim që të përdorë KQZ-në për ditën e rezultateve, duke sabotuar procesin e numërimit dhe  për t’i dhënë mundësi KQZ-së që të zbatojë skemën  që zbatoi edhe në e 2011-s. Ne do të përgatitemi për këto skenarë, ne  do të përgatitemi për të mbrojtur çdo votë në vendet e numërimit të votave, çdo tentativë nga KQZ-ja për ta sabotuar këtë proces, qoftë duke mos publikuar rezultatet në kohë, gjë që po ndodh dhe po e sabotojnë një proces, edhe me para të donatorëve ndërkombëtarë, qoftë edhe duke bllokuar procesin e numërimit, ne do të jemi të gatshëm, që votat të numërohen aty ku duhet të numërohen në mënyrë transparente. Çdo njeri që tenton të fusë duart në këto zgjedhje dhe 4 anëtarët e KQZ-së duhet të kuptojnë peshën politike dhe ligjore që do të kenë, nëse do të prishin zgjedhjet me urdhrin partiak.